“Gjilpëra e Kleopatrasë” – Dhuratë Metropoleve të Perëndimit!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2018

(dhuratat e Muhamed Ali Pashes, Parisit, Londrës, Nju Jorkut… dhe “shpëtimi” i piramidave, falë francezëve – kishte një lloj “gare” mes metropoleve perëndimore, Nju Jorku ua kishte gjithmonë “zili” Parisit e Londrës për ekstravagancën, për madhështinë e prestigjin kulturor)

“Gjilpëra e Kleopatrasë” është emër i përbashkët për tre obeliskë monolitik të lashtë që sot ndodhen në Paris, Londër dhe Nju Jork, dhuruar këtyre qyteteve nga Egjipti në shek. XIX.
Konstruktuar rreth v.1450 p.e.s. nga faraoni Tutmoses III, hieroglifet në shtyllat gjigante qenë gdhendur rreth 2 shekuj më vonë nga faraoni Ramses II, si përkujtimore lavdisë dhe fitoreve të veta ushtarake. Përkundër sugjerimit të emrit “Gjilpëra e Kleopatrasë”, monumentet e dhuruara s’kanë të bëjnë asgjë me Kleopatran, përveç se në kohën e Kleopatrasë VII qenë zhvendosur nga Heliopolis në Aleksandri, për nder të Mark Antonit, të dashurit dhe më pas burrit të saj.

***
Ushtaraku osman me prejardhje shqiptare i quajtur Muhamed Ali, në v.1805 u caktua mëkëmbës i Sulltanit, u bë Pasha dhe sundues i Egjiptit, e drejtoi vendin deri në vdekjen e tij më 1849, por dhe ishte themelues i dinastisë që do të sundonte deri në Revolucionin e vitit 1952. Muhamed Ali Pasha njihet si hedhësi i bazave të “shtetësisë moderne” të Egjiptit. Sundimtari njihej për rreptësinë, thuhet se ishte mjaft energjik, njihet po ashtu tendenca e tij për modernizimin e Egjiptit. Gjatë 44 viteve në pushtet shumë nga dëshirat e tij rreth modernizimit u “zbatuan” në praktikë ose u shndërruan në projekte të mëdha publike, duke përfshirë bie fjala dhe Kanalin e Suezit.

“Gjilpëra e Kleopatrasë” në Paris

Në vitin 1829 Muhamed Ali Pasha ia dhuroi Frances dy obeliskë të vjetër mbi 3300 vjet, që ndodheshin në hyrjen e tempullit “Luksor”. Njëri nga ta pati mbërritur në Paris në vitin 1833, tjetri nuk ishte e thënë që t’bëhej i Francës, ngeli në Aleksandri për afro dy shekuj, deri në vitin 1990, kur Franca pati hequr dorë që ta sillte në shtëpi dhuratën e vjetër. Sot ndodhet si obelisk i “vetmuar” aty ku dhe ishte, në hyrje të tempullit “Luksor”.
Obelisku i sjellur qe montuar në “Place de la Concorde” të Parisit, vendi ku, bie fjala gjatë Revolucionit Francez qe “ujdisur” gijotina dhe ku, mes aq shumë kokash të rrokullisura, qe ekzekutuar dhe themeluesi i Kimisë moderne, Antoine Lavoisier.
“Gjilpëra e Kleopatrasë” në Paris është afro 23 m, peshon 227 tonë. Që nga transporti e deri tek montimi në vendet e caktuara nuk ishte aq e lehtë për inxhinierët e shek. XIX. Në praninë e rreth 200.000 njerëzve, inxhinieri Apollinaire Lebas e montoi obeliskun në vitin 1836. Por s’ishte punë e kryer as e përkryer, u deshën dhe 3 vite më pastaj që të rregullohej plotësisht në “vertikalen” e duhur. Maja apo “kapela” e obeliskut të Parisit qe vjedhur dikur, që në shek. VI p.e.s., në v. 1998 qeveria franceze vendosi për rregullimin e një maje të re në formë piramidale, 3.5 m e lartë dhe e cila u vesh me një aliazh metalik prej bronzi e floriri.

“Gjilpëra e Kleopatrasë” në Londër

Përpara se t’ia “falte” dy obeliskët Francës, historianët thonë se Muahamed Ali Pasha ia pati “falur” një obelisk dhe Anglisë. Dhurata për anglezët qe premtuar më shumë se një dekadë para dhuratave të Francës. Qeveria angleze atëkohë s’paska gjetur mjete financiare për transportin, apo s’ka patur vullnet të shpenzojë në këtë drejtim. Dhuruar në vitin 1819, e megjithatë paska ngelur në Aleksandri për gjysmë shekulli, deri në v. 1877, kur më në fund qenkan gjetur fonde. Sidoqoftë, gjatë rrugës, duke u ballafaquar me shtërngaten pontoni lundrues me monumentin paska pësuar aksident. Pak kohë më vonë qenka sjellur në një port spanjoll për riparime, dhe obelisku më në fund paska arritur në Londër, në vitin 1878.
Derisa obelisku i Parisit është “binjaku” monumental nga hyrja e tempullit Luksor, obelisku i Londrës është “binjaku” i atij të Nju Jorkut. Për dallim nga ai i Parisit, obelisku në Londër është i “shoqëruar” dhe nga dy sfinkse, kopje prej bronzi shtuar nga anglezët – sipas “traditës” faraonike sfinkset mbase duhet të jenë rojet e obeliskut.

