“Pasurimi” i Standardit (të Shqipes)

Një Shtet i tërë “flasin ndryshe, shkruajnë ndryshe”!
(s. guraziu – ap, n 2022 – koment)

…shqiptarët nuk nëpërkëmbin gjë, e respektojnë standardin dhe frutat e standardishtes se dekadave – me gjithë respektin e pafund akademik, profesional e intelektual, them se ndoshta dhe vetë z. Prof. Lafe, edhe z. Lloshi dhe gjithë Shqipëria komplet, duhet të mendojnë akoma më “thellë” (nëse e mundur), duhet shoshitur mirë gjërat, Shqipja s’është vetëm e “ekspertëve” të 72-es por është e popullit, e kombit, pse duhet ngutur, pse duhet me “mostrat” e vjetra, me mendësinë e dikurshme, me diktatet (gjoja akademike), me “tharmin” e së kaluares…

…sipas meje, opinioni i skanuar i autorit Xhevat Lloshi (“Gjysmë shekulli më pas” – lidhur me Standardin e Shqipes, hedhur këtu në Alb-spirit) është thjesht 1 OPINION më tepër, sikur që eshtë dhe i IMI, sikur që janë qindra dhe mijëra opinione të ndryshme nga dashamirët e Shqipes – nëse opinioni i Xhevatit mund të publikohet madje dhe si LIBËR, atëherë shpresoj që as opinioni im (dhe as mijëra opinionet e shqiptarëve anembanë) nuk do “censurohen” (para disa ditëve e lexova madje dhe 1 opinion të z. Skënder Buçpapaj, nga Zvicra, dhe plot të tjerë artikuj po ashtu, psh. dhe artikullin e z. Prof. Emil Lafe, “Vlerat Historike të Kongresit të Drejtshkrimit”)…

…pajtohem me gjithçka që e paska cekur Xhevati, z. Lloshi (sepse e qartë, persiatje dhe artikulacione të qeta, dashamirëse, konstruktive) – PËRVEÇ nuk pajtohem me paragrafin si vijon: (ndjesë, përdora OCR – Optical Character Recognition – për ta skanuar tekstin e tij, meqë ishte postuar si “foto”, germat mund t’jenë çoroditur)

(cit.) “Ata qé duan të kthenet shqipja në gjithfarë variantesh pérbéjn’é njé pengesé té v‘érteté kundér pérparimeve, domethéné jan’é regrcsivé, domethén’e’ duan qé të pérftohet njé lémsh, kur té jeté puna pér té pérkthyer nga gjuhét e huaja me ndihmén e cmuar qé jep teknologjia moderne. Dhe anasjelltas, a do t’ia dérgojmé Brukselit tekstet e nevojshme né tri variante té shqipes? Ata té cilét duan ta lékundin standardin, qe pastaj tinézisht ta zévendésojné me ndonjé té folme té katundit té tyre, jané pér vete né kufijté e lékundjeve mendore, né kufijté e absurditeteve.” (fund i citatit)

…nuk pajtohem z. Lloshi, sepse s’ka asgjë TINËZARE, psh. Kosova 1 shtet i tërë “flasin ndryshe, ndërsa shkruajnë ndryshe”, më HAPTAS se kaq si! shqiptarët nuk nëpërkëmbin gjë, e respektojnë standardin dhe frutat e standardishtes se dekadave, nuk pajtohem sepse NUK është fjala për “LËKUNDJE” të standardit (siç jeni shprehur Ju), kosovarët flasin gegnisht, i kanë 1001 nëndialekte e nuancash, secili katund pothuaj diç si “unikalitet gjuhësor”, por ama me gazeta, me media e me gjithçka zyrtare e respektojnë standardin. Dhe kjo është aq bukur – apo jo, kush mund ta mohojë këtë RESPEKT madhështor, është respekt ndaj vlerës kombëtare dhe të arriturave, është akt kulturologjik…

…nuk pajtohem z. Lloshi, sepse s’është vetëm përshtypje, mund t’jetë fakt i “madh” (uroj të jetë fakt i vockël – derisa EU për hesapet administrative të veta pa asnjë problem i përdor të gjitha gjuhët zyrtare të Evropës – sipas meje, Shqipja ka dhe tjera probleme madhore) shqipja ka mjaft probleme me ndjekjen e avancimeve “shkencore” të botës, me ndjekjen e termave të panumërt që lindin në gjuhë-kulturat e huaja. E natyrshme që Shqipja s’mund ta ndjek zhargonin e miliona shkencëtarëve, fjalorin e gjithë aspirantëve të kësaj bote tek i publikojnë teoritë, opinionet, teoremat, tezat e tyre shkencore në panumër revistash e publikimesh…

