Luigji XIV (Mbreti Diell) – Përkrahësi i Arteve dhe i Shkencave!

Luigji XIV (Mbreti Diell) – Përkrahësi i Arteve dhe i Shkencave!
S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

[ Fragment nga “Sfinksi është korruptuar”, S. G., 2013 ]

Mbreti francez Luigji XIV, i njohur si Luigji i Madh (Louis le Grand) dhe si Mbreti-Diell (le Roi-Soleil), pati qenë një përkrahës i madh i arteve. Luigji XIV sundoi si Mbret i Francës për më shumë se 70 vjet, nga 1641 deri në vdekjen e tij, 1715. Qe bërë njëri nga monarkët më të fuqishëm dhe konsolidoi një sistem të sundimit absolut monarkik, absolutizëm që pati zgjatur deri në Revolucionin Francez.
Duke mos përmendur tjerat aspekte të sundimit të gjatë, sfidat, sukseset, zhvillimet, luftrat, ekonomikat, politikat e bëmat e kohës së tij, në kontekst relevante për ne ishte që Luigji XIV njihet nga historia si mrojtës dhe përkrahës i madh i arteve. Ai e solli “Académie Française” nën patronazhin e tij dhe u bë “Mbrojtës” (Protecteur) i saj. Ai kontribuoi që letërsia klasike franceze të lulëzonte, duke mbrojtur shkrimtarë të tillë si Molière, La Fontaine, Racine etj. veprat e të cilëve kanë ndikim dhe sot e kësaj dite. Ai gjithashtu i patronizonte artet vizuale duke financuar dhe angazhuar artistë të ndryshëm, të tillë si Rigaud, Le Brun, Mignard, Coysevox etj. Në muzikë, me mbështetjen e tij lulëzuan kompozitorë dhe muzikantë të ndryshëm. Luigjit XIV sikur ia kemi borxh dhe rrugën “evolutive” të baletit, pasi që ai i pati themeluar “Académie Royale de Danse” dhe “Académie d’Opera”, dhe eventet që organizoheshin patën ndikimin e madh në zhvillimin e baletit. Luigjit XIV gjithashtu mund t’i jemi “mirënjohës” për trashëgiminë artistike dhe të interierëve marramendës të pallatit spektakolar të Versajës.

Autori Pascal Dupuy, në një artikull-analizë lidhur me pikturën e Jean Garnier, “Allégorie à Louis XIV, protecteur des Arts et des Sciences”, ndër të tjera shkruan:
– – -| “Luigi XIV ishte mbrojtës i arteve dhe shkencave, monarku i ri kishte një shije të theksuar për artet. Nuk ishte i interesuar aq për studimet klasike (matematikë, gjuhë latine, histori…), por ai ishte i interesuar për pikturën, arkitekturën, muzikën dhe sidomos për dansin, vallëzimin ai praktikoi më shumë se dy orë në ditë për më shumë se 20 vjet. Që nga fillimi i mbretërimit të tij në vitin 1661, Luigi XIV u kushtoi vëmendje të veçantë arteve – organizoi festivale, shfaqje muzikore dhe vallëzuese, mblodhi një koleksion të gjerë të pikturave – por dhe artistë. Kjo shije e deklaruar shndërrohej shpejt në një organizim institucional, duke i zgjeruar organizmat tashmë ekzistues të cilat së shpejti do bëhen gurthemeli i politikës artistike të dëshiruar nga mbreti. Akademia Mbretërore e Pikturës dhe Skulpturës u reformua në v. 1663, ndërsa Akademia Mbretërore e Vallëzimit u krijua në v. 1661, Akademia Franceze në Romë në v. 1666, Akademia e Arkitekturës në v. 1671, Akademia e Operës në v. 1669, Akademia e Muzikës në v. 1672” |- – –

Mirëpo, kuptohet, të gjitha këto mrekulli arritjesh “royaliste” nuk do t’vinin tek ashtu. As manovrimet e diplomatikat e tij nuk ishin tek ashtu, ai e pati konsoliduar kontrollin politik dhe ashtu e mbante nën kontroll tutje sundimin absolut. Edhe patronazhin për artet e përdorte për këtë qëllim, por ndoshta do ishte e pabazë të thuhet se arti ishte thjesht njëra nga hallkat e zinxhirit të taktikave të tij absolutiste.
Natyrisht, “çmimi i meritave luigjiane” ishte jashtëzakonisht i madh, çmim që rrinte mbi kurrizin e përgjakur të popullit. Bie fjala, shpenzimet astronomike rreth pallatit të Versajës i kthenin në “qesharake” shpenzimet zyrtare-ordinere të ritualeve oborrtare (të cilat s’ishin aspak të vogla, përkundrazi). Apo dhe vetëm “historia” e ndërtimit të këtij pallati sikur do na mjaftonte për t’u rrënqethur nga faktet e dhimbshme për ndërmarrjet e tilla.
Nga ana tjetër, e “ç’faj” kishte një Luigj i Madh me konceptin e së “drejtës hyjnore” në kokë (i cili koncept mbron origjinën hyjnore të sundimit monarkik)? Ashtu ishte i bindur dhe e mbronte bindjen e tij. Ai disa herë qe pikturuar si Perëndi, si “Kryezoti i romakëve”, janë të njohura pikturat në të cilat “le Roi-Soleil” qe portretizuar si Perëndia Jupiter, dhe që i cili pra ishte versioni romak i Zeusit të Olimpit!
Sidoqoftë, dhe siç na është e njohur nga rrjedha e historisë, ndryshimet “revolucionare” do t’rrinin larg në kohë, edhe për një shekull të tërë më tutje.
Në jetën private ishte një maniak i paparë seksual dhe i hedonizmave, nuk ishte aspak besnik ndaj gruas së tij, mbretëreshës Maria Tereza. Njihen një numër i madh “të dashurash”, zyrtare dhe jozyrtare (edhe pse “saktë” mbase nuk mund të përcaktohet ndonjë numër : ) ! Nëpërmjet këtyre lidhjesh e qejfesh ai pati shumë fëmijë jashtëmartesor, përveç 6 fëmijëve me gruan Maria Tereza, i pati dhe rreth 20 fëmijë të tjerë. Njëra nga dashnoret e tij ishte vetëm 19 vjeç kur ajo vdiq gjatë lindjes së fëmijës së tyre, por dihet po ashtu që shumë nga dashnoret nuk patën fëmijë.

Pikturat:
– Jean Garnier (1632-1705) – Allégorie à Louis XIV, protecteur des Arts et des Sciences.
– Hyacinthe Rigaud – Louis XIV, 1701