Zhdukja e Teknologjisë, “fshehja” prapa vetvetes!

(sguraziu – ars poetica, 2016 – koment)

 

Disa dekada më parë kompjuterëve të NASA u duhej një stadion futbolli për të zënë vend. Përndryshe s’mund të ishin “smart”, nëse të vegjël sa një sallë basketbolli pak mençuri u takonte, s’ia vlente. Sot të gjitha shkencat e dikurshme të NASA, dhe shumë teknologji të tjera “extra”, disa herë më të avancuara, mund t’i mbajmë në xhep. Mrekullia vetë!

Ama për fat të keq, sado janë miniaturizuar teknologjikat e kohës sonë, as sot ende s’kemi si i fshehim gjërat, s’kemi si t’i bëjmë të padukshme. Madje as nuk duam t’i fshehim, përkundrazi, duam që të krenohemi me aparatet e shtrenjta që i blejmë. Totalisht e kuptueshme dhe afërmendsh, vallë ç’do na duhej iPhone, apo robot-automobili ynë i cili thuase i lexon mendimet tona, na vozitë, na i hapë dyert, na e mban shampanjën të ftohtë etj etj… nëse t’mos e dinte askush që i kemi? Jo pra, do ishte nonsens, gjithkush duhet ta dijë se kemi iPhone të mençur.

Mirëpo, bie fjala do bëheshim gazi i botës nëse futemi në dyqan dhe blejmë një të dashur robotike, diç si kukullë robotoide e cila sipas fabrikantit s’di të gatuajë ama është shumë e zonja në shtrat, gjithë lagjia do spekulonte se na ka lënë mendja 🙂
Gjithsesi, sipas ekspertëve rreth avancimeve të së ardhmes, ca më tutje kah futurizmi edhe këso “luksozitete” do jetë e mundur të fshihen, do t’jenë të dukshme apo të padukshme, sipas tekave e qejfit të pronarëve.

Ka të ashtuquajtur “futuristë”, njerëz që i studiojnë trendet dhe arritjet teknologjike, si dhe ndërlidhjen e këtyre zhvillimeve me “antropologjikat”, me organizmat socio-politikë etj. Sipas ekspertëve të futurizmit (kam përshtypjen të tillë janë diç si shkencëtarë, teoricienë të shkencave por ama dhe vizionarë të mprehtë, pajisur me vizionet futuristike të tipit a la Isaac Asimov), ndëraktiviteti superior me teknologjinë na e mundëson të përmirësohen shumë gjëra të jetës sonë. Jo vetëm të jetës private por dhe shoqërore në shkallë masive. Psh. avancohet procesi mësimor, përparohen procedurat dhe shërbimet mjekësore, avancohet trajtimi i sëmundjeve etj. etj.

Ata thonë se gjithçka në të ardhmen do duhej të ishte më e lehtë për përdorim dhe integrim, meqë aparaturat do t’jenë një lloj “hibridizimi” tekno-natyral. Andaj duhet ta kemi për zemër bujën e sotme, euforinë, garën për prestigj, për supremaci, duhet t’kemi mirëkuptim rreth çapitjes teknologjike e shkencore. Sipas tyre s’është nevoja t’kemi frikë nga trazimi i “balansit me natyrën” pasi është supozuar që teknologjia të “fshihet” disi prapa vetvetes, të bëhet pothuaj e padukshme… duke qenë njëkohësisht pjesë integrale e çdo gjëje.

Ngjashëm si të mundësosh që pemët me gjethet e tyre natën të bëjnë dritë, diten merren me fotosintezën… ama me marifetet nanoskopike ua “kërkon” që natën të bëjnë dritë. Dhe kjo është e mundur, natyrisht, pasi që kemi të bëjmë me struktura të manipulimit nano-shtresor të materialeve, ose dhe me manipulime të materies në nivel molekular – thonë ata.

Nanoteknologjia molekulare nënkupton ndërtimin e strukturave të ndërlikuara, duke manipuluar specifikat atomike me anë të mekanosintezës. Asgjë s’do jetë e dukshme për “syrin” ama dhe vetë fibrat e fanelës sonë do jenë të “mençura”, do dinë si t’ia bëjnë me djersën nën sqetullat.
Nga ana tjetër fuqia e nevojshme procesuese (kompjuterike) nuk do jetë në pyetje, pasi që do kemi mjete shumë herë më të avancuara nëpërmjet kuantum-teknologjisë…