S. Guraziu – Ars Poetica, P 2018 (hm, drita nëpërmjet vetvetes si dritë na e “lejon” të flasim me gjuhën artistike të dritës )
(…venerat e mermerta mund t’na duken si objekte të “përjetshme” – e marrim fare të natyrshme që ato t’jenë jetëgjata – të gjitha skulpturat e gurta thuase i rezistojnë përjetësisë, u rezistojnë shekujve e mijëvjeçarëve…)
***
Objektet “skulpturale” prej drite – Makoto Tojiki (lindur 1975), artist dhe dizajner japonez, e përdor dritën si mediumin kryesor ekspresiv (ose të shprehjes artistike). Tojiki është i frymëzuar nga ndërlidhja e dritës dhe hijeve, duke eksploruar mundësitë e manipulimit dhe të kontrollit të tyre. Procesin krijues e fillon duke zbërthyer lojën e dritës dhe të hijeve për të kapur thelbin e simbiozës së tyre. Eksplorimi i tij rezulton në imazhe jetëshkurta (teknikisht mbase jo, por “figurativisht” pothuaj si holograme) që janë aq efemere (kalimtare) dhe enigmatike sa dhe vetë hijet.
***
Ta gdhendësh një “Venera” hyjnore-mitologjike nga mermeri “fisnik”, ngjeshur a ngopur me hirin artistik, si një çubardhoshe skulpturale (psh. si skulpturat e “përkryera” të Antonio Canova, apo të Auguste Rodin, apo të Berninit, të Donatellosë, të Mikelanxhelosë, apo madje dhe si të Constantin Brancusi-t etj etj.) është fare diç tjetër… sesa të krijosh “imazhe luminale”, ose objekte skulpturale prej drite.
Afërmendsh që është “ndryshe”, si proces artistik por dhe si produkt final, si ekspresion artistik.
Venerat e mermerta mund t’na duken si objekte të “përjetshme” – e marrim fare të natyrshme që ato të jenë jetëgjata – të gjitha skulpturat e gurta thuase i rezistojnë përjetësisë, u rezistojnë shekujve e mijëvjeçarëve.
Mirëpo ja që artistët kontemporanë mund ta zgjedhin pikërisht dritën si medium artistik. As mermerin, as gurin, as drurin… por pra dritën!
Derisa po shihja disa foto të veprave të Makoto Tojiki (fotot servirur nga vetë artisti me rezolucion shumë të lartë, për arsye të detajeve dhe specifikave), sikur po thosha mëvete:
“vallë… holograme, ç’të jenë, mbase s’mund të quhen skulptura holografike, paçka se 3-dimensionale, ç’janë atëherë këto vepra artistike kur mediumi është vetë drita, janë 3d-imazhe, apo meqë kanë 3-dimensionalitetin mos vallë megjithatë janë objekte skulpturale… hm”?!
Edhe pse nuk është fjala për diç “jokauzale me artin” (në fakt përkundrazi – në rastin e “dritës” së Tojiki sikur kauzaliteti medium-art është vetë thelbi), dhe as nuk është fjala për asimilimin e ndonjë “preriferie kuazi-artistike”, m’u kujtua teoricienja e mirënjohur kanadeze Linda Hutcheon, tek e citonte Viktor Shklovskin.
“Ne, teoricienët, duhet t’i njohim ligjet e periferikes në art. Në të vërtetë, periferikja është një dyzinë elementesh joestetike. Ajo është e lidhur me artin, mirëpo kjo lidhje nuk është kauzale. Për të mbijetuar, arti duhet të disponojë materiale të reja të papërpunuara. Infuzionin e periferikes” !
Drita s’është “medium” artistik i ri, as i panjohur, ishte dhe ende është një medium i “papërshtatshëm”. Andaj po mendoja, ndoshta s’do të thotë që të ngelet përgjithmonë i “papërshtatshëm”.
