Skepticizmi i Kantit, dhe “inteligjenca” e femrave!

(S. Guraziu – Ars Poetica, 2015 – Koment)

Femrat kurrë s’mund ta mësojnë gjeometrinë” – Immanuel Kant (1704-1824)

(Hipatia e Aleksandrisë, lindur rreth v. 350-70 të e.s. në Aleksandri, Egjipt, rreth v. 400 të e.s. qe bërë “avangardistja” e filozofisë antike, “pararoja intelektuale” e Shkollës Platonike – Pas vdekjes së Hipatisë shkenca e matematikës ngeli në vend për më shumë se dymbëdhjetë shekuj… )

***
Pothuaj gjatë gjithë historisë së njerëzimit mendohej se femrat mund të përvetësojnë diç që është konkrete si njohuri, mirëpo, ngjashëm si fëmijët, ato e kanë një ndjenjë a prirje të natyrshme “neverie” për çdo gjë që është abstrakte. Femrat kanë aftësi për të diskutuar detaje dhe për t’u marrë me një mal të dhënash, por ndjehen të zhgënjyera nga inteligjenca kur përpiqen të përgjithësojnë ose të merren me gjeneralizime universale.

Ndoshta ishte pikërisht ky “mentalitet” a mendësi ku bazohej dhe Kanti, sa i përket “skepticizmit” të vet. Ai përveç mençurisë se “shkenca është njohuri e organizuar, urtësia është jetë e organizuar”, Kanti e pati shprehur dhe “rezervën” e vet sa i përket “inteligjencës së femrave”, ai pati shkruar si vijon:
“Të gjitha spekulimet abstrakte, të gjitha njohuritë e thata, sado të dobishme që mund të jenë, duhet t’i lihen mendjes së palodhshme dhe solide të burrave… Për këtë arsye, femrat kurrë s’mund ta mësojnë gjeometrinë”.

Natyrisht, unë kurrë s’jam “pajtuar” me opinionin e Kantit 🙂 – e si mund të pajtohesha! Psh. mendoj që Hipatia e Aleksandrisë është “dëshmia” më e hershme dhe mjaftueshëm solide për t’i hedhur poshtë të gjitha opinionet a la “kantiane” të kësaj bote. Por nuk jam i vetmi të mendoj kështu, kuptohet!
Autori H. Mozans (pseudonim i John Augustine Zahm), një shekull më përpara shkruante:

“Pas vdekjes së Hipatisë shkenca e matematikës ngeli në vend për shumë shekuj të gjatë… asnjë progres i mëtejshëm nuk është bërë në shkencat matematikore nga baza e mësimeve të Hipatisë, deri në kohën e Njutnit, Laibnicit, Dekartit, më shumë se dymbëdhjetë shekuj më vonë.” –

Më poshtë disa perla filozofike të Hipatisë së Aleksandrisë, perla të mendjes së saj si feksime pothuaj para 2000 vjetëve… dhe që, edhe sot e kësaj dite s’mund të “kontestohen” nga filozofia moderne.

– – –
Jeta është diç si vetëshpalosje, sa më tej udhëtojmë aq më shumë vërtetësi kuptojmë. Duke i kuptuar gjërat në pragun e derës sonë është përgatitja më e mirë për t’i kuptuar ato që janë përtej.”

– – –
E vërteta nuk ndryshon as nëse si e tillë besohet, apo nuk besohet, nga shumica e njerëzve.”

– – –
Përrallat duhet të mësohen si përralla, mitet si mite dhe mrekullitë si fantazi poetike. T’ia mësosh dikujt bestytnitë si të vërteta është gjëja më e tmerrshme. Mendja e një fëmije i pranon dhe i beson ato, dhe vetëm nëpërmjet dhimbjes së madhe dhe ndoshta tragjedisë fëmija mund të lirohet pastaj prej tyre.”

– – –
Njeriu do t’luftojë për paragjykimin po aq shpejtë sa për të vërteten aktuale, shpesh akoma më ngutshëm, pasi paragjykimi është aq i paprekshëm sa bëhet i paarritshëm për ta hedhur poshtë, por e vërteta është një pikëpamje, prandaj është e ndikueshme për ‘ndryshime’.”

– – –
Dikush që ia del të ndikojë në mendimin e kohës së vet, ndikon dhe në të gjitha kohët që pasojnë. Ai i ka bërë “përshtypje” vetë përjetësisë.”

(Përgatiti S. Guraziu – Ars Poetica, 2015)