Auguste Alexandre Hirsch (1833-1912) – Kaliopa duke e mësuar Orfeun, 1865
(sguraziu – ars poetica, m 2020 – pak fjalë..)
* Kaliopa (mit.) – Muza e poezisë epike, psh. Kaliopa do e frymëzonte Homerin, bardin e famshëm grek, për poemat epike “Iliada”, “Odisea”, por dhe, bie fjala, të madhin Gjergj Fishten tonë për “Lahuten e Malcisë.. etj. etj. Kaliopa ishte perëndesha e muzikës, e këngëtimit, e vallëzimit, por dhe e gojëtarisë (oratorisë, fjalimeve të bukura). Emri i saj do t’thotë pakashumë “zë-bukura” (ose zë-ëmbla, muza me zërin e bukur, nga fjalët “kallos” dhe “ops”). Nga nëntë muzat klasike, Kaliopa ishte më e vjetra, ishte vajza e parë ardhur në jetë nga dashuria e perëndeshës Mnemozina (perëndeshës së mbamendjes) dhe Zeusit.
Kaliopa do ishte nëna e Orfeut, e poetit të pafat (ndoshta i biri i vetë Apollonit). Orfeu e pati humbur dashurinë e vet, gruaja e tij me të cilën sapo kurorëzuar, Euridika, pati vdekur. Por dhe fundi i vetë Orfeut do ishte tragjik. Pas vdekjes së gruas Euridika, ashtu i thyer shpirtërisht, pati abstenuar nga dashuria, do ta refuzonte tutje totalisht seksualitetin. S’mund ta donte asnjë femër tjetër, anise jashtëzakonisht i bukur, dhe zëri i tij aq i ëmbël, mund ta “zbuste” gjithë florën e faunën… Sipas konceptit mitologjik supozohet se vetë Orfeut sot ia kemi borxh lulet, aromën e tyre, panumërsinë e frutave të ëmbël, qengjat, drenushat, mjaulushet lozonjare… secilën kafshë qe ka zbutur njeriu.
I bukur, mirëpo thjesht rrinte “larg” femrave, nuk shfaqte interes për dashurinë e tyre. Dhe shumë nga to s’mund ta “kapërdinin” refuzimin e tij, e merrnin si fyerje të krenarisë femërore, flisnin keq për të. Ato më të inatosurat dhe shpifnin mbase, psh. se Orfeu na eksperimentonte me homoseksualitetin e të tilla. Apo ndoshta dhe kishte vërtetësi në dyshimin e tyre, s’kemi si ta dimë. Se Orfeu mund t’ketë qenë “pionieri” i homoseksualizmit është thjesht “spekulim logjik”, asgjë më shumë, qëkur dhe vetë miti është “mit”.
Gjithsesi, pikërisht për shkak të “namit të keq”, fryer e përhapur gjithandej nga femrat “inatçore”, ashtu në pafajësinë e vet… do t’vritej e copëtohej nga menadat e tërbuara (menadat ishin pasueset, shërbëtoret e Dionisit).
E dashura e tij, Euridika, edhe ajo aq fatkeqe, sapo të kurorëzuar dhe në pritje ta shijonin dashurinë dhe lumturinë e tyre, Euridika qe kafshuar nga një gjarpër dhe do t’vdiste. Orfeu zemërthyer e me dhimbjen pati vajtur madje në Hades (në botën e të vdekurve), duke kënduar e duke u lutur që Euridika të kthehej në jetë. E donte tepër shumë, një shpirt aq i ndjeshëm s’mund ta përballonte pafatësinë e tillë. Këngët e tij dhe elegjiakja e patën mallëngjyer madje dhe vetë Hadesin (sundimtarin e botës së të vdekurve) dhe do ta mëshironte, e kjo do ishte dhe diç si përjashtim.
Mirëpo mëshira e Hadesit e kishte nje “kusht” të cilin Orfeu s’pati mundur ta realizonte. Duhej t’mos ia hidhte sytë të dashurës derisa të arrinin në botën e të gjallëve. Ky ishte kushti i vetëm i Hadesit, sado kusht i vogël dhe i thjeshtë, aty në buzë të suksesit Orfeu do dështonte. I ngrati mbase i dërrmuar shpirtërisht, me gjithë ato vuajtje e dhimbje, i përvëluar nga malli ta shihte dashurinë e vet sa më parë, s’pati mundur të përmbahej… dhe kështu, pas dështimit, shpirti i Euridikes do ikte përgjithmonë.