Polifemi ishte “babai” i Ilirëve – sa bukur kur përputhen historirat!

(s. guraziu – ap, n 22)

…siç e dimë një Polifem qe verbuar nga Odiseu, i ngrati ciklop e pati humbur të vetmin sy, ky na ishte Polifemi i Homerit, nga logjika nisemi se Homeri s’e kishte fjalën për Polifemin e Gjigantëve, sepse s’kishte si, qëkur atëbotë as Troja as Olimpianët (zotat e Olimpit) akoma s’ekzistonin – jo, Polifemi i Homerit (do duhej t’na) ishte i biri i Poseidonit, pastaj vetëm 700-800 vjet pas Homerit (ose le t’jenë dhe 1000 vjet), versioni më i besueshëm i Apianit (i grekut të aleksandrizuar, ose romak-izuar, romanizuar) na ishte se Polifemi na qenkesh “babai” i Ilirëve, dhe Galatea nëna e tyre – tani 2000 vjet pas Apianit shqiptarët krenohen se janë pasardhësit e Ilirëve, fort bukur, sidoqoftë sikur po e vrisja mendjen, s’më ka rënë asnjëherë t’i dëgjojë shqiptarët tek thonë se Poseidoni na ishte o “Gjyshi… o Stërgjyshi” i tyre, dmth. pra i bie se dhe Amfitrita, ajo bukuroshja marramendëse e detit, ajo shkumbardha e Jonit dhe e Mesdheut, do ketë qenë “gjyshja” e shqiptarëve, hm sa bukur kur përputhen historirat : )

[ “Grekët i quajnë ilirë ata njerëz që pushtojnë rajonin përtej Maqedonisë dhe Trakisë nga Kaonia dhe Thesprotia deri në lumin Ister (Danub). Kjo është gjatësia e vendit. Gjerësia e Ilirisë është nga Maqedonia dhe malet e Trakisë deri në Panoni dhe Adriatik, si dhe deri në bjeshkët e Alpeve. Gjerësia e vendit është pesë ditë udhëtim dhe gjatësia tridhjetë — kështu thonë shkrimtarët grekë. Romakët e matën vendin dhe zbuluan se gjatësia ishte mbi 6000 stade ndërsa gjerësia rreth 1200 stade.
Thonë se vendi emrin e ka marrë nga Iliri, i biri i Polifemit; pasi ciklopi Polifem dhe gruaja e tij Galatea i kishin tre djem, Keltin, Ilirin dhe Galasin, të gjithë të shpërngulur nga Sicilia; dhe kombet e quajtura Keltë, Ilirë dhe Galatas (Galatianë) e morën origjinën prej tyre. Mes shumë miteve që mbizotërojnë ndër popujt e shumtë, ky (version) më duket më i besueshmi. ” ]
[ Apiani – Luftrat Ilire, Kapitulli I (Ekstrakt nga “Appian, The Foreign Wars” – Horace White, New York, 1899 ]

***
Apiani i Aleksandrisë (~95 – 165) ishte një historian grek me qytetarinë romake, jetoi e punoi gjatë mbretërimit të perandorëve Trajan, Hadrian dhe Antoninus Pius. Vepra e tij e njohur në latinisht si Historia Romana është shkruar në greqisht, në 24 vëllime. Kjo vepër i ngjan më shumë një serie monografike sesa një historie të lidhur. Ai jep një përshkrim të popujve dhe vendeve të ndryshme, deri në përfshirjen e tyre në Perandorinë Romake. Thuhet se për historianët vepra është mjaft e vlefshme, veçanërisht për periudhën e luftërave civile.

Vepra tjetër e ruajtur e Apianit është “Luftrat e Huaja”, më tepër si përshkrim historiko-etnografik që na flet për konfliktet e ndryshme të romakëve kundër armiqve të huaj, deri në kohën e Apianit. Janë ruajtur dhe disa fragmente të vogla, ndër tjerash tekste edhe “Luftrat Ilire”, i përshkruan konfliktet e romakëve ose peripecitë e tyre kundër ilirëve. Saherë t’jetë fjala për tekste, libra, histori, rrëfime… lidhur me “Ilirët”, pothuaj s’ka autor që s’e permend Apianin tek referencat bibliografike…

Sidoqoftë, derisa shkrimet e Apianit (ndër librat e tij) i mbulojnë rreth nëntë shekuj dhe popuj të ndryshëm, megjithatë burimet e tij mbeten të pasigurta. Pasi si kronist ai rrallë ose dhe fare nuk i përmend burimet, aty-këtu shprehet si përgjithësim “grekët thonë”… dhe aq. [ Librat e tij në greqisht e në aglisht mund të gjenden psh. në “Perseus Catalog” (perseus.tufts.edu) – edituar nga Horace White, 1899, nga ku është dhe kjo referencë e imja, por dhe në vende tjera, në linjë ]