Pasurimi “Ad hoc” i Shqipes (“Shqipëzimi” Akademik i Anglishtes)!

S. Guraziu – Ars Poetica Q 2017 (Koment… rreth fenomenit të “shqipëzimit”)

e dimë, “konektorët” NUK janë lidhëza, ndoshta as lidhëzorë, por ama s’na qenkan as “lidhorë”, as “ndërlidhorë”, as… as “whatever”, thjesht shpike-ujdise 1 fjalë adekuate në shqip, fjalëformimi s’është diç e re as e vjetër, aq shumë terma të gjuhëve të botës janë “kalitur” fillimisht në mendjen e dikujt

***
S’është vetëm përshtypje, mund të jetë fakt i “madh” (uroj të jetë fakt i vockël) shqipja ka mjaft probleme me ndjekjen e avancimeve “shkencore” të botës, me ndjekjen e termave të panumërt që lindin në gjuhë-kulturat e huaja. E natyrshme që Shqipja s’mund ta ndjek zhargonin e miliona shkencëtarëve, fjalorin e gjithë aspirantëve të kësaj bote tek i publikojnë teoritë, opinionet, teoremat, tezat e tyre shkencore në “Science”, “New Scientist”, “Nauka i Zhizn”, “Spektrum der Wissenschaft”, “Nature”, “Wired”, “Scientific American”, “Discovery”, “Quanta”, etj. etj. panumër sosh.

Me dhjetra mijëra libra e vëllime shkencore publikohen anembanë në gjuhët e mëdha, si anglishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rusishtja, gjermanishtja etj. Fare e natyrshme, e vështirë për t’i ndjekur me miliona fjalë të reja e terma, dhe për të qenë i sinkronizuar sa më përputhshëm me terminologjinë.
Por është dhe tjetra, shkrimet akademike ashtu-kështu janë komplekse, të “rënda” e të vështira. Padyshim komplekse janë dhe shkrimet e sferës akademike shqiptare. S’është nevoja t’u ipet “shija” e koklavitjes akoma më tepër me lloj-lloj “shqipëzimesh” ad hoc nga literatura e huaj.

Për më tepër, termat e tillë të shqipëzuar thjesht nuk tingëllojnë “shqip”, sikur gjuhës ia japin një tingullimë totalisht ndryshe e të largët, vende-vende shqipëzimet e tilla duken madje dhe qesharake. Aty për aty sikur dhe vetë gjuha ordinere “vështirësohet”, sikur ajo vështirësia e “mëtimit shkencor” vetvetiu bëhet akoma më e rëndë për ta kuptuar e përthithur. Sepse tekefundit “shkenca” s’është diç më tepër sesa përceptim, këtë na e pati thënë vetë ai Platoni i lashtësisë.

Dikur, në v. 2014 nëse s’gabohem, Steven Pinker pati provuar të shpjegonte se përse “të shkruarit akademik” sot është aq i keq! Shkrimet akademike vërtet janë katandisur si mos më keq – pati konkluduar ai. Si koment shakalogjik, pata “propozuar” që problematika e “koklavitjes së qëllimshme” shkencore (ose ky ves i botes akademike) tutje të njihej si “Sindromi i Njutnit”!
Ishte si shaka “komenti”, ama propozimi im ishte mjaft serioz. Sipas meje “sindromi i Njutnit” është mëse evident, gjithandej. Dihet për Njutnin që, kur e pati shkruar “Principia” pati bërë çmos që ta komplikonte deri në marrëzi. Çdo gjë që shkruante aty kishte dëshirë të dilte sa më komplekse që t’jetë e mundur, thjesht që të dukej sa më e vështirë si “shkencë”… Mendoj se Njutni tinëz e aspironte nofkën “Shekspiri i Shkencës”… or something – pata shkruar atëbotë : )

***
Para ca kohe “mbarova” me leximin (të thuhet “lexim” është fjalë e varfër sepse ishte më shumë sesa vetëm lexim) të punimit shkencor me titull “Strukturat Eliptike dhe Roli i Komponentëve Gramatikorë në Përcaktimin e Elipsës Kontekstuale në Gjuhët Angleze dhe Shqipe”, e që është punim për Gradën Shkencore “Doktor” në Gjuhësi, nga Lutfije Çota M. A., Prill 2013 – Specialiteti: Sintaksë (Udhëheqës shkencor: Prof. Dr. Mehmet Çeliku), Universiteti i Tiranës (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja – Departamenti i Gjuhës Angleze),

Punimi i sipërpërmendur synon “të nxjerrë në pah njohjen, përcaktimin dhe kategorizimin e strukturave eliptike që realizojnë kohezionin e tekstit në gjuhën angleze dhe shqipe” (fjalë këto të autores).
Duke i pranëvënë dhe krahasuar disa elemente të kohezionit gramatikor në të dyja gjuhët, mëtohet të hidhet dritë mbi ngjashmëritë dhe dallimet midis tyre. Bukur shumë. Një nga këto “elemente” që mua ma ka ngjallur buzëqeshjen tërë kohën ishte i ashtuquajturi “konektori tekstual” !

Vallë – thosha mëvete – a nuk ishte e mundur që në nivel akademik të “krijohet” 1 fjalë shqipe fringo e re, në vend që “shqipzohet” anglishtja, duke e thënë / shkruar shqip fjalën “connector”!!! Thjesht pra si detaj i vockël…
Autorja Çota na e sjell në pah fare qartë që “midis lidhëzave dhe konektorëve tekstualë ka dallime të qarta”.

Qartësia autoriale vjen e sigurohet duke u bazuar në gjenerativistët Halliday dhe Hasan, të cilët në publikimin e tyre të 1976 propozojnë një klasifikim në katër grupe të “konektorëve” tekstualë sipas llojit të bashkëlidhjes kuptimore: këpujorë (shtues), kundërshtues, shkakor dhe kohor. (Halliday, M. A. K., Hasan, R., Cohesion in English, Longman, 1976)

Desha pra, me këtë koment të shkurtër, ta “shkapuris” pakëz fenomenin e “shqipëzimit” të anglishtes, e që me fjalë të tjera është “mospajtimi” im personal me qarqet akademike shqiptare sa i përket pasurimit gabimthi të shqipes. Sorry… më vjen keq, s’ka asgjë të keqe këtu, thjesht nuk pajtohem.

E dimë, “konektorët” NUK janë lidhëza, ndoshta as lidhëzorë, por ama s’na qenkan as “lidhorë”, as “ndërlidhorë”, as… as “whatever”, thjesht shpike-ujdise 1 fjalë adekuate në shqip, fjalëformimi s’është diç e re as e vjetër, aq shumë terma të gjuhëve të botës janë “kalitur” fillimisht në mendjen e dikujt. Duke i takuar “nivelit akademik” atëherë krijoje 1 fjalë të re me çdo kusht, mos e “shqipëzo” asnjë fjalë të gjuhësisë së huaj.

Shqipja jonë, aq e para nga vjetërsia në trungun e gjuhëve… duke marrë parasysh ndikimin e bagazhit marramendës të termave të huaj (ta zëmë qoftë dhe vetëm nga fusha e paskajshme e fjalorit të Informatikës), edhe pakëz e do na kthehet të jetë ndoshta 70% gjuhë e pasuruar me “shqipëzime” akademike “ad hoc”…!