Video-manipulimet, AI (Inteligjenca Artificiale), dhe Skepticizmi!

(sguraziu – ap, q 2019, koment)

(…imagjino na del Presidenti Trump në TV dhe na thotë se janë “prishur” si mos më keq me Putinin e Rusisë, dhe meqë me mjetet diplomatike s’mund t’i “ndreq kush”, s’ka ngelur tjetër pos ta nisin një duel me raketash bërthamore : )

Në fushën e AI, mësuarja makinale (si pako e disa proceseve të të ashtuquajturit “mësim i thellë”, nga Big Data) ka treguar sukses të madh në klasifikimin e imazheve (fotove), AI është aq efikase për njohjen e imazheve, për sintezën e imazheve, për audio-sintezën etj. Ka kohë që gjiganti amerikan Google, pastaj Facebook, NVIDIA e tjera kompani na i kanë prezantuar mjaft gjëra të avancuara, psh. i kemi dëgjuar AI-kompozitorët dhe muzikat e tyre, madje i kemi parë dhe AI-piktorët duke krijuar veprash arti.

Canny AI (një kompani nga Tel-Aviv, Izrael) qenka duke u marrë me teknologjinë VDR™ (Video Dialogue Replacement) që mundëson zëvendësimin e çdo audioje në cilëndo video, sipas dëshirës.
Mos vallë, po thosha mëvete, duke parë zhvillimin e këtyre AI-gjërave nesër në TV s’do ta dimë nëse është duke na folur Presidenti real, apo thjesht ndonjë video fals !

E qartë se “mësuarja e thellë” (Deep Learning) ka filluar të kthehet në një vegël interesante dhe për video-produksionin, si dhe dmth. për efektet vizuale. Thuhet se video-veglat e tilla aktualisht ende në foshnjërinë e tyre, por… kur dihet që videoja “Imagine” (e këngës së famshme të Lennon) është bërë nga video-copëza komerciale (“stock footage”), nëse që tani mund të sinkronizohen audiot sipas dëshirës me video të ndryshme, nëse që tani mund të sinkronizohen “buzet” e kujtdo me cilëndo audio, deri në detaje, atëherë vallë sa do t’zhvillohen këto vegla tutje, vallë ç’do jetë e (pa)mundur në të ardhmen?

Skepticizmi aktual rreth këtyre AI-teknologjive ka t’bëjë me fenomenin e “lajmeve fals”, me lajmet e rrejshme, me fenomenin e video-lajmeve të falsifikuara. Natyrisht, i arsyetuar i gjithë skepticizmi e negativiteti, e si t’mos jetë njeriu skeptik… Imagjino na del Presidenti Trump në TV dhe na thotë se janë “prishur” si mos më keq me Putinin e Rusisë, dhe meqë me mjetet diplomatike s’mund t’i “ndreq kush”, s’ka ngelur tjetër pos ta nisin një duel me raketash bërthamore 🙂 Derisa ta merrnim vesh që fjala ishte për një video fals, ndoshta do bëhej vonë – njerëzia do ngeleshin pa zemrat… nga frika e paniku!

[ ngjitur: Canny AI – Imagjino liderët e botës duke kënduar “Imagjino”, 2019 (liderët e botës sinkronizuar me këngën “Imagine” të John Lennon) ]