…vetëm brenda muajit, me dhjetra-mijëra libra e vëllime shkencore publikohen anembanë në gjuhët e mëdha, si anglishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rusishtja, gjermanishtja etj. Fare e natyrshme, e vështirë për t’i ndjekur me miliona fjalë të reja e terma, dhe për të qenë i sinkronizuar sa më përputhshëm me terminologjinë…

…është dhe ana tjetër, shkrimet akademike ashtu-kështu janë komplekse, të “rënda” e të vështira. Padyshim komplekse janë dhe shkrimet e sferës akademike shqiptare. S’është nevoja t’u ipet “shija” e koklavitjes akoma më tepër me lloj-lloj “shqipëzimesh” ad hoc nga literatura e huaj…

…termat e tillë të shqipëzuar (shqipëzim troç i anglishtes) thjesht nuk tingëllojnë “shqip”, sikur gjuhës ia japin një tingullimë totalisht ndryshe e të largët, vende-vende shqipëzimet e tilla duken madje dhe qesharake. Sikur dhe vetë gjuha ordinere “vështirësohet”, sikur ajo vështirësia e “mëtimit shkencor” vetvetiu bëhet akoma më e rëndë për ta kuptuar e përthithur. Sepse tekefundit “shkenca” s’është diç më tepër sesa përceptim – këtë na e pati thënë vetë ai Platoni i mençur i lashtësisë.

…gjuha jonë, Shqipja jonë, aq e para nga vjetërsia në trungun e gjuhëve, dhe tani duke marrë parasysh ndikimin e bagazhit marramendës të termave të huaj (ta zëmë qoftë dhe vetëm nga fusha e paskajshme e fjalorit të Informatikës – duke e “shqipëzuar” anglishten) do na kthehet Shqipja të jetë ndoshta 70% gjuhë e pasuruar me “shqipëzime” akademike – sepse nga vetë ju akademikët “shqipëzohet” anglishtja, në stilin duke thënë e shkruar shqip fjalën konektor = “connector”!

…nuk pajtohem, sepse thjesht “gjysma e Gjuhës” është lënë përjashta, për fat të keq… ke guxim ta mohosh gjysmën e SHQIPES (duke e patur të gatshme, si bagazh, si kulturë, si gjuhësi e si mendësi), ndërsa më “atraktiv” të duket fenomeni i “shqipëzimit” të anglishtes – më falni por s’kam si pajtohem sepse është absurd (sipas meje, kuptohet : )

– – –

S. Guraziu – AP, 10 Shkurt 2020 (Diç si koment, rreth komentit të z. Ullmar Qvick në Fb)

i nderuar z. Ullmar, faleminderit për “lehtësimin” që ia keni mundësuar zemrës suaj, vërtet e dhimbshme që “gjysma e gjuhës” së kombit të ngelet disi përjashta vetë GJUHËS – mirëpo për t’u “lidhur” sadopak me domethënien e komentit tuaj, u dashka të shkruhet më gjatë, si opinion a si koment

…edhe unë (ka dekada tashmë) e pata shprehur idenë e “ndërfutjes së gegnishtes brenda standardit” (jo brenda toskërishtes… por brenda standardit – e kisha fjalën për pasurimin e standardit me vlerat ekzistente të gjuhës), e pata marrë madje si shembull vështirësinë e holandezve për ta “gjetur” një marrëveshje rreth dialekteve e nëndialekteve të 12 provincave, pas shekujsh ndoshta të “negociatave” mezi ia patën dalur në v. 1995 të merren vesh për ABN – Algemeen Beschaafd Nederlands (tani quhet “Standaardnederlands” – dmth. holandishte e “unisuar”)…

…dorën në zemër, shikuar holl e holl për holandezët viti 1995 është relativisht “vonë”, apo jo , ose e kundërta, ndoshta s’është ASFARE vonë, dua të them s’janë të “vonuar” as shqiptarët që t’merren vesh për një unifikim dialekto-logjik të mirëfilltë, siç thashë më lart aq e dhimbshme “gjysma e gjuhës” të ngelet përjashta GJUHËS… ndoshta asnjë shembull tjetër s’do ishte “ilustrim” më i kolorizuar sesa rasti i holandezve, nëse holandezët ia dalin dhe i unisojnë “dhjetra dialekte”, atëherë pse jo dhe shqiptarët, ndoshta s’është aq e vështirë ta provojnë t’i përshkrijnë 2 dialektet e veta, pse t’mos bëhen tok shkollarët, gjuhëtarët, njerëzit me kompetencat adekuate, mbare rrafshnalta akademike… dhe ta pasurojnë standardin me vlerat e njërës nga gjuhët më të vjetra të Evropës…

