Amy Gerstler – Në Pranverën e Përjetshme

NË PRANVERËN E PËRJETSHME
Amy Gerstler [ 1956, ShBA ]

Edhe kopshtet janë vende të mira
për pikëllimin e heshtur. I kalon
shtretërit e zambakëve me gjemba
dhe udhëton nëpër rrënjët
e një peme të ëmbël të gomës,
në kërkim të bimëve mesjetare
gjethet e të cilave, kur këputen
dhe bien në tokë, kthehen në zogj,
dhe në peshq me ngjyra
nëse zhyten në ujë.

Papritmas dëshira arketipale
e njeriut për paqe me të gjitha
speciet tjera të pushton.
Luani dhe Qengji përqafohen.
Gjarpëri dhe Kërmilli, puthen.
Madje dhe gjembat e gjembaçes,
mbretëreshës së barërave të këqija,
e ngjallin besimin tuaj të fshehtë
në pranverën e përjetshme,
besimin tuaj se për çdo lëndim
ka një gjeth për ta kuruar atë.

– – –
© Amy Gerstler, 1990 – Burimi: Bitter Angel: Poems (1990) – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2018