Balzaku do t’bëhej gaz me “Gjethin” e Davidit!

S. Guraziu – Ars Poetica, P 2014

(…Balzaku e dinte, atë që duhej ta dinte: më mirë ta djegësh vetë pakënaqësinë tënde, sesa të ta djegin librashitësit dhe lexuesit e stërhollë diku atje nëpër odajat aristokratike të Parisit. Ec e bjerju në fije demimondave dhe nazeve të tyre… do ishte vetëvrasje dhe një lloj tragjedie karieriste për atë Balzakun e madh ta nënvlerësonte shijen e stërhollë të demimondave parisiene…)

Gjithsecili lexues i kësaj bote e di, i njohur është fakti që Balzaku, si lakadredhues i pashoq i penës që ishte, dhe vetëm për këputjen e një gjethi fatkeq, për rënien e një gjethi të vetëm, mund t’i mbushte shtatëdhjetë e shtatë faqesh. Dhe atë pa luajtur fare vendit, as pa u shtangur (në formën mjaft problematike të shtangies së shkrimtarëve, të shkronjës Z)! Ndërsa lexuesi vetë le ta imagjinojë sa gjethe mund t’i ketë një lis i tërë, një rrap shekullor me kurorën marramendëse.

Në fakt, thua se mos vetëm ai, e ditur është që shumkush ka aftësi të tilla lakadredhuese. Dhe rishtas, shikuar holl-e-holl ndoshta të gjithë shkronjësit e kohëve moderne e kanë aftësinë e tillë. Nëse jo, atëherë mundësia e importimit ngelet si gjithmonë ai ngushëllimi final. Psh. Prishtina na i paska frymëzimet dhe talentet balzakiane, na i paska majat e lartësive letraristike, vallë a nuk u vërtetua që dhe Tirana i mirëpret “albatrosat” e njëjtë të suksesit. Jo të gjithë por Tirana i mirëpret ata që i ka zgjedhur vetë, me kokallë. Paçka se Tirana i ka dhe shqiponjat e veta që fluturojnë lart. Madje Tirana i kishte që ngaherë. Ndoshta zogjtë e tillë aspirantë i thyejnë kufijtë ndërkulturor që atje lart në qiell me dashurinë reciproke grabitqare. Zogjve të “majave”, skifterëve e shqiponjave s’ua fal kush as dashurinë as lirinë. Ato vetë i grabisin të gjitha, e edhe suksesin. Qoftë andej, qoftë këndej kufirit. Ehu, thua se shqiponjat na i njihkan kufijtë e barrierat! E thjeshtë është, si thjeshtësia pa bishta, si një amebë që s’ka fare bishta.

Ndoshta mjaft shkrimtarë të kalibrit “albatros” nuk janë zgjuar akoma. Janë thjesht aso “sleepers”, të strukur thellë brenda gëzhojes së gjumit e të pritjes. I presin pesë minutat e vet. Dallimi i vetëm është ai faktori i motivimit dhe eventualisht, plus ata shtytësit e tjerë, siç janë aspiratat bazike, kompenzimet reale etj. Njeriut i duhet ndonjë shtytës, qoftë nga e brendshmja, qoftë nga e jashtmja. Qoftë nga këndej, qoftë nga andej gardhit të suksesit. Dihet, nuk është nevoja të përshkruhet tani dallimi, do ishte lodhje kot. Kur ndoshta dhe fare s’ka dallim. E kaluara na foli me shembujt e vet. Si andej gardhit kosovar si këndej… lexuesit na paskan qenë të uritur njësoj, me të njëjtën bucelë afariste u shua “etja rozë” kulturologjike e lexuesve të dy shteteve “albatrosiane”! Ajme, shumkush do ta fuste dorën në zjarr që Tirana mbahej më e “ngritur” për nga shijet, më e avancuar. Se do ta hante Tirana hallven albatrosiane si e babëzitur… jo gjithkush e pati besuar!

