Miriadë Yjesh dhe Buzëqeshjesh (1)

S. Guraziu, Ars Poetica, J 2015

(Intro, ose sqarim… njëherë e përgjithmonë, lidhur me qasjen rreth “buzëqeshjeve” ideatike)

Natyrisht tema për buzëqeshjet është e pashterrshme. Sidomos të dielave. Herën e kaluar shkrova pakëz për “buzëqeshjet” filozofike ajnshtaniane, në stilin që unë vetë fare pa shaka e quaj “stil shakalogjik”. Nuk e mohoj, mjaft shpesh ia bëj ashtu… i “vështroj” ose provoj t’i shoh gjërat nga një pikë e veçantë e vështrimit. Qasjet “shakalogjike” ndoshta dhe janë një lloj sprove për ta dëshmuar natyrën konsistente të njeriut lidhur me “buzëqeshjet”.

Është thjesht njëfarëlloj “kupole e observatorit” personal, një lloj mekanizmi giroskopik… nëse jo hiper-ndjesor, patjetër që është sadopak dhe i saktë. Dhe prapë, mbase jo aq i ndjeshëm sa një giroskop real mekanik (sa për atë kuantik… as që mund të flitet) mirëpo s’duhet të mohohet që është instrument mjaft i ndjeshëm. Ndërsa dihet – ndjeshmëria e një aparati do të thotë saktësi, patjetër që është e lidhur me saktësinë.

Të tilla vështrime giroskopike (madje qofshin dhe fare jashtë ndonjë “stili” – e them këtë për t’iu shmangur pretendimit 🙂 atëherë pra mund të quhen thjesht “vështrime shakalogjike”. Mendoj se ia vlen, s’ka gjë të keqe që dikush të merret dhe me të tilla qasje të 3D-marramendjes. Giroskop që vërtitet sa andej-këndej në 3-D nyjen aksiologjike dhe sikur ma mundëson të mrekullohem me një miriadë të paskajshme yjesh e buzëqeshjesh (ideatike). Tre rrathë… si aso “olimpikë”, ose akoma më mirë, jo olimpikë por aso “vitruvian” (si vizatime 2-D të Leonardo da Vinçit), ujdisur tashmë me precizitetin giroskopik 3-dimensional brenda kupolës transparente. Ndërsa unë aty diku në qendër, vetë motori, vetë akseleratori, vetë stabilizatori. I lidhur dhe i siguruar me rripash e mekanizmash (si ata pilotët e guximshëm në katapultin e fluturakeve) vërtitje e rrotullime sa kokëposhtë sa bythëpërpjetë… dmth. sipas 3D-hujeve giroskopike.

Pse hoqa dorë nga rrathët e olimpikave dhe pëlqeva ata të Da Vinçit? Jo për ndonjë arsye të kushediçfarëshme, por thjesht (meqë u kujtova) sa për ta përshëndetur këtë buzëqeshje tepër të veçantë. Buzëqeshje që u kthye në simbolin më të njohur të Renesansës, buzëqeshje që i ngërthen disa dimensione prej buzëqeshjesh… në një të vetme.
Në një skicë të vetme, si një mjeshtër i papërsëritshëm i buzëqeshjeve, da Vinçi ia doli atëherë t’i kombinonte ose lidhte… filozofinë, matematikën, religjionin, arkitekturën, dhe + aftësitë artistike të veta prej vizatuesi, dmth. edhe artin!

Nuk di nëse lexuesi vetë ta ketë provuar, ose ta ketë patur përvojen e 3D-marramendjes, por them se ia vlen. Sikur fare s’do kishte kuptim që, kaq shumë shekuj tutje në kohë, pas arkitektit romak Vitruvius, ose pas babaxhanit Leonardo, ose pas Galileos, ose pas Njutnit (thjesht sa për ta përmendur ndonjë emër)… t’i tradhtonim.
Mbase jo gjithësecili lexues i planetit, por shumica do duhej ta kishin së paku nga një giroskop a teleskop miniatural. Me mospasjen e këtyre instrumenteve, sikur do hyhej në hak të natyrës kureshtare jo vetëm të emrave të mirënjohur të shkencës e të artit, por do hyhej në hak dhe të atyre që s’kanë emër fare.

