S. Guraziu, 2010
(si një “monark” ndjenjash ndiq trajektoren e ëndrrave)
Metafora është trop i nxehtë, me vargje s’imitohet as yll as diell, anise prore i zjarrtë pretendon të jesh, mos ik tani, fal ngrohtësi për brezat, fshije ekuatorin imagjinar të zemrave, zhduke hijen rrethore pa fill as fund, si diell buzëzjarrtë, njërën buzë në Veri, tjetrën në Jug.
*
Kërkon koordinata tropikale, e rrotullon zemrën si glob, vërtitesh rreth sferës, por s’ka ishuj “paradise” gjeografia e zemrës, thjesht mbylli sytë, le të dynden engjëj ndjenjash, njësoj si fluturat, mos i trazo, ndiq dhe ti “trajektoren” e ëndrrave.

* Lepidoptera – një rend i insekteve që përfshin kryesisht flutura. Lepidoptera përbën jo më pak por rreth 10% të specieve të përgjithshme ndër organizmat e gjallë! Fluturat që nga kohët e lashta janë simbolika më e “përkryer” poetike dhe pothuaj është e paimagjinueshme të anashkalohen nga cilido krijues. Me termat e “shkencës”, njihen rreth 180.000 lloje të Lepidopterasë, nga studiusit janë ndarë në 126 familje dhe në 46 mbigrupe. Cikli jetësor i Lepidopterasë i ka katër faza: veza, larva (vemja), pupa (krizalida) dhe metamorfoza e plotë në insektin e rritur. Është i njohur migrimi spektakolar i Lepidopterasë, dhe është tipik sezonal. Migrimet më të njohura janë ato të fluturës “Monark”, duke u dyndur nga Meksikoja e deri në veri të ShBA, si dhe në Kanadanë Jugore, një distancë pothuaj e pabesueshme prej 4000-4800 kilometrash. Emri Lepidoptera, rrjedh nga fjalët greke “lepido” për leskër ose luspë (mikroskopike) dhe “ptera” për krahë. Konsiderohet ndër grupet më të suksesshme të insekteve, janë gjetur në të gjitha kontinentet (me përjashtim të Antarktikut). Pjesa dërrmuese e Lepidopterasë jetojnë në regjionet tropike, por një shumëllojshmëri e konsiderueshme ekziston në të gjitha kontinentet. [ Përgatiti S. Guraziu, 2010 ]
