Louis Gauffier (1762-1801) – “Kleopatra dhe Oktaviani“, 1787
| – – –
…historia na i servir një grumbull Kleopatrash. Dinastia Ptolemaike, duke filluar nga Ptolemeu I, i numëronte jo më pak por rreth 10 Ptolemeusa dhe nja 7 Kleopatrash. Mirëpo si “Kleopatrën” më bukuroshe dhe më interesante për kronikat, për legjendat, për filmat e për letërsinë (psh. që nga Shekspiri e këtej – kujtohu, Antoni e Kleopatra ishte ujdisje shekspiriane) ne e marrim Kleopatrën e fundit, nr. VII.
Kur e prezantojmë ia themi shkurt Kleopatra, mbretëresha e Egjiptit të lashtë, e fundit e Dinastisë Ptolemaike dhe kështu sundimtarja e fundit Heleniste e Egjiptit. Ndoshta sepse ishte bukuroshja e fundit e një dinastie joegjiptase që pa pikë turpi na “shtirej” perëndeshë egjiptase. Ndoshta sepse ishte aq “lakadredhuese” e diplomacive, aq e zonja, e pati mahnitur perandorinë e Romës skaj më skaj. Aferat e saj aq të sofistikuara, ua pati bërë mendjen dhallë dhe perandorëve romakë.
Kleopatrën e kthejmë në të “përvetshme”. I shkelim 6 Kleopatra të Egjiptit, të cilat dhe sikur t’kishin jetuar varg e varg njëra pas tjetrës, prapë do bënin disa qidra vite prej brezash. Asgjë, i kapërcejmë dhe flasim për të fundit, për të 7-ën. Nganjëherë sikur them mëvete të gjitha fajet duhet ngarkuar Shekspirit. S’kanë faj historianët që s’dinë aq për 6 Kleopatrat pararendëse, pothuaj sikur për Kleopatrën e fundit ka 6000 libra voluminozë, ndërsa për 6 Kleopatrat tjera varg e varg as 6 libra modestë. Për këso dallime rreth pasurisë së “kronikave” më shumë fajtore mund t’jetë vetë pena shekspiriane.
Ose psh. imagjino detajin tjetër, askush i kësaj bote s’e ka idenë mirëfilli s’i dukej Kleopatra. Në disa portrete nga monedhat na del se Kleopatra VII ta ketë patur një hundë-krrabë. E megjithatë panumër artistë të botës nëpër pikturat e kanë “imagjinuar” si një bukuroshe të paarritshme. Jo vetëm e bukur por dhe e “elektrizuar”, e ngjeshur me seksualizmin, e tendosur si ndonjë bombulë – insistojnë piktorët. Mbase logjika i “shtynë” – përndryshe s’do ta mashtronte tek ashtu as Cesarin as Antonin, asnjë nga gjeneralët e Romës.
Portretet e “flashkëta” të monedhave na thonë Kleopatra hundë-shtrembër, por ja që Hollivudi e zgjedh ndonjë Elisabet Taylor për “rolin” e saj. Vetëm bukuroshet e kalibrit Taylor ishin të denja për rolin, assesi ndonjë aktore hundë-shtrembër. Pse? Epo ndoshta do duhej drejtuar Shekspirit me “pse-n”. Fajet duhet veshur Shekspirit – them unë. Përndryshe çfaj ka historia, ç’faj na paskan historianët e ngratë : )
[ – – – nga: Saktësia Argëtuese e “Historisë” – Kronikat, Librat, Argëtimi! – S. Guraziu – Ars Poetica, Sht 2022 ]

