Nasredini, dhe Njohja e vonuar “zyrtare”!

SG – J 2018 (fjala është për “njohje” si personazh real e historik, njohje “zyrtarisht” 🙂

(më shumë dinë holandezët për Nasredinin sesa unë… )

…nuk e kam ditur kurrë nëse Nasredin Hoxha ishte një dikush real apo personazh i stisur, kam dëgjuar për të si fëmijë nga fshatarët, kam dëgjuar aty-këtu batutash e fabulash fshatareske, disi gjithmonë pandehja se ishte një personazh fiktiv, pasi për t’i lidhur fabulat e anekdotat pothuaj gjithmonë na duhet ndonjë “personazh”, zakonisht e ujdisim ndonjë sosh “neutral”, as i pazot as don kishot, as i shitur as i mërzitur, as i pavlerë as pa karakter, as servil as musketir, më parë asket sesa rob i akëcilit mbret… zot i vetvetes dhe i së vërtetes, em kryeplak em omni-mençurak – në fakt kurrë s’e kam marrë seriozisht : )

…ky holandezi thotë se për Nasredinin në Turqi ka me qindra tituj e lloj-lloj librash për fëmijët – ç’është e vërteta kam parë libra fëmijësh edhe në Kosovë, për Bali Katravellat e për Nasredinat (dmth. para shume viteve), e dija që i sjellin hoxhallarët nga diku larg, një mostër (yrrnek) duhet… pastaj thjesht i shumëzojnë me qindra kopje, si Gutenbergu dikur Biblen… aq sa të nevojiten, sipas kërkesave të librashitësit, ose i ujdisin “tamam tipiklik ozgunluk”, dmth. orgjinale e pa hile… libraxhinj të Përzerenit (Prizrenit – aty jeton “pakica” e madhe e turqve të Kosovës, aty e kanë qendrën dhe parlamentin, meclis kosovalı türkler), mjekërbutë, mustaqehollë e ambicioz të cilët ashtu-kështu gravitojnë rreth xhamijave e medreseve të krye-shehrit, ose lloj-lloj biznismenë e imamë katundesh që hanë tullumba e bakllava me botuesit diku në kryeqytet (s’jam duke pretenduar tani saktësi, por tekefundit kështu pandehja dikur, pa ma thënë askush)…

…s’e kam patur idenë që në Turqi paska madje mauzole për Nasredinin dhe statuja anembanë vendit, po thosha mëvete: mos vallë vërtet të ketë ekzistuar, jo vetëm në përralla por realisht, qëkur me statuja ua kaluaka dhe madhorëve të filozofisë evropiane, kot pandehin gjermanët se ai mustakulushi Niçe na ishte më i mençur (nëse t’ishte aq mençurak s’do lejonin kurrë të ngelej me kaq pak statuja), kot pandehin francezët se filan filozofi i tyre… kot pandeh kushdoqoftë në fakt, qëkur turqit e paskan nderuar Nasredinin më shumë se vetë vizionarin Kemal Pasha, e që i cili më i njohur është me emrin e nderit, Ataturk (babai i turqve), duke qenë dmth. themeluesi i Republikës së Turqisë pas rënies së Osmanlinjve…

…pak fjalë nga holandishtja i ktheva në shqip (shih grafiken ngjitur)…

***
Nasreddin Hoca (shkruar dhe Nasrettin Hoca) ishte një klerik legjendar i Islamit nga Mesjeta. I cili, nëse të ketë ekzistuar, ka jetuar rreth viteve 1218-1284. Ai ishte dhe filozof, për tregimet dhe anekdotat rreth personit të tij është i njohur në Turqi ose realisht në gjithë botën islame. Kjo miniaturë e Nasredinit në një gomar daton nga shekulli XVII dhe ndodhet në muzeun Topkapi në Stamboll.
Për shkak të anekdotave të shumta, në Turqi ekzistojnë me qindra libra për fëmijë, por dhe në Iran dhe vende të tjera muslimane.
Në Turqi skulpturat e Nasredinit mund të gjenden gjithandej vendit, kryesisht mbi një gomar, ndonjëherë i paraqitur në një degë peme.
Për nder të Nassredinit në Aksehirin e Anatolisë së Mesme ekziston një mauzole, dhe çdo vit ndërmjet 5 e 10 Korrikut zhvillohen gjithfarëlloj aktivitetesh festive.