…e lehtë të respektohet ajo që veç është arritur, shqiptarët nuk nëpërkëmbin gjë, e respektojnë standardin dhe frutat e standardishtes se dekadave – le ta them këtë sa më troç e shtruar, bie fjala Kosova është shtet mëvete (mbase ende aso shteti me “cucëll”… s’i ka bash 100 vjet shtetformim si Shqipëria, ama shtet i mirëfilltë tashmë, e ka madje dhe ushtrinë e vet, nesër ushtria kosovare do kollitet dhe për vetë Evropën e më gjerë… dmth. si forcë e freskët e NATO-aleancës), dhe çfarë desha të them : kosovarët me gjasë janë i VETMI popull “që flasin ndryshe – e shkruajnë ndryshe”, flasin gegnisht, i kanë 1001 nëndialekte e nuancash, secili katund pothuaj është “unikalitet gjuhësor”, por ama me gazeta, me media e me gjithçka zyrtare e RESPEKTOJNË standardin… dhe kjo është aq bukur, është respekt ndaj vlerës kombëtare dhe të arriturave, është akt kulturologjik – njësoj bëjnë dhe holandezët, flasin me dialektet e tyre por holandishtja e UNISUAR është ai bashkimi i shenjtë (që e keni përmendur dhe ju z. Ullmar)…

…kuptohet ka dhe gjërash që s’janë për “lavdërim”, ka dhe elemente të kundërshtisë, të cilat (larg qoftë, por) thuase e vëjnë në “dyshim” konstruktivitetin, homogjenitetin, pozitivitetin, dashamirësinë ndaj gjuhës – përkthyesi i mirënjohur gjerman Hans-Joachim Lanksch (miku i poetit Martin Camaj), qe shprehur:
[ “Në Shqipni, nji pjesë e mirë e toskëve e përdorin tosknishten në vend të standardit, gjâ që mund të vërehet mjaft mirë në radio e televizion, përderisa nji pjesë e mirë e gegëve nuk e zotnuekan mâ plotësisht gegnishten dhe përdorin nji mish-mash gego-standardisht.” ]

padyshim z. Lanksch përveç mish-mashit dhe të tjerave, do ketë menduar edhe për “ë”-në e tepruar, të cilën jugorët insistojnë ta përdorin gjithandej, në TV sidomos, pothuaj s’ka “spiker” a TV-prezentator nga Jugu që nuk thotë: vëndi ynë…, ka qënë… etj etj : )

gjithsesi, si përmbyllje e “murit kinez prej komenti”, ia vlen të theksohet se me PASURIMIN e standardit, dialektet e nëndialektet e trevave shqiptare nuk humbin GJË, përkundrazi, në Holandë njerëzit vazhdojnë me atë gjuhën e ëmbël, me gjuhën që janë rritur e formësuar, me dialektin siç atyre u pëlqen më së shumti, madje është aq e ndieshme kjo çështje, ka të bëjë dhe me krenarinë – aq sa ka aso humoristë (diç si Leci & Cima) që shpesh bëjnë shaka me laryshinë e dialekteve, e kështusoj dhe të “mosmarrveshjeve” ndërkulturore…

ose psh. Doutzen Kroes, top-modeli i famshëm holandez nga Frislanda (njëra nga provincat e Holandës që ka ruajtur “autonominë” ndaj standardit), ajo “engjëllushja e bikinive” të Victoria’s Secret, ajo bukuroshja e reklamave të panumërta të Loreal etj., është fort KRENARE që është nga Frislanda, dhe vepron si ambasadorja e fushatës “Praat mar Frysk”, fushatë që synon t’i bëjë frizianët të vetëdijshëm për dygjuhësinë e tyre, duke e inkurajuar përdorimin e gjuhës AMTARE në vend të holandishtes së “unisuar” – dmth. varianti i standardizuar i gjuhës që mësohet në shkollat e universitetet, dhe përdoret nga qeveria e autoritetet si dhe nga mediat anembanë Holandës, por dhe në Belgjikë, në Surinam, Kuraçao, Sint Maarten dhe në Aruba…

[ Ilustrimi: Antony Gormley – Material i Ndieshëm XIV, 2005 ]

Antony Gormley – Material i Ndieshëm XIV, 2005

 

(komenti në Fb)
https://www.facebook.com/uqvick/posts/10156881621173015?comment_id=10156882132368015