Kusama – Grand-Zonja 84-vjeçare, dhe Louis Vuitton!

S. Guraziu – AP Blog, Tetor 2013 [ Art bashkëkohor (kontemporan) – Pop-art, art minimalist, art feminist ]

(…për 6 dekada në arenën e artit, njëra nga artistet japoneze më të njohura në botën artistike, në v. 2008 Christies (NY) e pati shitur një vepër të saj për 5.100.000 dollarë, rekord ky për një artiste-femër… të gjallë)

Puna e Kusamasë është e bazuar në artin konceptual dhe përshfaq disa atribute të feminizmit, të minimalizmit, të surrealizmit, të “artit Brut”, të pop-artit dhe të ekspresionizmi abstrakt, e përngjeshur me përmbajtje autobiografike, psikologjike dhe seksuale.

Mund të shkruhet apo të thuhet shumçka për këtë “gjyshe” japoneze me emrin Kusama, këmbëngultësia, “pikat” si obsesion artistik për dekada dhe përjetimet halucinative të fëmijërisë ashtu-kështu e kanë bërë të pavdekshme si artiste, por nëse e shohim artistikisht dhe “shpinën” e një pikture (dmth. andej diku prapa kornizës), mendoj që marrëveshja e vitit të shkuar për bashkëpunim mes Kusama dhe Louis Vuitton është ajo kurora e praruar, është dëshmia më bindëse, vula më kredibile për vulosjen e stilit të saj autentik – lindja e një marke pikash (që tingëllon “Kusama” kudo dhe në secilin skaj të botës) në vetvete mund t’jetë më e zhurmëshme sesa “zhurma” e të gjitha muzeumeve së bashku.

– – –
Louis Vuitton, shkurtuar LV, është një shtëpi mode franceze, e themeluar në vitin 1854. Sa u përket luksoziteteve për 6 vite me radhë (nga 2006 deri 2012) Louis Vuitton u konsiderua si marka më e vlefshme e botës. Vlera e LV në v. 2012 ishte 25.9 miliardë dollarë (sipas të dhënave nga: Bloomberg – “Louis Vuitton Tops Hermes As World’s Most Valuable Luxury Brand” by Andrew Roberts – sguraziu)
– – –

Veprat artistike të Yayoi Kusama janë pjesë e koleksioneve të muzeumeve më të njohura të botës, duke përfshirë: Museum of Modern Art (MoMA) – NY; Los Angeles County Museum of Art – LA; Walker Art Center – Minneapolis; Tate Modern – Londër; Stedelijk Museum – Amsterdam; Centre Pompidou – Paris; dhe, natyrisht, Muzeu Kombëtar i Artit Modern në Tokio.

Retrospektiva më të mëdha për veprën e saj artistike janë mbajtur në muzeume të ndryshme të artit, ndërsa në v. 2008 Christies (New York) e pati shitur një vepër të saj për 5.100.000 dollarë, rekord ky për një artiste-femër… të gjallë.

Është nderuar me çmime të ndryshme për veprën e saj artistike, disa sosh janë: Në vitin 2006 Yayoi Kusama u bë gruaja e parë japoneze të nderohet me “Praemium Imperiale”, një nga çmimet më prestigjioze të Japonisë për artistët e njohur ndërkombëtarisht. Po ashtu ka marrë Çmimin Asahi (v. 2001); pastaj “Ordre des Arts et des Lettres” (v. 2003); Shpërblimin Kombëtar për Arritjet Jetësore “Order of the Rising Sun” (v. 2006).

