Puthja më “Historike” në Historinë Politike!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2013 (Koment)

(…versioni i pikturuar ishte një puthje frymëzënëse, ngulfatëse, në të cilën akterët jepnin e merrnin si tepër me njëri-tjetrin, pavarësisht aludimit simbolik që nuk kishte asnjë të ardhme në një marrëdhënie politike të helmuar…)

Njëra nga puthjet më të njohura në histori si duket mbetet puthja gojë më gojë e udhëheqësve komunistë Honecker nga Gjermania Lindore dhe Brezhnjevit të Bashkimit Sovjetik. Puthje që ndodhi në 30-vjetorin e Republikës Demokratike Gjermane, në Qershor të vitit 1979. Kur Brezhnjevi e përfundoi fjalimin e tij, Honecker i hapi krahët për ta uruar me përqafim dhe me një puthje të madhe (një ritual normal ky për liderët komunistë).

Kishte me dhjetra fotografë në vendin e ngjarjes për ta kapur atë moment historik, njëri nga ta si duket e ka patur “momentumin” më të përsosur, që t’i zinte me një “klik” dy burrështetasit në momentin vendimtar.
Shumë gazeta e revista të ndryshme të Evropës patën bërë bujë, thuhet se një revistë e Parisit ia pati kushtuar dy faqe të tëra, dhe atë me titullin “Puthja”. Thua se puthja e tyre ia kalonte artistikisht dhe vetë të famshmes puthje, “Le Baiser” të Auguste Rodin!

Përkundër natyrës së çuditshme dhe përqeshjes nëpër shtetet perëndimore, puthja në fakt ishte shenjë e zakonshme e solidaritetit socialist. Me gjasë, të dy liderët e pëlqenin paksa si tepër “puthjen solidarizuese”, dhe nga fotoja shihet se Honecker dhe Brezhnjev kanë qenë më shumë entuziastë sesa mesatarja lidhur me puthjet.
Duke i paralelizuar gjërat e historisë, mua megjithatë nuk më ka rastisur t’i shohë liderët tanë “historikë” të puthen ashtu, as ata andej gardhit të kuq, as këndej…, as “xhaxhi-hoxhët” as “hoxhi-xhaxhët” : )!

Një dekadë më vonë, pas rënies së Murit të Berlinit në Nëntor të v. 1989, në frymën e artit soc-realist nga një artist me emrin Dmitri Vrubel qenka pikturuar një version i “Puthjes Vëllazërore” në rrënojat e Murit. Ai duhet ta ketë parë dikur foton në revistën e vjetër të Parisit, dhe i frymëzuar e paska bërë kopjen në anën lindore të Murit.

Puthja e pikturuar ishte një puthje frymëzënëse, ngulfatëse, në të cilën akterët jepnin e merrnin si tepër me njëri-tjetrin, pavarësisht aludimit simbolik që nuk kishte asnjë të ardhme në një marrëdhënie politike të helmuar. Në fakt, piktura qe quajtur “Puthja e Vdekjes”, dhe mund të lexohej në të: “Perëndi, më ndihmo për të mbijetuar këtë dashuri vdekjeprurëse”.
Qe bërë njëra nga pikturat më të famshme ndër Muralet e Anës Lindore, dhe kur në vitin 2009 qe urdhëruar nga qeveria që të largohej, trazirat publike e çuan Vrubel që ta pikturonte rishtas…

***
Kishte mjaft batuta dhe shaka lidhur me Brezhnjevin. Psh. njerëzit talleshin me pangopsinë e tij për medaljet e për shkëlqimet, të cilat medalje ia dhuronte vetes (në ditëlindjet e veta), ose kujtonin se ishte gjysmë-analfabet, në Olimpiadën e v. 1980, Brezhnjevi ia fillon fjalimit:
– “O!” – publiku duartroket, “O!” – rishtas duartrokitje, “O!” – më shumë duartrokitje, “O!” – ovacion e brohoritje, “O!” – gjithë publiku ngrihet në këmbë dhe duartroket me të madhe.
Një ndihmës i tij afrohet dhe i pëshpëritë:
– Këto ishin unazat e logos olimpike, nuk ka nevojë për t’i lexuar ato!