Sidoqoftë, ndërmarrje të tilla shtatëdhjet-e-shtatë faqëshe për “gjethin” e kalamendur balzakian shpesh kthehen në aventurash tarzaneske të xhungles germatike. E vërtetë është dhe kjo. Duhet mjaft kujdes, më mirë të shkruhet për “gjethin e turpit” të Davidit (prapa tij së paku fshihet diçka), sesa të merret njeriu me gjethin e Balzakut. Nuk paguan kush sot as dhe një cent për aventurash dekadente. Ja përse shumkujt i vyshken filizat e aspiratave akoma pa ia nisur. Me disa lexues aty-këtu humbellave të paskajshme të Facebook s’ia del dot njeriu ta ngroh as vendimmarrjen për diç serioze, pa le t’i hedh në dritë shtatëdhjetë-e-shtatë faqet e famshme balzakiane.

Ndërsa dy-tri faqesh mund dhe t’i sakrifikojë njeriu, s’shembet bota! Për cilindo gjeth që ia ka mësyer tokës, për cilindo verdhucak vjeshturak, qoftë aso i rrudhur qoftë miturak… tek e ka humbur rrugën e vet ajrit të mbarsur me kureshtjen. Nuk i dhimbsen kujt dy-tri faqesh!

Por jo gjithkush mund të shkruajë për gjethin e Davidit, jo të gjithë mund të shkruajnë romanesh “rozë”. As vetë Balzak xhufurraku klasik s’do ia dilte, do bëhej gazi i botës. Ai mund t’i vargëzonte shtatëdhjetë-e-shtatë faqe për një gjeth të këputur, por do ngelej pykë bie fjala me cikërrimat e dashuriçkave albatrosiane. Balzaku do t’ngelej pykë me “gjethin e turpit” të Davidit. Do ishte ngjashëm sikur t’kërkonte që fillikat të nisej me fluturaken e pensionuar “Atlantis” në Hënë. Parisi e dinte dikur për Balzakun, e di dhe sot e kësaj dite. E di luga çfarë ka vegshi! – thotë ajo urtësia kosovare. Nëse Parisi e ditka, atëherë sigurisht të njëjten mençuri të vegshit e di dhe Prishtina!

Sa i përket shtytjes a frymëzimit lakadredhues, dallimi mes Balzakut klasik dhe ndonjë Balzaku modern nuk është dhe aq i madh. Por nëse duam vetë, mund ta rrisim dallimin, jo duke i shtuar shtojcës gjëra nga e sotmja, më mirë nga e atëhershmja. Psh. faktin që atëbotë Balzakun s’e linte rehat ai përbindëshi i zi i famozitetit. Si ndonjë lokomotivë monstruoze e famës ia prishte gjumin vetëm atij. I ishte qepur Balzakut dhe s’i shqitej, si për inat. Ty-ty-tyyy… ia bënte tërë natën skaj dritares së tij. Gjithë ata kuaj të hekurt, aso kuaj turfullues e të zhurmshëm të Neptunit të hingëllijnë çdo natë pranë dritares suaj, imagjino… çmenduria vetë.

Prandaj më dhimbset ai Balzaku i ngratë, pikëllohem sa herë më kujtohet. Dhe duhet, jam krenar për zemrën, dhimbshuria është ndjenjë fisnike. E si t’mos i dhimbset njeriut një shpirt i tillë, një shpirt i pëvëluar nga ethet famës e të suksesit. I pushtuar nga ca monstra të paduskshëm në kohën kur s’kishte as Interneta, në kohën kur s’kishte kaq shumë lexues (siç i ka sot koha e bujshme, albatrosiane). Atëherë kur s’kishte “masa lexuesish” as fansa për albatrosat internetikë. Në krahasim me të sotmen ishin një grusht lexuesish nazelinj. Atëherë kur ekzemplarët e romaneve balzakiane s’mund t’i ngopnin as dhe demimondat parisiene, pa le pastaj dhe ato londoneze! S’ia vlen as të përmendet ngopja me lexim e demimondave të mbarë Evropës, të Rusisë apo dhe e atyre të Amerikes, kujtohu pastaj për ato të Kinës, larg qoftë e vërteta, as që bëhej fjalë! Se si më bëhet që demimondat e letërsisë kineze patën dëgjuar për Balzakun vetëm dy shekuj më pas.

