Teknologjia vs. Natyrës – Predikatet, Euforia, Dashuria…

…mediat aneskaj botës na bombardojnë me klishe e gjërash të stërthëna; vazhdojmë të merremi me predikate etike e filozofike, flasim për resurse natyrore, për vizione shkencore, për çrregullime klimatike, për fatkeqësi natyrore, për bukuri natyrore, për “energji të gjelbër”, për tesla-mençurirat e për alternativat, për mjedisin e habitatin natyror, për mrekullitë natyrore etj. etj., gjithmonë e kemi “natyrën” subjekt të moralizimeve, por pothuaj kurrë s’flasim seriozisht për ndarjen, për çarjen kyç… për hendekun e panatyrshëm mes nesh dhe të natyrshmes ekzistenciale, e shohim se si hendeku “thellohet” çdo ditë e më shumë, e prapë sikur më me dëshirë “filozofojmë” për buxhete ushtarake, për tankset e avancuara, për raketa te “riciklueshme”, për luftrat, për karburantet e për politikat, për nëndetëset e ndryshkura, për injorancat e për arrogancat, për shpërnguljen në Mars, për terraformimin e ndonjë planeti alienik – vallë, vetëm 2-3 shekuj teknologjikë dhe të avujve, vetëm 1 shekull i “shell-istëve” me ndryshkurinat e tyre që ekzistencialja të hidhet nga balansi, t’na çoroditet i gjithë planeti, pas miliarda vjet të ekzistencës së balancuar… tani gjithçka na qenka nisur drejt fundit e drejt pakthimit, me miliarda vjet speciet në harmoni të përkryer me natyrën, tashmë “Nëna Natyrë” (ajo Nënëlokja stërplakë e dinosaurëve) në agoni e sipër, në grahmat e fundit, s’do jetë tutje në gjendje ta përkrahë as jetën as veten, vetëm 1 shekull tymërash të shell-istëve… dhe tashmë duke lënguar, e përcëlluar nga rrezatimet kozmike, nga zonat kancerogjene e nga vrimat ozonike, nga shembja e qiellit, nga ngërçet spazmatike, nga lloj-lloj lëngimesh të jonatyrshme, nga difekte e dhimbjesh shkaktuar nga vetë “fëmijët” e saj, nga tekno-njeriu me planin A (ekzistencialist) të “shpenzuar”, në kërkim të një plani B…
(sguraziu, maj 2018)

***
…në ceremoninë e sivjetme të çmimeve Oskar, pas nderimit me çmimin nga Akademia, aktori amerikan Joaquin Phoenix në fjalimin e tij skajshmërisht emocional, me fjalë të tjera i përmendi pakashumë të njëjtat probleme, ai tha se mendësia e fiksuar e njeriut për dominancën mbi speciet e planetit, mbi kulturat dhe popujt e tjerë, egocentrizmi dhe grykësia e tij… do duhej ta kenë një “shans të dytë”, sipas tij njeriu do duhej tashmë ta kishte nxjerr “leksionin” e vet – sipas Phoenix nëse botës i qasemi me dashurinë e kulluar mund ta arrijmë përkryerjen, gjenialitetin, zgjidhjen efikase të problemeve për të gjitha sentient-speciet e planetit, ai madje e “preku” shembullin më të thjeshtë, foli se si njeriu ia jep vetës legjitimitetin t’i “kultivojë kafshët industrialisht” (njësoj si t’ishin bimë, bio-eksperimente laboratorike, hortikulturash hibride), pastaj sapo ta shohin dritën e jetës… ua vjedhim “fëmijët” e tyre, kafshët e ngrata qajnë ne shtiremi të shurdhër e të verbër, s’dëgjojmë klithma shpirtërore, s’e ndiejmë përvëlimin e zemrave, s’i shohim lotët… qumështin i cili ishte i dedikuar për të vegjlit, edhe atë ua “vjedhim”, e ëmbëlsojmë kafenë tonë…
(sguraziu, shkurt 2020)