Da Vinçi në Olimpiadë

S. Guraziu, 2012

Miku im i “mbathi” nallanet e veta,
në fakt u hipi lundërzave të drunjëta,
si pandofla të çuditshme… shpikur
nga ai vetë – punoi gjatë, pa pushim
shkriu mend, panumër skicash e faqesh
në Codex Atlanticus – dhe vrapon
si i marrë mbi syprinën e detit,
fillimisht e humbi orientimin, u nis
gabim kah Bosfori, por u këndell,
e ndërroi kursin… tani ndodhet
diku afër ngushticës së Gjibraltarit –
ka vendosur t’jetë garues zyrtar
në Olimpiadën e Londrës.

Sot e humbëm kontaktin, iPhone
i vet mund t’i ketë rënë në ujë, por
në emailin e fundit m’shkruante:
pse ti s’merr pjesë n’festivale kurrë,
as në gara, në olimpiada… nisu pra,
mbathi ato nallanet holandeze,
bjeri i qetë La Manshit, dil andej
dhe më prit, mos ki frikë, në një kanal
të ngushtë nuk mbytesh dot,
si delfin, as zbathur, as me not…
pa le që “klompet” janë të njohura
në gjithë botën, ndoshta ia del,
triumfon, bëhesh “i parë”, kampion
i ecjes mbi ujë, por dhe pas meje
nëse ngelesh, një medaljon i fildishtë,
o çfarëdo qoftë, padyshim të takon.