“Shqiptarët” (Mozaik, Tiranë), 1980

Justin Droboniku, Vilson Kilica, Anastas Kostandini, [ Agim Nebiu ], Aleksander Filipi – “Shqiptarët” (Mozaik), 1980

…mozaiku në ballin e Muzeut Kombëtar është aq i madh sa për t’u mburrur, ka përmasa “kolosale”, një vepër për lakmi, vepër monumentale dhe shumë domethënëse pasi e kapërthen gjithë luftën e kombit shqiptar për t’u konsoliduar si komb e për t’u mëkëmbur ndër shekuj, e kapërthen luftën shekullore të mbijetesës, që nga Skenderbeu, ose më mirë të thuhet që nga romaket (dmth. që nga mijëvjeçari bizantin), tutje gjatë shekujve të shtypjes nga Perandoria Osmane, pastaj… Rilindjen, shpalljen e Pavarësisë, e deri tek çlirimi nga okupatoret e fundit të historisë… nga ata italianë e gjermanë, mozaiku madhështor i “mbulon” jo më pak por 400 m², afërmendsh s’ka qenë i lehtë as punimi i tij dikur por dhe sot s’ështe fare e lehtë mirëmbajtja, bie fjala për sheshin (dhe gjërat kyç rreth e rrotull) është investuar disa herë, planet e sheshit janë rrotulluar herë ashtu e herë kështu, ama për konservimin e mozaikut s’është investuar asnjë lek – përvec 1 rasti të vetëm, ka 1 përjashtim, por dhe atëherë ishte për “ndryshimin” e tij, tani ndoshta shumkush ka “harruar”, origjinali dikur e kishte 1 yll të madh në flamurin dhe i cili qe larguar me pretekstin “depolitizues” – sipas M. Harrison (“Left side of the road”) ishte pikërisht njëri nga artistët e origjinalit, Agim Nebiu i cili e pati “tradhtuar” Realizmin Socialist (e ndoshta dhe gjithë ideologjinë enveriste) dhe e pati “zhdukur” yllin, sipas Harrison-it akti i Agim Nebiut ishte i pafalshëm (dmth. i pafalshëm nga historia e Soc-Realizmit si art, dhe nga ajo e “enverizmit” si histori) – natyrisht qenkesh paguar mirë, Nebiu atëbotë e paskësh marrë një shumë të majme nga qeveritarët, sipas autoriteteve shqiptare të kohës dhe sipas Nebiut operacioni i “yllit” ishte thjesht një lloj “korrekture” e mozaikut…
(sguraziu – ars poetica, dhjetor 2019)

– – –

NË SYTË E TU, NË SYTË E MI
S. Guraziu, 2010 (Skicë poetike)

Në ballin e muzeut sikur është stampuar pigmenti ynë, në gurëzit e mozaikut anomalia gjenetike e ngjyrave moderne, nga ajo përspektivë dhe vetë largpamësia sikur flet për faktin e shkurtpamësisë artistike, ngjyrat vetëm energji e burgosur janë, në thelb një fenomen çuditërisht i ftohtë. I vetëdijshëm sot për “leksionin artistik”, mozaiku e përcjell mesazhin historik, pandalë na flet, nuk pushon, sigurisht s’do ndalet kurrë, edhe nëse ngujuar në ndonjë bodrum, gjithmonë do na drejtohet si një kritik i rreptë – Ty: qielli yt është lumturisht i kaltër dhe fare qiellor, ndërsa Mua: – i yti i kuq, spektër holistik-mendor i përmbysur, konflikt poetencial brushash, “qualia state” e qenies…

Sipas tij, që nga ngjizja e mozaikut të frymimit tonë, Unë dhe Ti u rritëm njësoj, tmerrësisht njësoj, analogji cullake, por realisht nëpër dhoma të ndryshme gjumi; e jotja me gjithçka e kuqe, mbushur lodrash “rozë”, ngrohtësi puthjesh, frymëmarrja jote më e pastra, ai “aircondition” virtual atëherë ishte aq natyral (për ty më efikas sesa sot gjithë kondicionerët së bashku nëpër façadat laramane të Tiranës), ishte kondicioner i frymëmarrjes me kushte, kondicioner i pagandës njëngjyrëshe për të vërtetën e ngjyrave të ylberit – ndërsa e imja… mos pyet, kaltërsisht e ftohtë, si ndonjë dhomë çunash, me mure të kaltra, lodrash kaltroshe, dhe njësoj reprezentativisht e pastër, si dhomë kristalesh zhytur në blunë e Jonit…

Mirëpo kot, ngjyrat po ashtu vetëm iluzion janë, mozaiku e di, sytë e Tu, sytë e Mi, gjithë sytë e botës dritën e përthithin njësoj, si për inat njësoj, në pikë të ditës ia vjedhin verbërinë Diellit, prandaj ky spektër i përmbysur “celare”, në kokën tonë kryeneçësi aspak artistike, akoma dhe sot e kësaj dite… funksionalizmi versus ylberit të gjallimit, hipokrizia kundër ngjyrës së vërtetë të qiellit.

[ Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë (Mozaiku i fasadës) – Foto origjinale nga Dritan Mardodaj (Detaj), via Wikipedia ]