Gërshërët Gjenetike – Vegël për Rishkrimin e “Kodit të Jetës”!

S. Guraziu – Ars Poetica, Maj 2021

(dy heroina të shkencës gjenetike vitin e kaluar u nderuan me çmimin Nobel për shpikjen e “gërshërve” – shpresohet që ky sistem i sofistikuar “gërshërësh” të përdoret për trajtimin e sëmundjeve gjenetike, e jo për ndonjë diç tjetër të frikshme…)

[ Dekadë “gjenetikisht” e bujshme… ]

Dekada e fundit për shkencat gjenetike ishte një dekadë jashtëzakonisht e bujshme. Sa për pandemine, sa për COVID-19… s’duam as ta “përmendim”. Paçka se dhe COVID-19 hyn në këtë “bujshmëri” dhe është i “lidhur” me gjenetikat. Bie fjala, që nga zhvillimi i veglave diagnostifikuese, pastaj me kërkimet rreth zhvillimit të vaksinës, e natyrisht i lidhur është dhe më “thellë”. Jo sepse ky virus i sulmon qelizat, jo sepse është një infiltrant gjenetik, jo sepse “e paralizoi” gjithë ekonominë e planetit dhe u mori jetën milionave, por në kuptimin… i lidhur qëkur shkencat gjenetike tanimë s’munden pa CRISPR-Cas9 (CRISPR – shkurtesë nga: Clustered Regularly Interspaced Short Palindromic Repeats – e që do përkthehej përafërsisht si: Përsëritje të Shkurtra të Tufëzuara Palindromike me Ndasi të Rregullt). Tingëllon “shkencërisht”, e di…

E përmendëm CRISPR-Cas9 sepse është diç fort e rëndësishme, është diç e lidhur me “kodin e jetës”. Ashtu me termat e shkencës vërtet tingëllon gjaaatë dhe ngatërrueshëm (madje dhe si shkurtesë), por në fakt fjala është për një “vegël” të thjeshtë (gjeniale), zbuluar para një dekade, diç si gërshërë gjenetike për prerjen e “kodit…”.

Ndoshta “gërshërët” e shkencës na i kujtojnë vajzat mitologjike të Niksit (Natës) dhe të Erebusit (Errësirës), të njohura si Moirada, trini-hyjnorja e fatit jetësor, perëndeshat që kujdeseshin për fijet metaforike të Jetës së çdo individi (që nga thirravaji i parë i lindjes e deri në grahmën e fundit), mbase jo bukuroshet Lakezia as Klotoja por tekefundit Atropa, meqë ajo i mbante “gërshërët” – gjithsesi, peri i jetës dhe kodi i jetës s’janë e njëjta gjë : )

[ Në rregull, por ç’është pra “kodi i jetës”… ]

Shkenca thotë se qenia e njeriut përbëhet nga triliona qeliza (ndoshta dhe kuadriljona… s’besoj t’i ketë numëruar kush), në secilën qelizë e kemi materialin tonë gjenetik (ADN-në), ky material gjenetik (ose ADN-ja ashtu si “vargëzim”) është ndërtuar nga blloqe të quajtura “baza”, thuhet se ADN-ja përmban rreth gjashtë miliardë të këtyre bazave (vendosur përgjatë strukturës së vargut në një radhë të veçantë). Kjo mrekulli e “vargëzuar” është ajo çfarë shkencëtarët e quajnë “Kod i Jetës”. Si emër “Kod i Jetës” është simbolikë mjaft e qëlluar, njëkohësisht simbolizëm po aq sa dhe njëmendësi, pa këtë kod (edhe nëse t’mos kishte fare emër) jeta s’do “funksiononte”, afërmendsh : )

[ Njeriu 24% “ngjashmëri” gjenetike… me rrushin ]

Sipas infografikës (ngjitur majtas – e cila është përpiluar enkas për nxënësit e National Geographic, duke u bazuar në të dhënat e European Bioinformatics Institute) të gjitha speciet janë unike, ama kuptohet mes vete si specie e kanë një përqindje gjenesh të përbashkëta. Psh. shimpanzetë me 90% s’janë dhe aq “larg” nga njeriu, dmth. nga gjenomi 100% humanoid. Çfarë nuk dija unë është se minjtë me 88% qenkan më “afër” me njeriun sesa psh. kuajt (84% – kuajt dhe qentë qenkan baraz – se si më bëhet të kem pandehur që këto të fundit i kemi më të “afërta”, kurrë s’do thosha për minjtë, hm… e qartë, ngela duke mësuar : ) Tutje natyrisht se pulat “largohen” gjenetikisht nga njeriu por prapë jo aq larg sa do kisha pandehur unë, grafika thotë se pulave u takon 65% kuriozitet… okidoki. Ndërsa se i kemi 24% gjene të “përbashkëta” me rrushin as që e kam lodhur kokën ndonjëherë…

Ok, qasja “gazmore” rreth infografikës së National Geographic ia vlen… varësisht nga vendi e kuvendi, por le ta lidhim gjithçka me shkencën serioze. Veç e thamë se dekada e fundit për shkencat gjenetike ishte fort e bujshme.

