Miriadë Yjesh dhe Buzëqeshjesh (2)

S. Guraziu, Ars Poetica, J 2015

(…disa gjëra, qofshin në shkallë nanoskopike qofshin mega-problematike (psh. si vrimëzezat e Hawking : ) unë i katalogoj në mbamendje jo si terma kompleks as si formulacione definitive, por thjesht si “buzëqeshje” të ëmbla. Cilado buzëqeshje, qoftë ajnshtaniane qoftë e lindur në kokat tona, mbase na ndihmon ta shohim botën më të diellosur, më të arsyeshme, më të pastër, më të ngrohtë, ashtu siç është dhe vetë buzëqeshja…)

***
Kësaj radhe pakëz për mrekullinë e buzëqeshjeve të Hawking, e kam fjalën për fizikanin dhe kozmologun e mirënjohur britanik Stephen Hawking.
Përkundër faktit të hidhur dhe tragjikes që jeta fizike e kufizuar pothuaj vetëm si “kujtim” – i paralizuar gradualisht përgjatë dekadash nga një sëmundje e rrallë neuronesh, e ashtuquajtur sklerozë amitropike laterale, ai kurrë nuk u ndal së buzëqeshuri. Më kujtohet, para shumë viteve, ndoshta një dekadë ka kaluar tashmë, derisa po përcillja një debat forumistik në platformën atëherë të saponisur të Yahoo “Ask, Answer, Discover”, në një pyetje të dikujt pati mjaft replikash e reagimesh, sepse ishte pyetje me “sens” dhe interesante. Kur papritmas, në një moment një reagim i dikujt me “Hawking” si emër apo nofkë.
Nuk ishte për t’u habitur që dhe vetë Hawking atëbotë pra ishte duke përcjellur forumin e Yahoo. Këtë detaj, ne përcjellësit pasiv të shkencës, ne që s’ishim shkencëtarë por që i kishim arsyet tona lidhur me shkencën, e mësuam si të vërtetë vetëm pak minuta më vonë, kur dikush nga moderatorët e konfirmoi: “…është nder për forumin tonë që vetë z. Hawking merr pjesë dhe na përcjell”.

Cilat janë “buzëqeshjet” e Hawking që mua pandalshëm ma ngjallin buzëqeshjen? Janë shumë sosh, por më kryesorja këtu është që të përmendet pëlhura prej kambriku me të cilën ai e mbështjell mençurinë e vet. Lexuesi tani do ishte mirë të buzëqesh sadopak, sepse me “pëlhurën e kambrikut” nënkuptoj “Zotin” shkencor të Hawking… dhe hoooop pastaj pendimin dhe kthimin në “Ateizmin” shkencor. Tutje me “pëlhurën e kambrikut” nënkuptoj ikjen e tij diku sa më larg, për të buzëqeshur. Ikjen atje ku s’ka ku më larg, në territoret e tejskajshme të shkencës, në humbellat e zeza dhe zgafellat shkencore të “event horizon” … që akoma s’janë “terra-formuar” si shkencë e mirëfilltë, pa le të shkilen.

Pse them “ikje larg”? Sepse s’kam harruar as buzëqeshjen e dikurshme të Platonit, ai pati thënë që “shkenca s’është diç më shumë por përceptim”. Kështu, në vend që Hawking t’na e sqaronte ndonjë gjë të afërt shkencore, ndonjë gjë të shkencës tokësore – ka aq shumë problemesh të vockla, pothuaj të panumërta, që shkenca nuk i di (psh. të tilla që pyeste dhe vetë Ajnshtajni “vallë si funksionon dashuria e parë”)… – ai shkon dhe na flet për “rrezatimin e vrimave të zeza”! Ec e mos buzëqesh.

Ja pra ai velo i bardhë prej kambriku. Shih sa i mençur është Hawking, na flet për diç që as vetë Zoti s’mund ta vërtetojë, sepse ndoshta atij as që i intereson. Vrimëzezat fare lehtë mund të jenë gjëra të “shportës së tij të mbeturinave”. Pse them kështu, çfarë na duhet një “shportë mbeturinash” për Zotin e “tradhtuar” nga Hawking, ose e shtruar pyetja më mirë ndoshta do ishte: çfarë i duhet vetë Zotit një “shportë mbeturinash”?
Natyrisht, asgjë, por thjesht sa për një buzëqeshje eventuale të lexuesit… lidhur me buzeqeshjen e “largët” të Hawking.

