Luljeta Lleshanaku prezantohet nga Poetry Foundation (ShBA), 2018

S. Guraziu – Ars Poetica, 1 Q 2018

Deri tani (me sa di unë) poetja shqiptare Luljeta Lleshanaku është e vetmja poete shqiptare të prezantohet nga Poetry Foundation. Ajo është prezantuar me 6 poezi, me 1 ese nga V. Berberi si dhe me një bio të shkurtër. Kjo gjë e bukur dhe e madhe për “poezinë shqipe” mund t’i përshkruhet disa rrethanave fatlume (do të thosha), e që janë jo vetëm merita e autores Lleshanaku me prurjet e me kualitetin e saj poetik, por dhe angazhimi i përkthyeses Ani Gjika, si dhe i Viktor Berberit (përkthyes letrar, mësimdhënës në Universitetin e Minnesota, Morris).

Një nga veçoritë e karakterit si dhe e formësimit socio-personal të Lleshanakut është dhe aftësia për t’u “lidhur” me miq të mirë, në vendin e duhur, në kohën e duhur. Depërtimi brenda “gjeografisë shpirtërore-poetike” (të madhe sa vetë marramendja) të Amerikës është një arritje jashtëzakonisht e madhe.
Vërtet diç e bukur, qoftë dhe si “akullthyerje” me një Luljeta të vetme, pasi afërmendsh Shqipëria ka dhe poetë të tjerë që e meritojnë të përkthehen dhe t’i “serviren” masës ndërkombëtare të lexuesve. Sidoqoftë, tani për tani “aksi miqësor Arapi-Leka-Lleshanaku-Tufa” është dëshmuar të jetë “akullthyesi” më efikas sa i përket “depërtimeve” në ujërat letrare ndërkombëtare. Urojmë pra të vazhdohet me sukseset e mëtutjeshme. Pasi me akëcilin nderim personal të poetëve shqiptarë nderohet në fakt Letërsia Shqipe në përgjithësi, qoftë e Shqipërisë “londineske”, qoftë kosovare… apo e trojeve tjera etnike.

“Njëri sy mbyllur (Luljeta Lleshanaku përballet me traumën e historisë)”, është titulli i esesë nga Viktor Berberi, publikuar më 28 Maj 2018 në faqen e “Poetry Foundation”. Si “related content” përbri esesë figurojnë dhe titujt e 6 poezive, poemthave e të poemave të poetes shqiptare Lleshanaku, përkthyer në anglisht nga Ani Gjika, Henry Israeli dhe Shpresa Qatipi. Ose më mirë e thënë, e gjithë përmbajtja e prezantimit hipertekstual është e ndërlidhur me “hyperlinks” (dmth. pakashumë si intertekstualitet klasik).

Përkthimi nga Ani Gjika i librit të L. Lleshanakut “Negative Space” (2018) qe publikuar nga “Bloodaxe Books” (në Britaninë e Madhe) dhe nga “New Directions” në ShBA. Në prezantimin e vet Poetry Foundation ka përfshirë 4 poezi të përkthyera nga Ani Gjika (nga vëllimi Negative Space, 2018), poezitë: Acupuncture, Homo Antarcticus, Negative Space dhe Via Politica.

Krahas prezantimit, figuron dhe një bio-bibliografi e shkurtër për autoren Lleshanaku, ku thuhet se deri tani ajo ka publikuar 8 vëllime poetike në shqip (katër në anglisht: 1 – Fresco: Poems Selected (New Directions, 2002); 2 – Fëmija i Natyrës (New Directions, 2010); 3 – Haywire: Poezi të Reja dhe të Përzgjedhura (Bloodaxe Books, 2011), dhe 4 – Negative Space (New Directions, 2018).
Poetry Foundation thotë se vepra e Lleshanakut është përkthyer në frëngjisht, sllovakisht, gjermanisht dhe në anglisht. Po ashtu poezitë e saj janë shfaqur nëpër revista, duke përfshirë Grand Street dhe Seneca Review. Aktualisht është drejtoreshë e hulumtimit në Institutin e Tiranës për Gjenocidin Komunist – thuhet nga Poetry Foundation.

Mirëpo në biografinë e shkurtër, Poetry Foundation ka bërë një gabim të vogël (sipas meje-sg) duke shkruar se Luljeta ka fituar “Çmimin Ndërkombëtar Kristal Valencia”. Fjala është për Çmimin Letrar të Sllovenisë dhe do duhej të ishte “Kristal Vilenica” (jo Valencia). Për lexuesit që eventualisht mund t’mos e dinë, nuk është fjala për çmimin kryesor slloven, “Çmimi Ndërkombëtar për Letërsinë – Vilenica”, pasi nën një “kulm” ndahen 3 çmime të ndryshme, “Kristal Vilenica” është çmimi i dytë, ndërsa bie fjala “Young Vilenica” është çmimi i tretë, për rininë letrare.
Deri tani vetëm Luljeta është nderuar me çmimin letrar të Sllovenisë “Kristal Vilenica”, ndërsa konsulltues nga Shqipëria për “gjeografinë shpirtërore-letrare shqiptare” lidhur me çmimet “Vilenica” të Sllovenisë janë Lindita Arapi dhe Arian Leka.

Padyshim, prezantimin e Luljetës, poezitë e saj të mrekullueshme në Poetry Foundation deri tani mund t’i kenë lexuar me miliona adhurues të poezisë anembanë botës. Poetry Foundation është një organizatë e pavarur për letërsi, me qendër në Chicago, qe themeluar në v.2003 me buxhetin-dhuratë ose donacionin prej 200 milionë dollarësh, me qëllim promovimin e poezisë. Krahas revistës periodike të fondacionit me titullin e thjeshtë “Poetry”, deri sot sikur vërtet nuk kam hasur asnjë “newsletter” më të rregullt letrare, më konsistente, me përmbajtje më kuptimplote sesa ajo e Poetry Foundation. Fondacioni i mirënjohur dhe i respektuar thuase mëton t’i ngelet besnik thënies së dikurshme të Gëte, “mundësisht, njeriu do duhej çdo ditë të lexojë së paku nga një poezi të mirë…” (ose diç kështu, përafërsisht, pati thënë Gëte). Ka me vite që Poetry Foundation, çdosecilën ditë, nga thesari i letërsisë amerikane na e dhuron nga një diçka si ëmbëlsirë të përzgjedhur; si klithmë e ndërgjegjes, si lirizëm, si “përkujtim” poetik, si kumt zemre, si përsiatje… etj. etj.

I bindur jam që poezitë e Luljetës lexuesit që gravitojnë rreth Poetry Foundation do t’i kenë përjetuar-lexuar si “perla poetike”, ndoshta si freski e ëmbël ardhur diku nga thellësitë e “Jonit” poetik shqiptar, enkas për lexuesit e panumërt të Amerikës dhe të botës. Urimet më të përzemërta për poeten dhe miken e të gjithë neve lexuesve, e cila na nderon të gjithëve si shqiptarë.