Festat religjioze të Romakëve (1)

(sguraziu – ars poetica, dhjetor 2019)

Fontinalia (Festat religjioze të Romakëve)

…festivali romak i fontanave dhe burimeve – piktori italian Emilio Vasarri në veprën e vet ka paraqitur detaje gjoja nga qyteti antik i Pompeit, një skenë madhështore e klasicitetit me temën rreth festivalit Fontinalia – festë për nder të Fontusit, perëndisë romake të puseve dhe të burimeve, gjatë festës burimet zbukuroheshin me kurora lulesh apo dhe me degë të bukura…

[ piktura: Emilio Vasarri (1862-1928) – Fontinalia: Festa e Burimeve ]

Emilio Vasarri (1862-1928) – Fontinalia: Festa e Burimeve

 

Bakanalia (Festat religjioze të Romakëve)

…festë të shijosh verë deri sa të dehesh, deri sa t’kalamendesh e të shembesh, ku mund ta “çlirosh” çdo instikt deri jashtë kufijve të imagjinatës – andaj dhe sot e kësaj dite “bakanalia” ka ngelur diç si një lloj “miti” (paçka se ishte festë reale), shumë historianë festën e përshkruajnë si një mënyrë për ta gëzuar lirinë seksuale (që përceptohej në atë kohë si “liri e natyrshme”, si psh. praktikimi i homoseksualizmit pa paragjykime), dhe gjithçka maskohej si “festë” në mënyrë që t’u shmangeshin gjykimeve të “moralistëve” të kohës – të tilla festa ishin ahengje për nder të Bakusit (perëndisë romake të verës – ekuivalenti grek ishte Dionisi), organizuesit e ceremonisë quheshin “bakantë”, ndërsa kuptohet, pa bakanteshat festat e verës sikur dhe s’do kishin kuptim : ) – derisa në mitologjinë greke shërbëtoret dhe pasueset e Dionisit njiheshin si Menadat, në versionin romak ato njiheshin si Basaridat, si Bakeshat ose Bakanteshat – gjithsesi të festosh për nder të perëndisë së verës, dhe ku alkoholi do t’konsumohej deri në alivanosje, natyrisht që nënkuptonte dehjen dhe zgjimin e të gjitha instinkteve bazike, kështu që festat shoqëroheshin me orgji, me shthurje të pakufizuar e madje dhe me vrasjet…
(sguraziu)

[ …duke lënë anash festivitetet e grekëve të lashtë, sipas fjalorit të William Smith (1875) ato të Romakëve ishin si vijon (emrat: latinisht) ]
– – –
Feriae – Agonalia – Augustalia – Armilustrium – Bacchanalia – Carmentalia – Cerealia – Charistia – Compitalia – Consualia – Decennalia – Equiria – Floralia – Fontinalia – Fordicidia – Fornacalia – Furrinalia – Hilaria – Juvenalia – Larentalia – Lemuralia (Lemuria) – Liberalia – Ludi – Ludi Apollinares – Ludi Honorarii – Ludi Saeculares – Lupercalia – Matralia – Matronalia – Meditrinalia – Neptunalia – Novendiale – Palilia – Populifugia – Portumnalia – Quinquatrus – Quinquennalia – Quirinalia – Regifugium – Robigalia – Septimontium – Terminalia – Vinalia – Vulcanalia
– – –

Veneralia (Festat religjioze të Romakëve)

…kulti Venus Verticordia – Veneralia – festë e lashtë romake që festohej me 1 Prill (hm, koinçidon me “ditën e gënjeshtrave” sot 🙂 për nder të Venus Verticordia dhe Fortuna Virilis. Venus Verticordia ishte një epitet i perëndeshës romake Venera (Venus), epiteti aludonte në aftësinë e perëndeshës për t’i ndryshuar zemrat nga veset për epshe… në dëlirësi të dashurisë, dhe kjo ishte e nevojshme meqë gjërat dhe janë të “lidhura” zinxhir, apo jo – nëse do instalohej diku një statujë e perëndeshës Venera, do t’i kushtohej një femre të re të sjellshme, nga këshilli i matronëve romakë do zgjedhej një bukuroshe me zemrën më të pastër, një femër më “pudicia” (seksualisht e pastër), gjërat me Romën e lashtë s’kishin vajtur dhe aq mirë, (rreth 200 vjet p.e.s.) sa i përket moralit romakët në shumë drejtime ishin prishur e degjeneruar, po ashtu këshillat që vinin nga “katalogu Sibilina” (i grekëve të sprovuar) s’duhej injoruar, andaj qe krijuar kulti Venus Verticordia – sepse dhe kishin ndodhur një seri incidentesh që e rrisnin pakënaqësinë hyjnore ndaj sjelljeve seksuale të romakëve (incidentet i përfshinin madje dhe tri Virgjëresha Vestaliane, ndërsa dihet se ishte skandaloze, paturpësi e pafalshme për Romën, assesi s’duhej të mashtroheshin virgjëreshat, virgjëria e tyre ishte e shenjtë, virgjëria e tyre dhe flaka që s’duhej ta linin të shuhej ishin bazamenti… pra nga Virgjëreshat e Vestasë varej vetë ekzistenca e Romës, assesi s’duhej ta humbnin virgjërinë, pasi rrezikohej vetë Roma…

* Pudicia – koncepti kryesor rreth etikës seksuale romake, virtyt i personifikuar nga perëndesha Pudicitia (ekuivalenti grek ishte Aidos). Termi vjen nga “pudori”, ndjenja e turpit që rregullonte sjelljen e një individi, sjellje që do ishte në akord me normat… ose e pranueshme nga shoqëria. “Pudicia” zakonisht ishte si karakteristikë përcaktuese e femrave, ama dhe meshkujt që s’ia dilnin ta frenonin veten (që s’arrinin t’u bindeshin normave seksuale) thuhej për ta se shfaqnin “impudicitia” (paturpësi femërore seksuale).

* Fortuna Virilis – në besimet e romakëve Fortuna Virilis ishte një aspekt i perëndeshës Fortuna (perëndeshë e fatit, e administronte gjithë fatin dhe pafatësinë e njeriut) – Fortuna Virilis ishte kult që ndiqej a respektohej vetëm nga femrat.

* Orakujt Sibilina – koleksion i parashikimeve ose profecive orakulare, profeci që u atribuohen Sibilave (të grekëve), dmth. profeteshave të shpalljeve hyjnore… teksa përhumbur në një gjendje “transi”.

[ ngjitur: perëndesha Venera (Venus) në një kuadrigë elefantësh – afresk romak gjetur në “Officina di Verecundus”, Pompei ]