Spiunët e Romës (romake) vs. atyre të Tiranës (diktatoriale)!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sht. 2016 (…siduket mbamendja jonë fillimisht u jep “prioritet” gjërave të këqija, pastaj të mirave : )

Në mbamendjen personale, nga e gjithë materia e gjërave të historisë (dmth. ashtu si “big data”, përthithur gjatë gjithë jetës), nëse veçohen ato lidhur me sistemin politik të periudhës komuniste, dhe tutje veçanërisht ato lidhur me tiraninë e diktaturës në Shqipëri, gjërat më të tmerrshme (të cilat në “sipërfaqe” do dilnin të parat) padyshim janë: “spiunllëku”, “tëhuajësimi”, “torturat psiko-fizike”, “burgosjet”, “internimet”, “likuidimet”… e edhe ndonjë diç tjetër e ngjashme.

Pra siduket mbamendja jonë fillimisht u jep “prioritet” gjërave të këqija, pastaj të mirave. Ato të këqijat thua se vulosen me vulash të kuqe, a dyllosen… për t’mos u shlyer aq lehtë. Ose tekefundit kjo vlen në rastin tim; çdo gjë të historisë shqiptare në kokë është futur si “lexim i materialeve të ndryshme”, nuk është se i kam përjetuar vetë tmerret e as kënaqësitë e asaj periudhe – pasi, afërmendsh, ndokush dhe do jetë kënaqur, s’kanë vuajtur të gjithë.

Derisa po shfletoja një numër të vjetër të “Hermeneus“* (rev. holandeze për kulturën antike), numër i vitit 1932, hasa në një shkrim të shkurtër të dikujt me inicialet D. C. H., me titullin “Politieke lokvogels“, rreth gjysmë faqe, autori shkruante si vijon:

“…aty ku mbretëron tirania, sunduesit, duke supozuar gjendjen e të pakënaqurve me rendin ekzistues të gjërave, punësojnë persona të cilët “afrohen” me qytetarët e dyshimtë apo me të huajt për t’i blerë ndjenjat e tyre me anë të fjalës ose dhe të veprave, kështu që policia pastaj lejohet për t’vepruar ose për të intervenuar brutalisht. Këso “agjentë provokatorë” (ndonjë emërtim adekuat në holandisht nuk di) gjendeshin dhe në Romë.

Epictetus paralajmëron se duhet patur kujdes si komunikojmë, me sekretet e me ndjenjat tona. Njeriu i beson dikujt i cili fillon me përgojimet, dhe mendon se një person i tillë nuk do t’i spiunojë fjalët tona, pasi ai vetë ka filluar i pari…
Gabim! Sepse, vazhdon tutje Epictetus (Dissert. IV, 13, 5): “Në këtë mënyrë në Romë kapeshin gojëkëqinjtë nga ushtarët; një dikush (ushtar) me rroba civile rrinte ulur pranë teje, dhe fillonte të flasë keq për perandorin, dhe ai, në qoftë se ti kishe “gëlltitur” besueshmërinë a besimin tek ai, për faktin se ai pati filluar të tallet vetë, kjo do t’thotë se tani dhe ti mendoje të njëjtën (me përgojimet e tij): rezultati, do arrestoheshe akoma pa e kuptuar si e pse. Ushtarët që punësoheshin për një “shoqërim” të tillë me qytetarët, mund t’kenë qenë vetëm fundërrinash të paguara, mercenarë nga aliazhi më i ulët…”

…dhe pra gjëja e parë që më shkoi mendja kur lexova këtë, qenë “spiunët e panumërt të partisë”, anise në fakt, rasti i spiunllëkut shqiptar në kohën e diktaturës kishte marrë permasa shqetësuese e forma nga më të ligat, pothuaj qe shndërruar në një “fenomen kolektiv” të dhimbshëm sa i përket ultësisë dhe degjenerimit të karakterit njerëzor – vrragët e kësaj katrahure psikologjike mund të hetohen dhe sot e kësaj dite në “mentalitetin” shqiptar, dmth. edhe pse kanë kaluar pothuaj 3-4 dekada tashmë…

(sqarim shtesë)
* Hermeneus – revistë për kulturën antike, e themeluar në vitin 1928 ishte dhe ende është revista më prestigjioze holandeze për shkencat dhe ekspertizat lidhur me antikitetin. Revista Hermeneus del pesë herë në vit, për audiencën e vet sjell fakte shkencore, analiza dhe vështrime ekspertësh për të gjitha aspektet e qytetërimit klasik, që nga Zeusi e deri tek Akili, nga Homeri e deri tek Agustini, nga Sokrati e tek Plotini, nga Perikliu e tek Konstandini, nga gërmimet arkeologjike në terren e deri tek trezorët e muzeumeve, por diskutohen dhe temat e tilla psh. si ishte jeta e qytetarëve të zakonshëm grekë e romakë, si kanë jetuar e punuar ata dikur. Hermeneus merret gjithashtu me temat e arkitekturës antike, pastaj të ekonomisë, biologjisë, mjekësisë etj.