Nikki Giovanni – Vrasja e Robert Kennedy

VRASJA E ROBERT KENNEDY
Nikki Giovanni [ 1943, ShBA ]

Pemët kurrë s’priten… në verë… Jo kur frutat ende…
s’kanë lindur… Kurrë para se premtimi… t’jetë përmbushur…
Jo kur hija e tyre… ende s’ka falur freskinë ngushëlluese…

Megjithatë, ka të tillë… shpërfillës ndaj Natyrës… indiferentë
ndaj ekologjisë… injorantë të nevojës… të cilët… me sëpatë,
sharrë të mprehur… e me çizme… hedhin hapin e dëmtimit…

Jo pema… pasi ajo rrëzohet… Por ata që… në vapën
e verës… ose në ftohtësinë e dimrit… (para)shohin…
bukurinë…

– – –
© 1983, Nikki Giovanni – Burimi: Those Who Ride the Night Winds (HarperCollins Publishers), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2018

– – –
Notë nga Poetry Foundation:
Në këtë ditë, 50 vjet më parë, kandidati presidencial Robert Kennedy u vra gjatë fushatës në Los Angeles. Ai ishte 42 vjeç.

 

(Shtojcë – S. Guraziu)
Senatori amerikan Robert F. Kennedy, vëllai i John F. Kennedy dhe ish-Ministri i Drejtësisë (nën Presidencën e John Kennedy), qe vrarë gjatë fushatës presidenciale më 5 Qershor 1968, në hotelin Ambasador, Los Angeles. Më 1969 Sirhan Sirhan, një emigrant i krishterë palestinez, u gjykua për vrasjen e R. Kennedy dhe u dënua “me vdekje”. Në vitin 1972 dënimi qe konvertuar në “burg të përjetshëm”, në vitin 2011 “lirimi i tij me kusht” qe refuzuar, dhe palestinezi Sirhan ende është duke e vuajtur dënimin e vet.

Siç ishte rasti dhe me vrasjen e Presidentit John Kennedy, edhe rreth vrasjes së Robert Kennedy kishte dhe ka mjaft “teori konspirative”. Qe shfaqur material i cili sugjeronte se në vendin e ngjarjes kishte agjentë të CIA-s, të cilët veç ishin të përfshirë më parë në operacionin “Pigs Bay” (Gjiri i Derrave), në Kubë. Gjatë këtij “operacioni”, Robert Kennedy ishte Ministër i Drejtësisë (administrata e Presidentit John Kennedy).

Në Kubë, Fidel Castro erdhi në pushtet në v. 1959. “Gjiri i Derrave” më 1961, kryer nga kubanezë të krahut të djathtë, mbështetur nga CIA amerikane, si operacion që synonte të përmbyste regjimin e majtë të Fidel Castro, pati dështuar. Pas dështimit, Kastro dhe regjimi i tij sikur për “inat” u përkushtuan kryesisht rreth Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit.

Teoria e “dorasit të dytë” (e ashtuquajtur “second gunman theory”), bazohet në dyshimin se vrasësi (i akuzuar zyrtarisht) Sirhan Sirhan ishte aq afër Kennedy sa “vetëm” ai mund të kishte shkaktuar plagët vdekjeprurëse. Meqë disa dëshmitarë patën raportuar për dëgjimin e më shumë të shtënave, në krahasim me tetë sosh, sa mund të kishte gjithsej në “dispozicion” Sirhan Sirhan. Disa prej atyre të shtënave, sipas tyre, vinin nga një drejtim tjetër. Mjeku-specialist (i akorduar nga avokati i tij për të sjellur një psiko-analizë ekspertësh), atëbotë pati thënë se Sirhan Sirhan, për ta kryer vrasjen ndoshta ishte “nën ndikimin e hipnozës”.

Sot, kur njeriu nga pozita neutrale e së vërtetës, pa asnjanësi provon ta njeh historinë, tek i “analizon” kësofarë rrethanash sikur i bëhet e qartë pamundësia e amerikanëve për t’mos u “ndikuar” sadopak nga lloj-lloj dyshimesh e nga “teoritë konspirative”.
Sipas meje, duke rendur pas “political power” në mendësinë e amerikanëve asgjë s’ka ndryshuar as sot e kësaj dite. Teoria ime (jokonspirative 🙂 bazohet në faktin e thjeshtë që, bie fjala, makina e fuqishme monopolistike “Facebook” dhe aferat manipulative a la “Cambridge Analytica” janë aq të sofistikuara sa “likuidimi fizik” i ndonjë politikani tutje është thjesht “obsolete”, është totalisht i panevojshëm. Luanit në Serengeti sikur t’mos ia “përkujtonte” vetë stomaku, ndoshta s’do kishte kurrë nevojë të sillej aq agresiv ndaj vëllait të vet, ta dëbojë nga “harta e grykësisë territoriale”, gjoja e gjah-mbretërisë së tij.