***
“Një ditë po shihja një mbulesë tavoline si mostër mbuluar e gjitha me lule të kuqe, pastaj vështrimi më iku lart, pashë tavanin, dritaret dhe shtyllat qenë mbuluar plotësisht me modelet e njëjta prej lulesh të kuqe. Me dhomën së bashku, i gjithë trupi im dhe i gjithë universi qenë mbuluar tërësisht me modelet e luleve, sikur po rrëshqisja në vetë-zhdukje, në mosqenie… sikur po reduktohesha në një asgjë (…). Isha e tronditur (…) piktura qe e vetmja mënyrë për ta mbajtur veten gjallë, ose në të kundërtën qenë një lloj ethesh që më çuan në dëshpërim.” – Yayoi Kusama

Grand-Zonja 84 vjeçare, e cila merret me art për rreth 6 dekada është njëra nga artistet japoneze më të njohura në mbarë botën artistike – shkruan Ch. Nelkin, me rastin e ekspozitës në Tate Modern të Londrës, më 2012 – edhe pse – vazhdon Nelkin – jashtë qarqeve artistike Kusama ndoshta dhe nuk njihet aq. Pikturat e ciklit “Infinity…” të lënë pa frymë. Në dukje njolla brushash njëtrajtësore të pafund, me një ngjyre të vetme në një sfond kontrastues, por ato kanë një efekt qetësues brenda nesh, ndonëse e qartë se janë të ngarkuara emocionalisht me temat e obsesionit dhe me joshjen “detyruese”. Kanë një cilësi të hipnotizimit, arritur kjo me përdorimin e njëjtë të sipërfaqes së teksturizuar…
Seria e veprave të saj “Sex Obsession” përfshin karrige, tavolina dhe objekte tjera të përditshme të mbuluara me formash të ndryshme “spermatike-fallusoide”, duke përqeshur kështu kulturën “macho” të skenës artistike amerikane. (Nelkin e ka fjalën këtu për vitet para 1973, kur Kusama kthehet nga ShBA në Japoni – shën. imi, s.g.)

***
Për Yayoi Kusama, faqja në Wikipedia, siç zbulova, padyshim duhet të jetë më e pasura faqe e Internetit lidhur me jetën dhe veprën e saj, ka një listë bibliografike të shkëlqyer dhe një listë tjetër në fund… të ngjeshur me panumër referencash të cituara – për t’i studiuar të gjitha ato dhe për t’i verifikuar të dhënat do na duhej ndoshta sëpaku 1 vit 🙂

Në vitin 1957 Kusama u shpërngul në ShBA, në Nju Jork, ku erdhën në jetë një seri me piktura ndikuar nga lëvizja abstrakte ekspresioniste. Duke zgjedhur pastaj për skulpturën dhe instalimin, si mediume të saj parësore, Kusama u bë përfaqësuese e përhershme e avangardës njujorkeze, ka ekspozuar veprat e veta së bashku me Andy Warhol, Claes Oldenburg dhe George Segal gjatë viteve të hershme të ’60-a, ku ajo u njësua me pop-lëvizjen artistike. Duke përqafuar hip-kundërkulturën e të gjashtëdhjetave të vona, Kusama erdhi në vëmendjen e publikut, ajo organizoi një seri të eventeve artistike në të cilat pjesëmarrësit ishin të zhveshur dhe të mbuluar me “polka dots”… si pika apo toptha ngjyrash të ndezura.

Në vitin 1973 Kusama qe kthyer në vendlindjen e saj, në Japoni, ku ajo gjeti atmosferën artistike shumë më konservatore sesa në Nju Jork. Duke përjetuar probleme psikike, në vitin 1977 ajo u paraqit vullnetarisht në një spital psikiatrik, ku ka shpenzuar pjesën tjetër të jetës. Kusama ka vazhduar të krijojë vepra artistike në një shumëllojshmëri të mediumeve, po ashtu e nis një karrierë si shkrimtare duke shkruar e botuar disa romane, një koleksion poezish dhe një autobiografi.

***
Ndërsa në faqen zyrtare të Yayoi Kusama ( yayoi-kusama.jp ), në seksionin “anglisht”, biografia e saj është një tekst i thjeshtë dhe i pangarkuar me detaje. Fillon kështu: Lindur në Prefekturën Nagano. Piktore avangardiste, skulptore dhe shkrimtare. Ka filluar të pikturojë rreth moshës dhjetë vjeçare duke përdorur pika dhe rrjeta si motive, ka krijuar piktura fantastike në akuarel, pastel e dhe vajra.