Botët e Kristalta të Swarovski – Holografia e “Heronjve të Paqes”, 2017

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2018 (Zgjerimi i kufijve në Art – Dyzimi i Artit Digjital me Artin Kontemporan)

Në “Heronjtë e Paqes”, teknikat inovative të projektimit holografik ua mundësojnë vizitorëve t’i shohin hologramet me përmasa reale të nobelistëve të Paqes. Artistët kontemporanë sot e shfrytëzojnë teknologjinë më shumë se kurrë më parë, në artin bashkëkohor ndonjëherë nevojitet më shumë sesa vetëm “vizualiteti”, ose më shumë sesa vetëm mediumet tradicionale, ose më shumë sesa vetëm “audio-mediumi” etj. Sot artistë të panumërt i eksplorojnë sferat e panjohura… duke eksperimentuar me mjetet e reja e me multi-medialitetin, duke shkelur me guxim në fusha të “panjohura” artistike e kulturore, veprat e tyre sikur përpiqen ta dyzojnë ose “shkrijnë” të renë me të vjetrën – por eksplorimi i tyre është gjithashtu dhe një lloj “prekjeje” testuese, një “zgjerim” i kufijve në Art me ndihmën e teknologjisë.

***
Kristalet Swarovski ashtu-kështu i kanë fascinuar njerëzit aneskaj botës për më shumë se 120 vjet. Mirëpo bota e fantazisë ikonike “Kristal” e gjigantit Swarovski ofron një përzierje unike të artit bashkëkohor / kontemporan, të historisë, të bukurive intriguese të natyrës etj. në kuadër të një programi artistik vjetor, për të gjitha moshat. Organizatorët e “Swarovski Kristallwelten” thonë se, që nga nisja në v. 1995, “Swarovski Kristallwelten” ka tërhequr më shumë se 13 milionë vizitorë, duke u bërë një nga atraksionet më të vizituara në Austri.

Ata e thonë po ashtu me krenari që kjo përvojë artistike rifreskohet vazhdimisht, dhe prore është duke e rishpikur veten. Afro 400 ekspertësh e punonjësish e kombinojnë artin, stilin, glamurozitetin, luksozitetin, ekstravagancën, mënyrën e jetesës, traditën austriake… me një model komercialiteti, marketingu e turizmi ndërkombëtar të suksesshëm. Falë përditësimeve dhe zgjerimeve të rregullta në kuadër të “Swarovski Kristallwelten” ata nuk reshtin që nga v. 1995 duke e mahnitur e fascinuar botën.

Shtrirë në kompleksin prej 7.5 hektarësh, kjo botë e fantazisë dhe artit rreth emrit Swarovski i ka 16 “Dhoma të Mrekullive”. Duke instaluar artin e tyre në “Wunderkammer” dhe në kopshtin e gjelbër, artistët pra kanë mundësinë t’i “interpretojnë kristalet” secili sipas mënyrës së vet. Dhe dihet, për “botët e kristalta” të Swarovski, duke u bashkëdyzuar me artin dhe me idetë avantgarde të stilit, gjithçka duhet të vërtitet, qoftë më pak a më shumë, rreth kristaleve.

Në Nëntor të 2017, “Swarovski Kristallwelten” ia paraqiti botës katër instalime të reja, në katër “dhoma të mrekullive”. Katër artistë të njohur ndërkombëtarisht, secili prej tyre e kishte në dispozicion 1 “mrekulli artistike”, këta ishin dizajneri indian Manish Arora, artisti izraelit Arik Levy, arkitekti meksikan Fernando Romero, dhe artisti austriak i multimedias Andre Heller. Ky i fundit, në vitin 1995, me rastin e 100-vjetorit të Swarovski, dhe e pati themeluar-krijuar aktivitetin ikonik “Swarovski Kristallwelten”.

Katër prezantimet e tyre artistike, titulluar “Të Gatshëm për Dashuri”, “Formimi Emocional”, “El Sol”, dhe “Heronjtë e Paqes”, sipas Swarovski, ishin projekte emocionuese, të detajuara, shumëngjyrëshe e befasuese për çaste akoma më të “mrekullueshme” në botën e kristaleve Swarovski.

Me njërën nga “dhomat e mrekullive”, pra Swarovski Kristallwelten e mbështetë vizionin e Andre Heller lidhur me temën e Paqes. Sipas artistit, “Heronjtë e Paqes” i fton vizitorët të ndalojnë për një moment, të reflektojnë për jetën dhe si, secili nga ta mund të ofrojnë kontributin e tyre pë Paqen. Teknikat inovative të projektimit holografik ua mundësojnë vizitorëve t’i shohin hologramet me përmasa reale të nobelistëve të Paqes, ose që ia kanë kushtuar jetën e tyre temës së Paqes, përfshirë Albert Einstein, Pablo Picasso, Nelson Mandela, Mahatma Gandhi, Martin Luther King, Rigoberta Menchu, Bertha von Suttner, John Lennon dhe Yoko Ono.

Nuk gjeta diç të detajuar lidhur me artin holografik të përdorur në “Heronjtë e Paqes”, përveç 3D-portretit të Ajnshtajnit, dhe i cili është bërë nga Alexander Beim – vërtet një punë impresive, 3D-portret mahnitës i Ajnshtajnit – shih videon bashkëngjitur (ekstrakt – burimi: lotuasart/de).

Alexander Beim – 3D portret i Albert Einstein, 2017
(për hologramin në instalacionin e André Heller, “Heronjtë e Paqes“, Swarovski Kristallwelten – Wattens, Austri, Nëntor 2017)

 

(Pak fjalë rreth Swarovski)
Kompania austriake Swarovski qe themeluar në v. 1895, prodhon e shet kristale, gurësh të çmuar sintetikë dhe aso të vërtetë, stoli, aksesorë, produkte optike etj. Swarovski ofron një gamë të gjerë produktesh të karakterizuara nga cilësia unike. Gjenerata e pestë e biznesit “Kristal” drejtohet nga familja, dhe ka rreth 2.800 dyqane aneskaj globit, shtrirë në rreth 170 vende të botës. Kompania simotër “Swarovski Optik”, pastaj ajo “Tyrolit” dhe “Swarovski Kristal” formojnë Grupin Swarovski. Në v. 2016, më shumë se 32.000 punonjës mburreshin me shitjet prej rreth 3.37 miliard Euro. Sipas Swarovski, marrëdhënia e përgjegjshme me njerëzit dhe planetin është pjesë integrale e kulturës korporative të tyre. Austriakët e “kristalizuar” janë krenarë dhe me Fondacionin Swarovski, i themeluar në vitin 2013, i cili promovon kreativitetin dhe kulturën, i përkushtohet mirëqenies së njerëzimit dhe mbrojtjes së burimeve natyrore.