[ “Gërshërët” e mprehta të teknologjisë gjenetike ]

Jemi në v. 2021, s’është dhe aq larg në kohë (s’di sa muaj i bie të kenë kaluar, ndoshta 6-7 muaj) nga ndarja e Çmimit Nobel 2020 për Kimi, i cili iu dha bashkërisht shkencëtareve Dr. Emmanuelle Charpentier (Max Planck – Shkencat Patogjenike, Berlin) dhe Dr. Jennifer A. Doudna (Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, SHBA). Dy heroinat e shkencës gjenetike u nderuan me çmimin Nobel për 2020 me motivin e pëshkruar shkurt: “për zhvillimin e një metode për editimin e gjenomit”.

Shkencëtarja franceze Charpentier dhe ajo amerikane Doudna e zhvilluan një sistem briliant shkencor me emrin CRISPR-Cas9. Ose më e thjeshtë të thuhet shpikën një palë “gërshërë gjenetike”, vegël për t’prerë “kodin e jetës”, vargun e ADN-së, kudo që t’jetë nevoja, kudo mes miliarda bazave të ADN. Diç që më parë ishte proces i vështirë ose dhe i pamundur, tani për fushën e biokimisë CRISPR-Cas9 është kthyer në një mjet të zakonshëm, në laboratorët e biologjisë molekulare përdoret gjithandej.

[ “Gërshërë” shkencore që vërtet e meritonin Nobelin ]

Duke përdorur CRISPR-Cas9 shkencëtarët mund ta ndryshojnë ADN-në e kafshëve, të bimëve dhe të mikroorganizmave me saktësi jashtëzakonisht të madhe. Pra vegël që ua mundëson atyre manipulimin e ADN-së sipas dëshirës, vegël e zbuluar “papritur” por që e ka revolucionarizuar shkencën. Nëse ADN-ja t’ishte një rresht i gjatë me germa, tani shkencëtarët me lehtësi mund t’i editojnë germat, fjalët, sekuencat… gjithçka, sipas nevojës a dëshirës. Një vegël jashtëzakonisht e fuqishme dhe me potencial marramendës të përdorimit ose të aplikimit. “Gërshërë gjenetike” njësoj si gërshërët e rrobaqepësit, njësoj si brusha e piktorit e “kufizuar” vetëm nga imagjinata e shkencëtarëve.

Nobelistet Charpentier dhe Doudna pra e kanë zbuluar njërin nga mjetet më të mprehta të teknologjisë gjenetike, me plotkuptimin e fjalës vegla bën të quhet “gërshërë gjenetike”. Brenda një dekade të vetme kjo teknologji solli një ndikim revolucionar, qe zbuluar në v. 2012 por dhe vetëm brenda këtyre pak viteve përdorimi i “gërshërve” në shkencat gjenetike ka shpërthyer. Imagjino sa do shfrytëzohet teknologjia tutje dhe sa do i ndihmojë shkencëtarët e së sotmes dhe ata të së ardhmes. Me të drejtë thuhet se kjo vegël po i çon shkencat drejt një epoke të re të zhvillimit. Zbulim i papritur por i jashtëzakonshëm për nga rëndësia, “vegël” shkencore që vërtet e meritonte Nobelin.

[ “Gërshërë” të rrezikshme, ana e errët e CRISPR… ]

Gjithsesi, fuqia e madhe e kësaj teknologjie do t’thotë që shkencëtarët duhet ta përdorin me shumë kujdes. Të manipulosh me gjenomin e shimpanzesë duke pretenduar ta kthesh në “njeri” ndoshta padashtas do kishim ndonjë “neo-frankeshtajn”, ose duke avancuar kodin e bretkocës t’na rezultonte papritmas ndonjë “kengur”, i tmerrshëm si “alien i Giger-it në filmat e Ridley Scott, etj etj ec e dije…

“S’do mend se COVID-19 është diç e frikshme. A mundet një shkencëtar i “çmendur” ta përdorë CRISPR për ta sjellur në jetë një pandemi tjetër?” – pyeste autori Neal Baer vitin e kaluar. “Shqetësohem që CRISPR mund ta bëjë COVID-19 të duket si lojë e fëmijëve (krahasuar me ndonjë pandemi të re). CRISPR është një mjet i ri gjenetik që ua mundëson shkencëtarëve për t’prerë një sekuencë të ADN-së në gjenomin e një organizmi dhe ta zëvendësojnë atë me një tjetër. Shpresa është që ky sistem i sofistikuar “gërshërësh” do t’përdoret për trajtimin e sëmundjeve gjenetike… e jo për diç tjetër të mendjeve të errëta “shkencore”. Meqë është dhe ana e errët e CRISPR. Një shkencëtar i “çmendur” ose “biohacker” me njohuri bazike të laboratorit mund t’blejë sekuenca të ADN-së dhe, duke përdorur CRISPR, t’i manipulojë ato për t’bërë një virus edhe më panik-nxitës, edhe më vdekjeprurës…” – shkruante Baer.