“Gjilpëra e Kleopatrasë” në Nju Jork

Me hapjen e Kanalit të Suezit në vitin 1869, Kedivi* i Egjiptit Ismail Pasha e paska “përmendur” dhurimin e një obelisku Amerikës, duke shpresuar përmirësimin ose rritjen e tregtisë me amerikanët.
Po atë vit ShBA-të paskan përhapur fjalë se një obelisk iu paska dhuruar dhe atyre (pasi kishte një lloj “gare” mes metropoleve perëndimore, Nju Jorku ua kishte gjithmonë “zili” Parisit e Londrës për ekstravagancën, për madhështinë e prestigjin kulturor). Mirëpo në vitin 1877 paska dalë në “shesh” një lloj falsiteti i thashethemeve, meqë sipas egjiptasve s’paska qenë e vërtetë, ata e paskan mohuar “pohimin” e amerikanëve. Gjithsesi amerikanët e paskan bindur disi palën egjiptase, më në fund dëshira e tyre qenka plotësuar. Dhjetë vite më vonë, më 1879 dhurata e një obelisku amerikanëve qenka konfirmuar dhe me letër zyrtare. Në vitin 1880 obelisku “binjak” i atij të Londrës paska arritur dhe qenka motuar në Nju Jork.
Monoliti i lartë afro 21 metra, me peshë prej 220 tonë, gdhendur a konstruktuar në Heliopolis të Egjiptit rreth v. 1450 p.e.s, sot është objekti më i vjetër punuar nga dora e njeriut në Nju Jork.

Gjithsesi obelisku “amerikan” paska pësuar dëmtime të mëdha gjatë mijëvjeçarëve të trazimeve e të zhvendosjeve. Qenka rrëzuar e dëmtuar nga persianët në vitin 525 p.e.s. Paska ngelur i zhytur në ujë rreth 500 vjet, derisa romakët e paskan montuar rishtas në Aleksandri në vitin 12 p.e.s. ku pati ndenjur pa “lëvizur” për afro 2000 vjet.

“Gjilpëra e Kleopatrasë” – përkthimi i hieroglifeve të obeliskut në Nju Jork – nga Elbert E. Farman, 1908
(hieroglifet në monolitin e lartë afro 21 m, me peshë prej 220 t., qenë gdhendur nga faraoni Ramses II, dy shekuj pas konstruktimit nga faraoni Tutmoses III, rreth v.  1450 p.e.s. në Heliopolis)

“Shpëtimi” i piramidave, falë francezëve!

Historia thotë që piramida e Keopsit dhe dy piramida të tjera në Giza për pak sa nuk qenë rrënuar nga Muhamed Ali Pasha. Këto thesare të lashta e testamente të historisë së hershme faraonike do të shfrytëzoheshin si pjesë e planit për të modernizuar Egjiptin. Sot e vështirë për ta konceptuar, por në atë kohë sundimtari e kishte seriozisht. Ai thoshte se me gurët e piramidave do t’i ndërtonte disa diga për të shmangur përmbytjet e Nilit, që shkaktonin shumë fatkeqësi.
Pashai do t’kishte të “drejtë” në mendimin e tij (bazuar në logjikën dhe në dobinë reale ekonomike), sikur ai të kishte qenë para 3-4 mijëvjeçarëve të kohës së vet, Faraon, dhe ta braktiste totalisht idenë e piramidave. Në vend të kotësisë e të sakrificave të mëdha për ndërtimin e piramidave-varreza, thjesht do t’orientohej për ndërtimin e digave! Tani sado “praktike” t’i dukej pashait ideja rreth gurëve të piramidave si material ndërtimor (për digat e dobishme, që do ta ndihmonin ekonominë, krahasuar me ca objekte aty “kot” si piramida), megjithatë ideja për shembjen e tyre s’pinte ujë…
Piramidat atëbotë paskan shpëtuar falë vonesave të qëllimshme nga inxhinierët francezë, që ishin në shërbim të sundimtarit. Sipas tyre pashai ishte “shkurtpamës” ose s’ia dilte ta konceptonte, ama prishja e piramidave do t’ishte humbje e madhe sa i përket trashëgimisë kulturore e historike botërore.

– – –

* Kediv (turq. osmane – Hidiv) – ishte titulli zyrtar i guvernatorit të Egjiptit (nga 1867 deri 1914), për herë të parë i qe ndarë Ismail Pashës në v.1867, pasardhësit të Muhammed Ali Pashës.

Fotot:
– Statujë e Mbretëreshës Kleopatra VII (Dinastia Ptolemaike)
– “Gjilpëra e Kleopatrasë” në Paris, në Londër, në Nju Jork
– Tempulli Luksor – Obelisku i vetmuar, “vëllai” në Paris
– “Gjilpëra e Kleopatrasë” në Londër, arritja më 1878
– Reliev, tempulli Dendara – Kleopatra dhe djali i saj Cesarioni (“Cesari i Vogël” – nofkë, i biri i Jul Cesarit)