Aeroporti më simpatik i botës – IA “Adem Jashari”

sguraziu – ars poetica, sht 2019

(…për 5-6 vjet me radhë “Adem Jashari” i turqve merrej me qethje – natyrisht, s’ke as ku ankohesh nëse i ke “shitur biz-brekushet”…)

IA “Adem Jashari”, Prishtinë

Derisa aeroporti më i mirë i botës është ai i Tiranës, për atë të Prishtinës le t’themi se është aeroporti më simpatik i botës! Qoftë e vërtetë apo mos qoftë, s’ka aq rëndësi, meqë thjesht s’i takojnë Tiranës gjithë fjalët e mira, gjithë “parabolizmat” e të vërtetat. Simpatinë do ia “rezervojmë” Prishtinës.
Le t’ia fillojmë pikërisht me qafimet, për çfarëdolloj qafimi. Sakaq ata që të presin a të përcjellin mund t’i qafosh derisa i ngopur, derisa t’jesh çmallur pa hile. Bie fjala kur nisesh a kur ikën, si n’Tiranë, si n’Prishtinë duhen thjesht dy hapa, hoop mund t’i hapësh krahët. Për vetëm dy hapa të përcjellin dhe të hipin në bus (dmth. për në bordin e avionit kur nisesh, apo menjëherë pas mbërritjes). Të hipin në bus të vish a të shkosh, të zbresësh a të fluturosh, qoftë furtunë a shtërngatë, vrenjtur a diellosur, pa përjashtime. Busit i duhen tutje nja 2 hapa “rrokullisje”, dhe voila.

Është vetë kënaqësia e shkurtësisë që nuk i jep shans asnjë mërzie a monotonie. Këtë luks të shkurtësisë s’e ka asnjë aeroport i metropoleve të Evropës, as ata të botës. Dhe shi për këtë gjithçka kurorëzohet me kënaqësi. Madje dhe vetëm kur i afrohesh Tiranës a Prishtinës, që atje lart në ajri zemra sikur nis e çmendet, si një zog cicëron. Dhe imagjino… sa shumë zemra, sa shumë cicërima, sa shumë tinguj e notash shqipe, disa sosh si klithma gëzimi disa dhe me rima poetike. Dëm nëse askush s’i dëgjon zemrat shqiptare siç i dëgjoj unë…

Gjithsesi, sot s’na duhej aeroporti i Tiranës, vetëm ai i Prishtinës. Eventualisht, nëse t’mos e keni ditur, aeroporti në Prishtinë nuk quhet “Nënë Tereza”… por “Adem Jashari”, pra krenaria aeroportuese e Kosovës e mban emrin e heroit legjendar.

“Adem Jashari” qe privatizuar në Maj të v. 2010, marrë nga Limak Kosovo International Airport J.S.C me kontratë 20-vjeçare sipas modelit Ndërto-Opero-Transfero. Projekti pati filluar në Prill 2011 dhe do përfundonte në Tetor 2013. Me fjalë “ndryshe”, aeroporti privat i turqve, pas 20 vitesh pritet t’i “transferohet” Kosovës, urojmë që sëpaku atëherë Kosova të ketë mundësi ta “gëzojë” aeroportin e vet, siç i ka hije.

Dhe pra, jo vetë Baca Adem (si “simbol kombëtar”) por dmth. si emër i krye-aeroportit kombëtar… e edhe ndër-kombëtar, “çok guzel” me mjekër e me plis, “kusursuz” u është dhënë turqve për 20 vjet. Sepse biz-oligarkët vendor duke mos patur verdhushka atëbotë patën qenë shtrënguar t’bëjnë biznes me turqit. Privatizim me “kontratë” 20-vjeçare, sepse biznesi-biznes, sepse vetë turqit e patën planifikuar, investuar dhe ndërtuar.
Okidoki, biznesi-biznes… nëse gjithçka në rregull, nëse biznes me transparencë dhe mbarësisht. Mirëpo nëse jo, atëherë kjo “qeradhënia kontraktore” për mjekrën patriotike të Bacës qebesa i bie pothuaj si metaforë ironike. Sepse s’ke as ku ankohesh nëse i ke “shitur biz-brekushet”…

Ndërsa turqit (jabanxhi – birinxhi) duke u kënaqur me bakllavat e biz-tullumbat, që nga hapja e terminalit (rishtas, ndoshta si biz-marrëveshje interesash me oligarkët e Prishtinës) as 1 mini-bus shtrembalaç NUK e patën instaluar për pasagjerët, deri në Maj 2019. Dmth. që udhëtarët të shkonin pa Taxi deri në qytet, që t’mos e kishin medoemos taksi-ratë t’jenë të qethur.

Derisa e gjithë bota sot trenat i lë të shkojnë madje “përfundi” aeroportit, fare lehtë (si ironi) me vite që nga v. 2013, që nga hapja “Adem Jashari” mund t’ketë qenë aeroporti i vetëm i botës që s’kishte as 1 mini-bus si linjë për trafikun ordiner. Pasagjerët (qofshin të pasur a të varfër) të gjithë duhej t’paguanin Taxi, dhe atë siç u tekej taksixhinjëve (dihet… varësisht nga qejfi i tyre, dhe nga momentumi i emergjencës së udhëtarëve).
Shkurt i bie diç si “plaçkitje… pa plan” e udhëtarëve nga “pronarët” e aeroportit, nga ata që vetë e patën planifikuar dhe ndërtuar, turqit e pasur. Që nga v. 2013 e deri në Maj 2019, për 5-6 vjet me radhë “Adem Jashari” i turqve merrej me qethje. Biz-oligarkia e Kosovës dhe buja e tyre tashmë askund, as “gëk as mëk”, heshtje totale, amulli e shurdhër, s’patën qenë në gjendje as një mini-bus…