Shtretërit e “thjeshtë”, dhe sekreti i shtratit të Penelopës!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2018

(…Odiseu e pati gjetur fillimisht lisin për shtratin (e ardhshëm) të dashurisë, e pati prerë në lartësinë optimale të “shtratit” dhe rrotull e pati ndërtuar shtëpinë, dhoma e tij e gjumit, besnikëria e Penelopës, e gjithë shtëpia “gravitonte” rreth shtratit…)

“Bukuria e stilit, harmonia, hijeshia dhe ritmi i përkryer varen nga thjeshtësia” – pati thënë dikur Platoni. Aq bukur e pati formuluar Platoni, 2400 vjet më parë. Duke parë këtë shtratin me paleta, sikur po thosha mëvete: “më thjeshtë se kaq s’ka si bëhet një shtrat, i dashur Platon! Madje mund ta ujdis dhe unë vetë tani, aq e thjeshtë… tashmë duke e patur idenë.

Pasi shtretërit në fakt janë sa për t’mos fjetur fare në “tokë”. Edhe Odiseu ashtu e pati ujdisur shtratin e vet, bazuar në thjeshtësinë. Nëse ideja e tij ishte origjinale s’kemi si ta dimë, ama dhoma e gjumit, besnikëria e Penelopës, e gjithë shtëpia “gravitonte” rreth shtratit. Ai e pati gjetur fillimisht lisin për shtratin (e ardhshëm) të dashurisë, e pati prerë në lartësinë optimale të “shtratit” dhe rrotull e pati ndërtuar shtëpinë. Odiseu e dinte, shtrati është për t’mos fjetur fare në “tokë”, thjesht pakëz më lart. Kuptohet kësaj “lartësie”, njësoj sikur dhe ai ne do ia shtojmë komoditetin, do t’i shpikim një milion formash e stilesh etj.

Me këtë punë të stileve e të formave merren dizajnerët, herë-herë na mahnitin, na lënë gojëhapur me lloj-lloj idesh. Dhe dihet, dizajni sot është diç si “fabric of society”, është bota që e prekim me çdosecilën frymë të jetës sonë. Që nga shtretërit ku flemë, aparatet, veglat… deri tek arkitektura, e madje sikur dhe makro-struktura e botës tashmë “preket” nga dizajni. Pa dizajnerët bota do na dukej skajshmërisht “ordinere”, pa risi e freski padyshim gjërat do na mërziteshin. Nëse i marrim si shembull dhe vetëm çështjet e modës; me qindra e mijëra firmash aneskaj globit na i sjellin “markat” e preferuara, trendet e reja, stilet… gjithçka, deri në detaje – çdo bënim vallë pa Versace-t e kësaj bote?

***
Siç na pati rrëfyer Homeri, Penelopa dhe Odiseu flinin në një shtrat me “rrënjë”, shtrat i gdhendur në pemën e ullirit aty në dhomën e gjumit. Trungu i ullirit të vjetër duke i patur rrënjët në themelet e shtëpisë, kuptohet ishte i paluajtshëm, simbolikisht ashtu si besnikëria e Penelopes ndaj burrit të vet. Sipas Homerit Penelopa do duhej t’ishte diç si përkryeshmëria emblematike e gruas besnike. Odiseu do t’nisej në luftën e Trojës, pas 10 vjet luftë, do t’i humbte plus 10 vite të tjera për t’u kthyer në shtëpi, në Itakë. Kështu që Penelopa do ta priste Odiseun për 20 vite të tëra, besnike. Mirëpo jo dhe ai do ngelej “besnik”, paçka se shpirtërisht s’do ta tradhtonte as ai (vetëm “fizikisht”). Gjithsesi Odiseu do t’ishte për 7 vjet i “lidhur” me magjitë dhe me ëmbëlsinë e bukuroshes Kalipso.
Ajo ishte një nimfë-perëndeshë e pavdekshme, Odiseu një vdekatar i “rëndomtë” por Kalipsoja qe dashuruar në të, e mbante në ishullin e vet kundër vullnetit të tij. Madje Kalipsoja do t’i kishte dy fëmijë nga ai. Por pra s’mund ta bënte të lumtur, sepse zemra e tij rrahte për dikend tjetër. Odiseu e luste që ta lironte dhe kështu që t’i kthehej Penelopës së përvuajtur. Kalipsoja i pati premtuar shumçka, psh. rininë e përjetshme dhe pavdekësinë, nëse ai të qëndronte me të, por atij nuk i duheshin këto. Me ndërhyrjen e perëndeshës Athina dhe me vullnetin e Zeusit, më në fund Odiseu do t’kthehej në shtëpi, perënditë qenë përzier dmth. dhe Kalipsoja qe detyruar ta lironte të dashurin që e mbante peng.

Penelopa kurrë nuk hoqi dorë nga Odiseu, edhe përkundër sfidave, aq shumë trimash e kërkonin dorën e saj, por ajo kurrë s’do ta tradhtonte. Madje dhe kur Odiseu kthehet, ajo e teston për t’u siguruar se vërtet ishte burri i saj. Penelopa e përdor pikërisht shtratin që të vërtetohej identiteti i tij. Vetëm Odiseu, Penelopa dhe shërbëtorja e dinin që shtrati s’mund të zhvendosej, se ishte i paluajtshëm. Askush tjetër s’e dinte këtë sekret. Penelopa e urdhëron shërbëtoren e vet që ta lëvizte shtratin e tyre të martesës. Odiseu zemërohet duke pandehur se Penelopa e paskësh zëvendësuar shtratin me ndonjë shtrat tjetër. Ai shpjegon se dhomën e gjumit e pati ndërtuar rreth një ulliri të lashtë, dhe se vetë pemën e pati bërë shtrat, e pati gdhendur shtratin në trungun me rrënjë.
Me këtë detaj pra Penelopa e ngratë qe siguruar se ai ishte askush tjetër por vetë dashuria e saj… vetë “ideatori” i shtratit martesor, ai mbreti krenar i Itakes, ai trimi, ai bredharaku i humbur të cilin e kishte pritur aq gjatë.

[ ngjitur: nje shtrat me paleta, 3-D koncept – djathtas: Silvana Mangano (në rolin si Penelopa) dhe Kirk Douglas (si Odiseu) në filmin “Ulliksi”, 1955 ]