Hawking na flet për “vrimat e zeza” kozmike që janë thjesht një supozim i definuar matematikisht i “kohë-hapësirës” ajnshtaniane. “Vrima” të armatosura me fusha aq të forta gravitacionale, aq sa… akëcila grimcë e materies së universit që e njohim s’mund t’i shpëtojë, asgjë s’mund të shmanget pa u kullufitur nga ajo. Jo vetëm as vetë “gravitoni” hipotetik, kurrë i zbuluar ( i cili pra shkakton vetë gravitacionin e kësaj vrimëzeze për të cilin po flasim, dhe sipas meje pikërisht ky është “absurdi”), por kuptohet as grimcat sub-atomike “standarde”; të gjitha nuancat e kuarkeve, të gjitha tipet leptonike që nga elektroni i pafajshëm, grimcat neutrino, muonet… dhe tutje të gjitha “krijesat” bosonike, inkluzivisht fotoni i pafajshëm i dritës, e madje dhe grimca më foshnjarake, grimca më “newborn” e shkencës sub-atomike, bosoni i Higgs, i zbuluar vetëm pak kohë më parë në tunelet hadronike të LHC (Cern)!

E vërtetë që Teoria e Përgjithshme e Relativitetit parashikon që një masë jashtëzakonisht e dendur-kompakte mund ta shtrembërojë atë “space-time” ajnshtajniane… dhe ku pastaj formohet një vrimë e zezë. Sipas teorisë kjo ndodhë kur një yll masiv vdes, ylli vdekatar e lë pas një mbeturinë prej bërthame të superngjeshur. Nëse masa e kësaj bërthame është rreth tre herë më e madhe se masa e Diellit tonë, ekuacionet e Ajnshtajnit tregojnë matematikisht se forca e gravitetit i pushton-okupon të gjitha forcat e tjera dhe hooooop lind një “vrimë e zezë”.

Të gjitha këto janë relativisht në rregull, por realisht s’janë diç më shumë sesa teori, dhe atë teori “relative”. Asgjë s’kemi vërtetuar, madje akoma s’e kemi zbuluar as “gravitonin”… Ne jemi duke spekuluar për gravitacionin që nga… Njutni e deri dhe sot e kësaj dite… tek Hawking. Në fakt, s’është aspak e tepruar të thuhet, shkenca as idenë nuk e ka se për çfarë është fjala.
Nëse të duhej sa më shkurt e troç, atëherë sikur do t’na imponohej konkluzioni: e gjitha çfarë dimë për gravitacionin është se ai është “tërheqës”, kaq : ) Gravitacionit i falënderohemi që mollët bien në tokë, e nuk na ikin në stratosferë, i falënderohemi që Sistemi ynë Diellor funsksionon dhe ne jemi këtu ku jemi. Dhe tutje planetet e yjet brenda një galaktike rrinë urt e vërtiten aty ku iu takon, nuk bredhin pa bisht e pa kokë sipas zig-zageve kaotike etj. I gjithë kozmosi kështu funksionon.

Me gjuhën e “vogël” të faktit lirisht mund të thuhet: s’ka shkencëtar të kësaj bote që di diç më shumë se kaq për Gravitacionin… Të kuptohemi, nuk thashë që nuk ka teori e ide, i kemi me miliona sosh… panumër teori, supozime, spekulime etj. Bie fjala, spekulohet se të gjitha fajet për “tërheqjen” i ka grimca sub-atomike që akoma nuk e kemi zbuluar, por ama emrin ia kemi bërë gati, Graviton!
Buzëqeshje pra… sepse do hynim në hak të një grimce tjetër, bosoni i Higgs-it s’kishte fare emër, mjaft gjatë e kemi pritur dhe zbulimin e kësaj grimce, sa që kur e zbuluam… i thamë thjesht ti je boson i “paemër” por ama ti je grimca e Higgs, të duam… dhe gjithë shkencëtarët e kësaj bote u përloten nga mallëngjimi, njerëzia renden për ta përqafuar e për t’ia gudulisur gushën foshnjore grimcës “newborn”.

