Kosova dhe Pavarësia – Shtetet “mozomokeq”, vendet e “luhatshme” të botës!

S. Guraziu – Ars Poetica, 3 Mars 2021 – Koment…

(…mbase dhe Kosova duhet t’ia bëjë si Palestina, për inat! S’më njeh ti… okidoki, qebesa tutje as unë s’dua të “të njoh” : )

Dihet se në politikë, mes formalizmit politik dhe joformalizmit ka sa të duash “hapësirë” manevruese. Njohja diplomatike e një shteti është veprim i njëanshëm (unilateral, siç ia thuhet), kuptohet se është hap zyrtar dhe konciz, hap i qartë dhe i kulluar – kur deklarohet assesi s’do duhej t’ketë paqartësi a konfuzion. O e njeh, o (ende) s’e njeh… një shtet të caktuar.

Disa shtete e bëjnë saora, si hapje-mbyllje qepallash, disa të tjera kanë nevojë për “pjekjen” e diplomatikave, u duhet kohë, u duhen dekada e më shumë vjet. Kostarika, pothuaj që nga fundi i botës e pati njohur Kosovën madje përpara vetë Shqipërisë. Shqipëria në derë, s’kishte pse të ngutej, duhet sens… pasi gjithkush e njeh vëllain e vet, ja që Kostarika më e shpejtë. Ende pa e hapur gojën mirëfilli si të “pavarur”, saora telegrami “ju njohim”… sepse shtet i shpejtë.

Mirepo ka dhe shtete të ngadalshme, hapat e tyre i hedhin fare zhagas. Dhe s’ka diç të “keqe” as shpejtësia as ngadalësia, të dyja janë normale, përndryshe dhe politikat do binin ndesh me vetveten : )
Moslëshuarja publike e një deklarate të tillë zyrtare (rreth njohjes) s’do t’thotë domosdo që shteti në fjalë na paska kundërshti për ekzistencën, për pavarësinë, për sovranitetin ose për legjitimitetin qeverisës të palës tjetër. Disa shtete, sipas “praktikës” rutinore të politikave, jo patjetër do e shpallin formalitetin e njohjes zyrtare… Por kjo s’do t’thotë që ato shtete e mohojnë ekzistencën ose relevancën politike të shetit në fjalë.

Akti zyrtar i njohjes është thjesht njëfarëlloj hapi i sinkronizuar me rrethanat (aktuale politike), ngjashëm siç janë dhe shumë gjëra tjera të politikave. Ecejaket e politikave janë të kushtëzuara nga njëmijë-e-një faktorë, nga njëmijë-e-një e rrethana, nga njëmijë-e-një nuanca e probabilistika. Shpesh mund t’jenë ndjeshmëri taktike të momentumit politik, herën tjetër përkujdesje për faktorët e biz-ekonomikave aktuale etj etj.

Po ashtu është fakt se mund t’ketë “pendesë” të mëvonëshme për një diç të deklaruar (kjo dhe na shtyri për komentin tonë). Rreth 15 shtete janë “penduar” që e kanë njohur Kosovën dhe hoooop pas ca viteve deklarojnë se anulohet “njohja”, se njohja e tyre tashmë nuk vlen, se e kanë “tërhequr” njohjen dhe se tutje fjala e së dikurshmes do jetë jovalide, s’do ta ketë as zyrtaritetin as seriozitetin e duhur!

Ç’të thuhet pra, vallë ia vlen të komentohet për shtetet e tilla të “luhatshme”? Mbase s’duhet folur për shtetet e pavendosura, le t’jenë të pavaruara… who cares, politikat e tyre mozomokeq, asnjë fjalë s’duhet. Pendesat e tyre pa pa pa, thua se ngjashëm si kalamajt kur pendohen për faljen e akullores, apo të karameleve, dhe se tashmë duhet të “zhbëhet falja”. Ndonjëherë ia fillojnë si qaralaçër sepse ne ashtu pa të keq thjesht i kemi kullufitur, karamelet janë shkrirë tashmë me gjithë ëmbëlsinë, do i kthenim por ja që s’kthehen : )

S’është për t’u çuditur se politikat janë mjaft të “çuditshme”, bie fjala Izraelin (jo si Kosova “newborn”, e pavarur “vone”, në v. 2008 por para më shumë se 70 viteve, ne v. 1948) ende s’e kane njohur rreth 30 shtete (anëtare të KB). Si për ironi, madje dhe vetë PLO-ja e pati njohur Izraelin në v. 1993. Paçka se Izraeli as dhe sot e kësaj dite s’e ka njohur Palestinën!

