Një “puthje fisnike” si trill, dhe dy-tri “zonja të pamëshirshme” pikturale!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2020 (Pak fjalë…)

[ Edmund Leighton (1852-1922) – Alain Chartier, 1903 ]

Siç e shohim në pikturën e Leighton, subjekti piktural na “flet” për një puthje fisnikësh. Historia e puthjes së famshme dhuruar gjoja poetit Alain Chartier nga princesha Margaret (Margarita) e Skocisë, mjaft shpesh e paraqitur nëpër pikturat e ndryshme si dhe nëpër krijimet letrare, thuhet se është “histori mitike”, s’ka vërtetësi historike të puthjes në fjalë.
Sepse realisht ajo s’paskësh qenë në Francë deri në v.1436, kur dhe do martohej, ishte vetëm 11 vjeç. Poeti Chartier tashmë kishte vite që kishte vdekur – në v. 1430 kur ai pati vdekur Margarita ishte 5 vjeç.

Martesat mbretërore mesjetare pothuaj gjithmonë ishin politike, tepër rrallë e fare… ndodhte ndryshe. Margarita (1424-1445) do vinte në Francë si vajzë 11-vjeçare për t’u martuar, burri i saj Luigji do ishte 13 vjeç, do ta takonte vetëm 1 ditë para martesës, dasma do ishte të nesërmën, një nga ditët e Qershorit 1436. Martesa e tyre ishte aso e “pafat”, ajo do vdiste në lulen e rinisë, ishte vetëm 20 vjeç. Pra e qartë, të dhënat historike thonë s’ka patur “puthje” për Chartier. Askush s’ia ndalonte imagjinatën letrare a poetike, mirëpo faktet historike janë diç tjetër.

Alain Chartier (1385-1430) ishte një poet francez dhe shkrimtar, njëra nga veprat e tij të mirënjohura është “La Belle Dame sans Mercy” (Zonja e bukur e pamëshirshme – poemë e cila besohet t’jetë shkruar rreth v. 1424). Në poemën e tij Chartier na flet për një “dashuri fisnike”, për një dashuri “kalorsiake”, aso dashurish fisnikërisht, a la mbretërisht. “Dashuritë fisnike” ishin një koncept letrar mesjetar (koncept letrar i dashurisë) që e theksonte fisnikërinë dhe kalorësinë.

Letërsia mesjetare është e mbushur me kalorës që niseshin gjithandej për “aventura”, kalorsiakët trima do ndesheshin me lloj-lloj antiheronj, me përbindësha e me “mullixhinj”. Prore të devotshëm, me besnikërinë e paluhatshme kryenin vepra e shërbime të ndryshme për zonjat a princeshat, shtyer pra nga “dashuria e tyre fisnike”.
Ky lloj i dashurisë fillimisht pati qenë si trillim letrar enkas për argëtimin e familjeve fisnike, dhe të oborrtarëve aneskaj Evropës, por me kalimin e kohës idetë për dashurinë do ndryshonin dhe do ta kishin një lexueshmëri më të madhe. Dmth. me aventurat kalorsiake të fisnikëve do njiheshin dhe lexuesit jofisnikë (shkurt, të gjithë ne të tjerët lexues, nga Mesjeta e këndej : )

Për t’i kuptuar “dashuritë fisnike” më mirë, si qasje përtallëse mbase do na ndihmonte ironia letrareske “donkishiteske” e mëvonshme. Kishoti ishte diç si përtallje (me të gjitha aventurat e “fisnikëve” dhe me romanet kalorsiake pararendëse), pra thjesht duhet ta kujtojmë Don Kishotin e Servantesit. I ngrati Kishot s’do ia bënte as “gëk” pa ëndrrat e imagjinatat, pa “dashurinë aq fisnike” ndaj Dylçinesë. Jo ashtu kot Servantesi qe vërtitur rreth këtij “thelbi” të fisnikërisë kalorsiake.

Siç e dimë, “Kishoti…” i Servantesit është vepra më me ndikim e kanonit latino-letraristik, ujdisur e rehatuar si “gurthemel” i rëndë i letërsisë perëndimore, cilësuar shpesh dhe si “romani i parë modern”, e madje ndonjëherë dhe si vepra letrare më e mirë e të gjitha kohërave, padyshim me shumë të drejtë.

[ po i ngjes dhe ca “zonja të pamëshirshme” pikturale (si rastësi pikturat e “2 Frankave”), pikturën e Frank Cowper, dhe atë të Frank Dicksee : ) ]

[ Pikturat ]

Frank C. Cowper (1877-1958) – Zonja e bukur e pamëshirshme, 1926

Frank B. Dicksee (1853-1928) – Zonja e bukur e pamëshirshme, ~1901