SG – Ars Poetica, T 2019 (Art Konceptual* – Pak fjalë…)
“Nëse arti është ajo që ne bëjmë (veprojmë – si akt, dmth. për të ndikuar, përmirësuar, ndryshuar etj.), dhe kultura është ajo që ndikon në ne (na krijon kulturologjikisht, na avancon, na formëson, si individë e si shoqëri) – çfarë do bënte kultura me ne (si do ndikonte) nëse arti t’ishte diç që ne s’e kemi bërë?”
Me fjalë të tjera, artisti pyet nëse arti ishte (ose t’ketë qenë) një veprim i pritshëm nga ne që nuk është bërë (nuk është kryer, ekzekutuar), si do t’ndikonte ky lëshim specifik në jetën tonë, nëse do kishte sado ndikim… apo dhe fare?
Keith Arnatt (1930-2008) – Arti si Akt i Lëshimit* (mosbërjes, mosveprimit), 1971
Artisti qenka frymëzuar nga një tekst i filozofit Eric D’Arcy, duke cituar nga libri i tij “Aktet e njeriut – Ese rreth vlerësimit moral të tyre (1963), ku autori e konsideron si lëshim “mosbërjen” e diçkaje që pritej të bëhej – kjo dhe e paska frymëzuar artistin Arnatt ta shtronte pyetjen e vet si ide përmes veprës tekstuale (konceptuale) në fjalë.
Andrew Wilson [ Referencat: Tate Museums, UK ] sqaron se një aspekt domethënës i punës së Arnatt në atë kohë kishte të bënte me “jo-prodhimin” ose “mosbërjen” (mosangazhimin) si një formë e praktikës artistike. Për ekspozitën “Struktura Idesh” (Londër, 1970), ai e paska prezantuar veprën tekstuale
“A është e mundur për mua t’mos bëj asgjë si kontribut artistik i imi në këtë ekspozitë, krahas Vetëvarrosjes 1969” (“vetevarrosja” ishte po ashtu një vepër tij, 9 foto ku ai gradualisht vetëvarroset, ashtu duke qëndruar në këmbë).
Më vonë, po atë vit Arnatt (mbase për ndonjë ekspozitë tjetër) i paska dërguar dikujt një kartolinë, ku paska shkruar: “vendimi për t’mos bërë asgjë si vepër arti për një periudhë të pacaktuar kohore është vetë vepra artistike (vepra pushon së ekzistuari sapo të ketë ndodhur prodhimi i një vepre të mëvonshme).
* lëshimit – në kuptimin e mosbërjes, lënjes pas dore, mosveprimit, mosangazhimit, pasivitetit të qëllimshëm, harrimit…
* Arti Konceptual – ideja artistike që qëndron prapa veprës është më e rëndësishme (ose koncepti është më i rëndësishëm) sesa vetë objekti final artistik