Të ngratit Balzak, për ta zbrampsur përbindëshin e tmerrshëm brenda vetes i duhej të pinte kafe me bokall. Me mijëra e mijëra faqesh, askush nuk di saktë sa romanesh e aventurash i pati shoshitur letrarisht. Nuk dihet saktë, e them me mjaft siguri, meqë fare lehtë ndonjërën vepër të vet mund ta ketë zhdukur. S’mund të flitet për saktësi reale balzakiane, në kohën tonë mund të flitet vetëm për konkluzione të detyrueshme. Sepse na duhet një lloj saktësie, qoftë dhe aso saktësie hipotetike. S’mund të flitet për saktësi as në termat e albatrosëve për statistikat e tyre. Asnjë shtëpi botuese kosovare nuk ofron info statistikore të besueshme lidhur me publikimet e tyre, lidhur me tirazhet. Sepse me gjasë Kosova ende nuk është shtet i mirëfilltë siç duhet të jetë. E gjitha çfarë mund të dihet është referenca në Bibliotekën Universitare të Kosovës për deponimin e kopjeve. Si mund të flitet pra për saktësi të kohëve balzakiane kur Prishtina e shekullit XXI tallet sot e gjithë diten me vetë saktësinë e vet?! Kur dihet që gjysma e vetë Parisit të kohës balzakiane ishin rrugësh të baltosura, të pista e të errëta! S’është nevoja të flitet për baltën provincilale të Francës së atëhershme dhe as të Evropës së paskajshme.

Zhdukjen ose shfarosjen e ndonjë vepre të vet, Balzaku mund ta ketë bërë nga pakënaqësia sa i përket kualitetit artistik. Ndonjë sosh mund ta ketë fluturuar zhglluuumë e në fund të lumit. Ndonjë sosh bazuar në parandjenjën mund t’mos e ketë nisur fare, domethënë nga inati. Ose në kulmin e zhgënjimit artistik mund t’i ketë hedhur në zjarr panumër faqesh. Ndonjëherë ndoshta vetëm dy-tri faqesh duheshin të kryhej, disa rreshta të vetëm para përfundimit të një grand-romani dhe… fijuuuuu drejt e në oxhakun e sallonit plot bubullimë.
Nuk them vetëm unë kështu, as nuk është fjala për ndonjë spekulim historiografik. Ekspertët dhe biografët anembanë e dinë. Të gjithë ata që donë ta dinë, secilikush me arsyen e vet të shëndoshë e di. Aspak nuk përjashtohet mundësia për ndonjë skenar të tillë, mjaft të ngjashëm, në mos dhe fare ekzaktësisht të ngjashëm, të zhgënjimit balzakian.

Sepse ai e dinte, atë që duhej ta dinte: më mirë ta djegësh vetë pakënaqësinë tënde, sesa të ta djegin librashitësit dhe lexuesit e stërhollë diku atje nëpër odajat aristokratike të Parisit. Ec e bjerju në fije demimondave dhe nazeve të tyre. Nuk di si është puna me demimondat prishtinase as ato tiranase, por do ishte vetëvrasje dhe një lloj tragjedie karieriste për atë Balzakun e madh ta nënvlerësonte shijen e stërhollë të demimondave parisiene! Ja përse ai as pesë groshe nuk i jepte kur e griste një roman të tërë, për t’ia nisur rishtas që nga rreshti i parë. Harlisja e kuajve të Neptunit përskaj xhamit ishte e tmerrshme. I ngrati Balzak, sikur ta kishte pritur së paku xhamin internetik. Sikur t’i kishte së paku gjysmën e lajkave të demimondave albatrosiane. Ashtu mbase dhe s’do më dhimbsej aspak.