William B Richmond – Venus and Anchises, 1890

William Blake Richmond (1842-1921) – Venus and Anchises, 1890

(S. Guraziu – Kudo që Venera shkelë errësira kthehet në dritë, 2013)
Piktori britanik W. Richmond në tabllon e tij “Venus and Anchises” na e paraqet takimin e Afërditës (ose Venerës, sipas versionit mitologjik romak) me dashnorin e saj tokësor, bariun trojan, Ankhise. Ata takohen gjatë natës në malin Ida. Venera (Afërdita) e veshur me ngjyra të ndezura, si e praruar, ecën në drejtim të Ankhise. Ai, i veshur me një pëlhurë të kuqe, me një harpë në dorë, duket aty nën një pemë ku deri para pak çastesh sikur po priste perëndeshën të vinte apo të shfaqej. Zakonisht, dënimi për vdekatarët, për shpirtrat e “rëndomtë” nëse ta shihnin një perëndi apo perëndeshë ishte të ktheheshin në gur. Mirëpo kjo nuk vlente për një dashnor të vetë Venerës, Perëndeshës së Dashurisë.
Piktura në mënyrë të shkëlqyer figurative sikur e demonstron fuqinë transformuese të dashurisë dhe të bukurisë. Sfondi i pikturës është i errët, në këndin e djathtë shihen përtokë gjethet e zverdhura të vjeshtës, por kudo që Venera shkelë errësira, zymtësia kthehet në dritë, ajo rrethohet nga lule të pranverës dhe ngjyrat e jetës përndizen. Perëndesha paraqitet e shoqëruar nga luanët dhe, në fluturim, nga një grup pëllumbash e harabelash të shpërndarë. Sipas mitologjisë, nga takimet mes Venerës dhe Ankhise, nga dashuria e tyre, pati ardhur në jetë Enea, paraardhësi legjendar i Romakëve.
Thuhet që kjo tabllo pikturale e Richmond të ketë qenë frymëzuar nga një strofë e poetit Shelley (Percy Shelley), nga një poezi e tij me titull “Epipsychidion”.