Nga fizika kuantike e njohim “dyfytyrësinë” e fotonit (sa i përket dyfytyrësisë shkencëtarët s’kanë qenë kurrë aq të sigurtë, nuk janë as sot e kësaj dite – e ndoshta as për pafytyrësinë fotonike, gjithsesi) fenomenin e çuditshëm shkencëtarët e shpjegojnë pakashumë si vijon: fotoni tërë kohën na “shtiret” edhe si grimcë por dhe si valë; edhe-edhe, as-as, sipas tekave e hujeve të veta!
Dhe pastaj shkencëtarët tutje thjesht i rrudhin supet. Fare në rregull, s’kanë pse ndjehen “ngusht”, sikur që s’kam faj as unë tani që s’e ditkam se ç’na qenka drita : )
Dmth. nëse e marrim parasysh atributin fotonik si “grimcë” (siç pohojnë shkencëtarët), atëherë e lehtë të konludohet që drita është dhe medium fizik. Nëse drita i takuaka “fizikës” pra do duhej t’ishte e lehtë që veprat e artistit japonez Tojiki t’i quajmë “skulptura të dritës” (ose diç ngjashëm).
Mirëpo, hm… dhe aq e “lehtë” nuk është. Sepse duhet të përballemi me problemin e “masës” fotonike. Respektivisht… fotoni mund të “shtiret” si grimcak e si çapkaman, tamam si t’i pëlqejë, sipas “tekave”, por ama nuk posedon masë. Nëse diç nuk posedon masë atëherë si mund diç “valore” të quhet “thërmijore” dhe t’i takojë domenit fizik? Hm!
Mirëpo në rregull, ende nuk e kemi idenë e “tekave” fotonike. Po ta dinin shkencëtarët, padyshim do ta dija dhe unë tani : )
Sidoqoftë, e thënë shkurt, kjo çudi paradoksale fotonike është thjesht një enigmë e sub-universit kuantik.
Ja pse s’di as unë si t’i quaj veprat e mrekullueshme prej dritë-hijeve të japonezit Tojiki. Mbase mjafton që ato janë “art”. Mjafton që drita përveç si “grimcë” mund të shtiret dhe si “valë”, përveç si medium është po ashtu dhe art. Hm, dmth. drita nëpërmjet vetvetes si dritë na e “lejon” të flasim me gjuhën artistike të dritës. Mrekullia vetë.
Këso atribute të dritës duken të koklavitura njësoj si dhe universi kuantik-fotonik që e cekëm më lart. Por sigurisht që s’është e njëjta siç me problematikën “kuantike”. Pasi bie fjala dhe ujin mund ta përdorim si “medium”, sikur dhe secilin element tjetër (ne madje sot, në rastin e artit digjital i përdorim dhe “xixat pikselative” si medium – e që janë diç si “blloqe” miniaturale të dritës).
E dimë, me ujin e “akullzuar”, me akullin mund të ujdisim lloj-lloj skulpturash e objektesh artistike (paçka se nuk do ta kenë “përjetësinë” e mermerit). Ose nëse ta shihnim një figurë që merr formën e rritet nga “shkuma e detit” (ngjashëm si Venera mitologjike psh.), apo më mirë thjesht si një Poseidon tek merr formën nga valët e oqeanit (madje tingëllon pothuaj epikale : ) dhe pastaj ashtu si një Poseidon i lëngët kërruset për t’i mbushur pëllëmbët, e për ta shuar etjen… Bah, pothuaj nonsens – por ja që uji është ai “mediumi” për të cilin po flisnim, dhe i cili tashmë si formë artistike natyrisht duhet ta shuajë etjen e vet.
Njësoj ndoshta si dhe “drita” e japonezit Tojiki.
Edhe = Edhe, edhe Dritë edhe Art – edhe Grimcë edhe Valë, do buzëqeshte Ajnshtajni… pas kokëdhimbjes me ato “kuantikat” e veta : )