Derisa Kosova njihet nga 98 vende, aktualisht Palestina e gëzon njohjen zyrtare nga 138 vende. Shtetet e tjera, njësoj sikur dhe në rastin e Kosovës, ende s’kanë marrë mundin ta njohin Palestinën formalisht.
Pra as Izraeli… në v. 2018 palestinezët megjithatë e patën vrarë “mendjen”, do t’votonin për pezullimin e njohjes së Izraelit. Pse jo, herëdokur, mbase dhe Kosova duhet t’ia bëjë ngjashëm si Palestina, për inat! S’më njeh ti… okidoki, të njoha, të luta e të prita për aq shumë vite – qebesa tutje as unë s’dua të “të njoh” : )

Pra qe votuar, por vendimi (ajo deklarata vendimtare publike, si akt) për çudi ende s’është “fuqizuar” politikisht…
Në portalin shtetëror të Republikës së Kosovës thuhet se Kosova e shpalli Pavarësinë e vet më 17 Shkurt 2008, tutje aty thuhet se sipërfaqja totale (tashmë e shtetit të ri, të pavarur) është 10.908 km² dhe se gjatësia e kufijve të Kosovës me shtetet fqinje është jo më pak por 700.7 km. Me Shqipërinë “fqinjëzohet” përgjatë 111.8 km të kufirit, me Maqedoninë përgjatë 158.7 km, me Malin e Zi përgjatë 78.6 km, me Serbinë më së “gjati”… fqinjëzohet e kufizohet përgjatë 351.6 km.

Dhe bukur, të gjitha shtetet fqinje e kanë njohur pavarërsinë kosovare, përveç Serbisë. Me termat e “poetikës” sa më gjatë i përqafuar me dikend do nënkuptonte që dhe dashuria do jetë më e madhe, apo jo. Urojmë pra në të ardhmën e afërt, meqë tani për tani Serbia ende s’ia ka njohur Kosovës zyrtarisht as “fqinjësinë as pavarësinë”! Nuk mohohet se janë bërë hapa mjaft optimistikë në këtë drejtim, bie fjala signaturat e palëve në ShBA (nën përkujdesjen e ish-administratës së Trump) patjetër se do t’i lehtësojnë hapat e politikave të së ardhmes…

Mirëpo bota është e madhe, Serbia është vetëm 1-ri nga qindra shtete të botës. Ndërkohë Kosova ka arritur 51% njohje “botërisht” (nga 193 shtete pavarërsinë e Kosovës e kanë njohur 98). Tutje Kosova ka arritur 81% njohje nga “EU-zona” (nga 27 shtete anëtare të BE deri tani e kanë njohur 22 shtete). Tutje ka arritur njohjen “NATO-istike” rreth 87% (nga 30 anëtare të NATO e kanë njohur 26 shtete të aleancës).
Po ashtu, Kosova ia ka dalur të ketë 54% njohje nga “globalizmi islamik” (nga 57 shtete anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, OBI – në hartën e botës në fakt duket sa “gjysma e botës” – Kosovën e kanë njohur 31 shtete).

***
[ Shtojcë… sepse m’u kujtua dhe një “bisht” politik ]

Mjaft “analistë” të politikave kosovare (s’kam harruar, më kujtohet fort mirë e kaluara televizive kosovare, analizat e tyre mund t’jenë deponuar madje dhe në Youtube) mbase do kenë pandehur se njohja nga “shtetet muslimane” të globit sot duhej t’figuronte më e madhe. Tekefundit si parapritje “analitike”, meqë nëpër statistikat e botës Kosova llogaritet si “shtet musliman”. Pa le që dhe shifrat e statistikave e fuqizojnë të njëjtin fakt. Nëpër skemat statistikore jo më pak por 95.6% e popullsisë së Kosovës figurojnë si muslimanë, 3.7% të krishterë (2.2% katolikë, 1.5% ortodoksë).

Ndoshta “analistët” e TV-politikave kosovare s’duhet ta harrojnë as faktin (që njihet botërisht) se shoqëria kosovare është fuqimisht e sekularizuar, se Kosova është një shtet me bazament sekularistik (jo ndonjë bazament erdoganistik), se shoqëria kosovare është e lirë dhe e barabartë për tolerancën ndaj religjionit dhe laicitetit, se liria e besimit, e fjalës së lirë, e ndërgjegjes dhe e çështjeve fetare… janë këto çështje thelbësore, nuk janë të sforcuara, s’janë assesi koncepte “të nostalgjisë turkofilike” por janë të garantuara parimisht me Kushtetutën e Kosovës. “Atribute” kushtetuese që Kosovën është supozuar ta rendisin krahpërkrah shoqërive më të avancuara të Evropës dhe të botës.

Andaj 31 nga 57 shtete të OBI s’janë dhe aq keq. Nga 60 të të njohin 30… është “gjysma”. Turqia patjetër… dhe vetë Shqipëria është anëtare e Organizatës Islamike, Turqia e pati njohur Kosovën ndër të parat dhe ende s’është bërë “pishman”, mirënjohja nuk mungon dhe s’do mungojë, ama 31 shtete tjera po ashtu. Njohja nga 31 shtete muslimane na sugjeron që sëpaku “gjysma” e myslimanëve të botës megjithatë e njohin Kosovën!
30 është gjysma e 60 – por vallë, meqë ashtu-kështu kaloi 1 dekadë e pavarësisë, pse t’mos e shohim si konfirmim që politikat, religjionet dhe “helbete… erdoganizmat” megjithatë janë gjëra të ndryshme!