Miti ovidian i Narcisit – Bukuria dhe “veset” narcisoide!

S. Guraziu – Ars Poetica, Q 2017

(pak fjalë lidhur me bukurinë dhe “veset” narcisoide, diç si “frymëzim” i shkurtër nga piktura e Waterhouse, “Ehoja dhe Narcisi”)

Piktura: John W. Waterhouse (1849-1917) – Echo and Narcissus, 1903

Bukuria “fle” në syrin e vrojtuesit – thotë një urtësi, dhe kjo i bie dmth. që përceptimi i bukurisë është subjektiv. Ndoshta dhe vetë Narcisi dikur mendonte se “rrënjët e kësaj thënie mund të kenë lindur në mendjen e të shëmtuarve”. Edhe sot e kësaj dite disa bukuroshër, sidomos filozofë të bukur, pohojnë: “…është thjesht justifikim i të shëmtuarve”.

Në rregull, mund dhe të pajtohemi. Por kjo ndoshta nuk është e vërtetë, pasi miti i “Ehosë dhe Narcisit” padyshim ishte shpikje origjinale e Ovidit, në “Metamorfozat” e tij. Kjo poemë narrative e poetit romak, duke kapërthyer rreth 250 mite dhe duke u “shtrirë” për së gjati në 15 libra, konsiderohet kryevepra ovidiane, siç ia thonë latinisht “magnum opus”. Nëse Ovidi ta ketë “huazuar” idenë diku, deri sot s’ka asnjë të dhënë.

Pra, sipas Ovidit, Narcisi ishte një djalosh fort i bukur i cili e refuzoi seksualitetin, e refuzoi oreaden jashtëzakonisht të bukur, nimfën Eho dhe ra në dashuri me reflektimin e figurës së vet në liqen. Ai u mbyt në ujë dhe, pasi perënditë mitologjike ishin të fuqishme, e kthyen në një lule që sot e mban emrin e tij.

Ndonëse, shikuar pakëz më holl, për “fundin” e Narcisit, tërthorazi fajet i kishte vetë kryezot Zeusi. Pse? Zeusit (ose Jupiterit, sipas versionit romak ovidian) i pëlqenin fort nimfat e bukura dhe shpesh i vizitonte ato. Mitologjia na thotë se ai thjesht ashtu, si një “valentinian” i pashoq që ishte, vërsulej nga qiejt drejt tokës për ta shuar “dashurinë” pyjeve e lëndinave të Beotiasë. Përfundimisht, gruaja e tij legjitime, Perëndesha Hera (ose Juno, sipas vers. romak), ia filloi me dyshimet dhe erdhi nga Olimpi në përpjekje për të kapur Zeusin tradhtar. Ehoja, duke dashur ta mbronte Zeusin, u ngatërrua me zemërimin e Herasë së bashku me konsekuencat si dënim, sepse e hutonte atë me bisedat e gjata. Kur më në fund Hera e kuptoi, për inat ia reduktoi tmerrësisht mundësinë e të folurit – tutje e ngrata Eho mund t’i thoshte vetëm ca fjalë, s’mund ta zgjaste as një fjali modeste.

Pra, kur (më vonë) Ehoja e takoi Narcisin bukurosh dhe ra në dashuri me të, nuk ishte në gjendje t’i tregonte se çfarë ndjente. Thjesht i shkonte pas, e ndiqte gjithandej e heshtur. E dhimbshme, për më tepër sepse u detyrua ta shikonte atë derisa ai zhytej në dashurinë “tragjike” me vetveten.

Unë për vete të gjitha fajet për vuajtjen e Ehosë dhe për pamundësinë që eventualisht ta ndryshonte rrjedhen e mitit lidhur me fundin e Narcisit, ia mvesh jo imagjinatës së Ovidit, por vetë frikacak Zeusit. Sepse ai duke patur frikë nga Hera, thjesht pati ndenjur strukur në kaçubat, s’guxoi të intervenonte, s’pati zemër ta mbronte Ehonë nga dënimi i gruas së vet. Derisa ajo, përveç dashurisë që ia dhuronte aty-këtu lëndinave të Beotiasë, sakrifikoi aq shumë për të.

Mund ta harrojmë dhe fare imagjinatën ovidiane, nëse dhe vetëm imagjinata piktoriale e mjeshtrit të madh J. Waterhouse ishte sadopak në rregull, prapëseprapë Narcisi konsideronte që Ehoja nuk ishte mjaftueshëm e bukur, çfarë turpi! : ) Ovidi na rrëfen se pas vdekjes së Narcisit, edhe Ehoja filloi të venitej e të tretej. Bukuria e saj u zhduk, lëkura e saj u rrudhos dhe kockat e saj u kthyen në gur. Gjithçka që ka ngelur nga ajo është një “eho” e zërit të saj.

Për të përmbushur disi “egoizmin” e tij, narcisizmin e tij, kotësinë e tij, vetë-dashurinë e tij, vetë-admirimin, vetë-obsesionin… etj. mund të pajtohem me Narcisin fare lehtë (dmth. për justifikimin e të shëmtuarve). Por s’ka shans, s’dua të akordohem me dikë që dashurohet ne vetveten – e si të pajtohem, e pamundur. Sepse çdo gjë e kësaj bote e ka bukurinë e vet, anise jo të gjithë e pikasin atë (e qartë pra, më parë dua të pajtohem me mençurinë e Konfuçios 🙂