Aq shumë dimë për “vrimëzezat”, sa lexuesi le ta merr me mend dhe vetë, megjithatë ja dhe pakëz ndihmë. Jo më larg por vetëm disa muaj më herët një artikull i publikuar në “science.nasa.gov” ia fillonte kështu:
“Mos lejoni që emri t’ju mashtrojë, që gjoja një vrimë e zezë është ndonjë hapësirë boshe, e zbrazët (dmth. sepse kur themi “vrimë” atëherë pra vrimë, diç e zbrazët duhet të jetë, kështu e kërkon logjika – sq. i imi). Përkundrazi, vazhdonte artikulli – është një sasi jashtëzakonisht e madhe e materies, ngjeshur në një pako shumë të vogël – imagjino një yll dhjetë herë më masiv se Dielli, i ndrydhur në një sferë përafërsisht me diametër sa New York City…”.

Dhjetë diej… mrekullia vetë, kur dihet që shkenca tërë kohën është vetëm duke spekuluar për Diellin, thua se shkenca ditka aq shumë për Diellin!
Në një koment timin, një apo dy vite më parë, pata shkruar: “…shkenca është e mrekullueshme, na magjepsë, na mahnit, na huton, na bënë të qeshim e ndonjëherë ndoshta na bënë dhe “qesharakë”. Është çështje përspektivash mbase… Bie fjala, thua se njeriu ishte aty afër si një Atlas muskuloz dhe e ka matur në peshore Diellin (ndonjë peshore me saktësi të orës atomike duhet të ketë qenë). P.sh. shkenca thotë: ylli ynë Dielli “lehtësohet” gjatë një sekonde të vetme për rreth 4 miliardë kilogram. Uaaaaa, vetë Nëna e Saktësive të Universit, prej nga një saktësi aq precize për një masë aq marramendëse, të pakapërthyeshme – e cila masë thjesht e “çorodit” secilin instrument të mundshëm të botëve, qoftë dhe diç grandioze si instrument me përmasat e një planeti. Masat yjore sikur do ta çorodisnin çdo gjë, secilin instrument tokësor përveç atij të arsyes!

Pra, nëse bota shkencore di aq shumë për “vrimëzezat” pse pra “Science-NASA” të brengoset se shkencëtarët mund të ngatërrohen dhe t’i marrin si “vrima boshe”! Hm.

Dhe dmth. ec e mos buzëqesh me buzëqeshjet e Hawking, me ikjen e tij aq laaaarg për të buzëqeshur, thua se s’kishte ku më afër!
Një buzëqeshje tjetër simpatike e tij është dhe ajo rreth “vertikales” së diagramit të Kohës. Pra te kësaj kohës (që nuk e kemi idenë se çfarë është – por që e shoh se duhet ta mbyll këtë shkrim : ) dhe asaj kohës që psh. Ajnshtajni e konsideron si “dimension”, dhe e lidh me dimensionin tjetër, hapësirën për të patur “kohë-hapësirën”… Hawking ia shton kohes dhe një ekstra-dimension, sipas tij koha nuk rrjedh vetëm, ta zëmë “majtas-djathtas” por edhe “poshtë-lart (ose lart-poshtë)…

Ngushëllimi i vetëm mbase mund të jetë që Hawking megjithatë kohen e la “2-dimensionale” (si vizatimi “vitruvian” i da Vinçit) nuk e bëri 3-d. Përndryshe, sot padyshim do ta kisha shpikur dhe patentuar një giroskop kohor 3-dimensional… një “time machine” për të udhëtuar nëpër kohë, e jo vetëm për t’u vërtitur në vend… brenda kupolës observatorike.
Ashtu, mbase në cilëndo datë historike personale do ikja tani, ku di unë… ndoshta në datat djaloshare, në datën e “puthjes së parë”, apo të “përqafimit…” e kështu me radhë.

Prandaj disa gjëra, qofshin në shkallë nanoskopike qofshin mega-problematie (psh. si vrimëzezat e Hawking : ) unë i katalogoj në mbamendje jo si terma kompleks as si formulacione definitive, por thjesht si “buzëqeshje” të ëmbla. Cilado buzëqeshje, qoftë ajnshtaniane qoftë e lindur në kokat tona, mbase na ndihmon ta shohim botën më të diellosur, më të arsyeshme, më të pastër, më të ngrohtë, ashtu siç është dhe vetë buzëqeshja.