Gjashtë Statujat e Kontinenteve, 1878

Gjashtë Statujat e Kontinenteve, 1878

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2014 (publikuar dhe në gazetën “Rrënjët”, Itali)

…u desh pothuaj një shekull pas zbulimit të kontinentit të 4-të që të “pranohej” intelektualisht koncepti i ri i botës, gjeografia e re kontinentale. Statujat e kontinenteve (ose të cilat i “prezantojnë” figurativisht kontinentet) u blenë nga shteti francez për World Expo të v. 1878 në Paris, nga skulptorë të ndryshëm. Thuhet se më parë skulpturat ishin vendosur në kopshtin e pallatit Trocadéro, tani ndodhen të instaluara para hyrjes së Musee d’Orsay.

Gjashtë Statujat e Kontinenteve, 1878

Statujat e kontinenteve (ose të cilat i “prezantojnë” figurativisht kontinentet) u blenë nga shteti francez për World Expo të v. 1878 në Paris, nga skulptorë të ndryshëm.

Pak fjalë si koment… me nga ndonjë kokërr gazmore, aty-këtu : )

Sa për emrat e kontinenteve dihet që dy prej tyre, Europa dhe Azia erdhën sipas emrave të mitologjisë greke. Është interesante, qoftë dhe si koinçidencë apo rastësi që përveç Europes, emrat e kontinenteve fillojnë dhe mbarojnë me të njëjtën germë. Apo ndoshta dhe nuk është aspak “interesante”, sepse në latinisht (dhe në anglisht po ashtu) fillojnë dhe mbarojnë me të njëjtën germë. Në anglisht vetëm Europe mbaron me “e”, dhe mendohet se kjo pati ngelur nga frëngjishtja normane, kur ata e pushtuan Anglinë në vitin 1066. Në frëngjisht të gjitha mbarojnë me “e-në” e pazëshme, psh. Amerique, Europe, Afrique, Antarctique.

Por termat, si dhe vetë emrat gjeografikë nuk janë fuqizuar aq “lehtë” për t’ngelur në përdorim pikërisht kështu siç janë sot. Kjo mbase dhe nënkuptohet.
Sidoqoftë, në një artikull të New York Times, me titull “The Myth of Continents – A Critique of Metageography” by M. W. Lewis and K. E. Wigen (1977), thuhej se u desh pothuaj një shekull pas zbulimit të kontinentit të 4-të që të “pranohej” intelektualisht koncepti i ri i botës, ose gjeografia e re kontinentale. Thuhej aty se një publikim francez për hesapet gjeografike i vitit 1555 (dmth. edhe pse Amerika qe zbuluar për 50-60 vite tashmë) akoma e paraqiste botën sipas modelit 3-kontinental, Europa-Afrika-Azia… ashtu siç njihej që nga kohët e vjetra.

Apo ndoshta dhe s’kishin faj, aq ishte bota e atëhershme, ishin 3 gjeo-njësi tokësore, herë si pllakash mbi ujë, për dikend tjetër si ishuj, herë si gadishuj… dhe ashtu-kështu, veç ishin të lidhura ngusht me historinë e me mitologjinë e popujve.

Nga mitologjia greke, Europa ishte një princeshë e bukur fenikase, vajzë e Agenorit, mbretit fenikas dhe e mbretëreshës Telefasa (në shumë vende Telefasa referehohet dhe si Argiopa), ose madje ndoshta Europa ishte vajzë jo e Agenorit, por e Feniksit dhe e Perimedes (Feniksi vetë ishte i biri i Agenorit)!
Natyrisht, është aq e koklavitur mitologjia greke, dhe duke qenë shumë versione për të njëjtat gjëra… askush s’mund të thotë strikt, e vështirë të thuhet diç “shkencërisht” : )

Artistikisht, tema e Europes dhe e Zeus Dem-ushit ishte aq e popullarizuar ndër artistët klasikë, ndër piktorë e ndër skulptorë evropianë, ekzistojnë panumër piktura e skulptura nëpër muzeumet e botës, ose ndër koleksione private.
Gjithçka pati filluar kur një ditë, derisa Europa po lozte me shoqet e veta në plazh… apo diku buzë detit, qe vënë re nga Zeusi dhe i cili thuhet se pati ngelur fort i mahnitur nga bukuri e saj. Qe befasuar vetë Zeus Perëndia, qe mahnitur aq sa, edhe pse hyjnor u dashurua në Europen (hehh paçka se Zeusi ishte i martuar madje, vetë Hera ishte gruaja e tij)

Dhe i ngrati Zeus që ta mbante sekret për gruan e vet (dmth. këtë “marrëzi” të re të zemrës – s’do mend se ai e donte dhe Herën, përndryshe s’do ishte martuar me të, por dhe për t’mos e trembur me pamjen hyjnore princeshën e njomë Europa, thjesht pati zgjedhur ta merrte formën e një demi të bardhë. Ashtu si dem i bukur dhe i këndshëm i qe afruar dhe pati ruajtur durimin këmbëngultësisht derisa Europa qe miqësuar me të.

Në fund (kur ajo veç e pati fituar besimin e asaj “kafshe” të bukur, që për çudi nuk largohej) në lojë e sipër ashtu siç ndodhej hipur në qafën e tij, Zeusi u nis dhe e kaloi detin për ta sjellur në Kretë, në vendlindjen e tij. Shkurt e troç, Dem-Zeusi si një valentinian i dashuruar gjer në veshë, e pati mashtruar, e pati manipuluar, e pati rrëmbyer Europen… dhe sipas tij, gjithçka në emër të dashurisë. Por ja që s’ke ç’bën… nëse të kesh punë me vullnetin hyjnor, s’ke madje as ku ankohesh nëse të rrembejnë zotat, apo dhe më saktë, vetë Kryezoti!