Sepse nuk ishin vetëm ata “emra” që nuk iu zihej vendi vend, një lloj tundimi i çuditshëm s’i lente të qetë për t’ia dëshmuar vetes, dhe eventualisht dhe botës ndonjë mençuri, ndonjë buzëqeshje, qoftë filozofike, qoftë artistike, qoftë shkencore etj. Si dikur, por dhe sot e kësaj dite cilido nga ne pa “emra” do duhej të merreshim me hesape “giroskopike”. Njëjtë sikur që nuk e zë gjumi një shkencëtar, filozof, apo artist të kësaj bote… i njëjti tundim do duhej të vlente dhe për ne. Njëjtë Platoni dikur, njëjtë Konfuçio, njëjtë Aristoteli, njëjtë da Vinçi, njëjtë Ajnshtajni, njëjtë Hawking… dhe njëjtë kush tjetër jo.
Natyrisht, që të gjithë ishin dhe, ose janë, fort të lumtur sepse ia dëshmuan vetes e edhe botës se dinë të buzëqeshin.

Ja pse them që mbase as qasjet e mia “shakalogjike” nuk ngelin pa ndonjë lexues, sepse ndoshta dhe ato janë një lloj sprove për të dëshmuar diç. Sepse, nëse nuk ia dalim sadopak për ta parë botën që na rrethon me nga ndonjë “kokërr” gazmore, bie fjala ambicjet, sfidat, hapat “infantil” të njerëzimit, rënie-ngritjet, dështimet, arritjet, kurajon shkencore, filozofike, artistike etj. etj. mendoj se do ishte për keqardhje. Sepse gjenialiteti njerëzor fare lehtë mund të jetë nga 0 dhe tutje 1, 2, 3, 4… deri në pakufizim, andej kah pozitivja e linearitetit. Ndërsa marrëzia nga 0 dhe tutje -1, -2, -3, -4… në anën e kundërt diagramike. Ndoshta njëjtë është dhe me gjëra të tjera, si psh. me harresën etj.

Sa për ilustrim, Ajnshtajni pandehte se e gjitha çfarë atij i duhej për të qenë i lumtur ishin “një violinë dhe një kupë me fruta”. Por kjo saktësi vlen vetëm nëse nga përspektiva dhe koha jonë thënien e tij e shohim dhe e përceptojmë si një “buzëqeshje”. Në fakt, sipas meje ai ishte fare gabim, sepse ai veç ishte një lumturush i buzëqeshur. Violina dhe frutat ishin vetëm një lloj giroskopi mendor që i kthehej herë pas here qiellit të lumturisë së tij. I duheshin lloj-lloj rekuizitesh psikologjike si ndihmë përkujtuese… sepse ai ishte një harrestar i pandreqshëm, harronte ta përjetonte vetë lumturinë e vet.
Sido që të jetë, kur është fjala për “buzëqeshjet” dhe për flokët “elektrike”, Ajnshtajnin veç e pata “rrahur” herën e kaluar, e sidomos për flokët. Por vlen dhe tjetra… ai ashtu-kështu ishte dhe vetë një shakaxhi i madh.

***
Kësaj radhe pakëz për mrekullinë e buzëqeshjeve të Hawking, e kam fjalën për fizikanin dhe kozmologun e mirënjohur britanik Stephen Hawking.
Përkundër faktit të hidhur dhe tragjikes që jeta fizike e kufizuar pothuaj vetëm si “kujtim” – i paralizuar gradualisht përgjatë dekadash nga një sëmundje e rrallë neuronesh, e ashtuquajtur sklerozë amitropike laterale, ai kurrë nuk u ndal së buzëqeshuri.
| – – – vijon – – –