Oscar Wilde dhe Stigma e Kohës – Gjeniu i Stigmatizuar!

S. Guraziu – Ars Poetica, D 2018

Njëri nga shkrimtarët më të njohur të epokës Viktoriane, Oscar Wilde, pati rënë viktimë e ligjeve të kohës, atëbotë në Angli e penalizonin homoseksualitetin – Disa nga thëniet e tij briliante i “lidha” së bashku në një “periudhë” paragrafike; Wilde thua se i “jepte këshilla” vetvetes në radhë të parë, thëniet e tij thua se janë psikologjisje të ditëve vetmitare e të dhimbjes, revoltë e pastër e intelektit, copëza persiatjesh, perla të ndjenjës së pafajsisë, diç si feksime veçuar nga një “monolog më i gjatë ngushëllues”…

Ndoshta disa nga thëniet e bukura të tij (pavarësisht se kur janë hedhur në letër, në akëcilën fazë të mëvonshme) mund t’i kenë “shkrepur” në kokë pikërisht gjatë atyre 2 viteve të gjata të burgut. I ngrati Wilde, e patën futur në birucë pa “bërë asgjë”, vetëm sepse pati qenë ai që ishte. Iu pezullua liria një intelektuali, një gjeniu, historia e asaj periudhe kohore Ishte thjesht pafatësia, e viktimizoi vetë stigma e kohës. Në Francën më liberale psh. s’do ta kishin burgosur, mbase do ta vuante “distancimin” publik, stigma s’vlente vetëm andej La Manshit, vlente gjithandej Evropes, por ama mbase s’do ta akuzonte kush për “perversitet” e të ngjashme…

Të jetosh është gjëja më e rrallë e kësaj bote. Shumica e njerëzve vetëm ekzistojnë (nuk jetojnë). Ji vetvetja; (të jesh dikush tjetër s’ia vlen) të gjithë të tjerët tashmë janë të “zënë”. Fol për historinë tënde, sepse… shumica e njerëzve veç janë “të tjerët”, mendimet e tyre janë mendimet e dikujt tjetër, jeta e tyre është mimikëri, pasionet e tyre janë thjesht citat. Është absurd t’i ndash njerëzit në të mirë dhe në të këqij. Përvoja është emër që secili ua jep gabimeve të veta. Njerëzit ose janë simpatikë ose të mërzitshëm. Jepi dikujt një maskë dhe ai do ta tregojë fytyrën e vet të vërtetë.” – Oscar Wilde

***
Thelbin e një artikulli më të gjatë nga D. Worthington, në “New Historian”, e thuktova si vijon:
“Në v. 1895, Markezi i Queensberry e denoncoi Wilde si një homoseksual. Ai dyshonte se Wilde kishte një marrëdhënie intime me djalin e tij, andaj filloi ta etiketonte publikisht si një pederast a njeri pervers. Markezi ishte një ateist i mirënjohur, i cili madje qe “përzënë” nga Dhoma e Lordëve, për pikëpamjet e dyshimta. Jeta e tij personale ishte gjithashtu e shqetësuar nga kaotikja dhe tragjeditë. Wilde iu përgjigj akuzave duke e paditur Markezin për shpifje. Natyrisht, Wilde e dinte se akuzat e tij nuk ishin shpifje, por duhet të ketë pandehur s’do jetë e mundur që akuzat të vërtetoheshin. Mirëpo Markezi pati qenë në gjendje të ofronte prova e dëshmi, dhe e pati bërë. Gjykata e Mbretërisë, duke marrë parasysh faktin se homoseksualiteti ishte i jashtligjshëm në Angli, e lëshoi ​​një urdhër arresti për Wilde. Nga gjykata qe gjetur “fajtor” dhe qe dënuar me dy vjet punë të rëndë. Pas lirimit, Wilde iku në Paris (Franca s’kishte ligje kundër homoseksualitetit) dhe u përpoq ta rifillonte karrierën si shkrimtar. Për dekada me radhë, shkrimet dhe dramat e tij qenë injoruar, duke zbuluar stigmën e fuqishme të kohës lidhur me homoseksualitetin…”

Oscar Wilde