Europa

Pra Europa jonë bukuroshe, kjo princeshë moderne e mban emrin e një princeshe të bukur mitologjike… aq e bukur ishte, baraz me bukurinë hyjnore, mjaftueshëm e bukur sa për t’u dashuruar dhe vetë perënditë, e pse jo dhe për t’u bërë “xheloze” perëndeshat!

Meqë ra fjala e xhelozisë, unë vetë tani për tani s’kam argumente nëse Hera e pati marrë vesh çapkënllëkun e Zeusit, apo thjesht pati heshtur nga inati, por mitologjia na ofron madje dhe dëshmi sa i përket xhelozisë hyjnore. Vallë a nuk qe trazuar nga xhelozia Venera (dmth. vetë Afërdita, perëndesha e dashurisë dhe e bukurisë) në Psiken bukuroshe të Amorit?!

Mirëpo edhe sikur Hera ta kishte çarë kokën fort për “problematikën zeusiane” (të mosngopjes me dashuri), për Zeus valentinianin nuk ishte as hera e parë as e fundit, dihen të gjitha aventurat e tij dhe dashuritë e shumta… Psh. Ganimedi bukurosh qe rrëmbyer po ashtu nga ai, kur Zeusi kësaj radhe nuk qe kthyer në një dem bardhosh, por në një shqiponjë madhështore. Ai gjithmonë, sa herë i rrëmbente dashuritë e veta, transformohej në diç tjetër, pra kush na garanton sot neve që merremi me mitet e me kronikat se, bie fjala Kazanova i dikurshëm dhe cilido i së sotmes, apo dhe ai Don Zhuani etj. nuk ishin ndokush tjetër por vetë Zeus valentiniani!? Jo pra, s’kemi asnjëfarë garancie.

Më vonë, sa i përket “homoseksualizmit zeusian”, Platonit të mençur s’kishte kush t’ia hiqte nga koka aspektin e mitit të Ganimedit bukurosh, të gjitha fajet për format e “paiderastía”-së sociale në Kretë, siç e quante ai problemin… ia ngarkonte Zeusit. Ndërsa po, në rastin e Ganimedit thuhet se Hera qe bërë fort xheloze, vetëm Hera si e vetmja. Pra kësaj radhe i kemi pohimet e drejtpërdrejta nga mitologjia, qofshin si spekulime të thjeshta apo qofshin dhe si hipoteza të avancuara të së kaluarës, të cilat kontribuan pa hile për rrënjëzimin e mitit.

Azia
Azia, bazuar në mitologjinë greke, ishte një vajzë e hyjnive titanike, e titanit të qujtur Oqean dhe e titanidës Teti, dhe më pastaj Azia qe nëna e Atlasit, e Prometeut, Epimeteut dhe e Menoteut.

Afrika
Afrika u quajt ashtu nga romakët e vjetër, sipas popullit që jetonte në ato treva dhe veten e quanin “Afri”, por romakët atëbotë e kishin fjalën vetëm për pjesën veriore afrikane, termi si emër për gjithë Afikën e sotme u “rrënjëzua” më vonë.

Amerika
Amerika u quajt sipas emrit të latinizuar “Americus Vespucius”, të Amerigo Vespucci-t, dhe mirë… kjo e qartë, e lehtë për ta kuptuar këtë. Por se përse ky kontinent nuk u quajt bie fjala “Kolumbia”, pasi që detari i mirënjohur Kolumbo ishte atje para Amerigos, sot nga ne mund vetëm të hamendësohet, apo dhe të spekulohet ndonjë gjë.
Psh. duke e ditur që i ngrati Kolumbo madje pati dhënë shpirt duke menduar se e kishte zbuluar rutën e re “perëndimore” për Indinë (për më tepër ai ashtu dhe i pati quajtur indigjenët apo vendasit atje, “indianë”), atëherë mbase Kolumbia e sotme, emërtuar sipas emrit të tij, dhe është e mjaftueshme si mirënjohje e meritokracisë kolumbiane sa i përket zbulimeve : )

Antarktika
Antarktidën e kemi nga fjala greke “anti” dhe “arktikos”, që do të thotë fjalë për fjalë “e kundërta e veriut”, dhe Arktik nga “arktos”, që do të thotë “ariu”, dhe pasi që Arusha e Madhe si plejadë yjore-qiellore paraqet apo përfaqëson Veriun.

Australia
Australinë e kemi nga fjala e latinishtes “australis” që do të thotë “jugor”, në latinisht emrat gjeografikë janë në gjininë femërore, psh. Francia, Scandinavia, Germania, Britannia, Iberia, Persia… padyshim është menduar diç si “kontinenti jugor”… po t’ishte fjala për shqipen, mbase dhe ne do ia thoshim “Jugoria”, ose ngjashëm.

Skulpturat në foton e bashkëngjitur, sipas radhës:
1. “Europa” – punuar në vitin 1878 nga Alexandre Schoenewerk (1820-1885)
2. “Amerika Veriore” – punuar në vitin 1878 nga Ernest-Eugène Hiolle (1834-1886)
3. “Azia” – punuar në vitin 1878 nga Alexandre Falguière (1831-1900)
4. “Afrika” – punuar në vitin 1878 nga Eugène Delaplanche (1836-1891)
5. “Amerika Jugore” – punuar në vitin 1877 nga Aimé Millet (1819-1891)
6. “Oqeania” – punuar në vitin 1878 nga Mathurin Moreau (1822-1912)