Fjalët poetike nuk janë “zhurmë”, por janë qetësi e zhurmëshme!

ME VETVETEN
Filip Guraziu, 2013

E vërteta?
Enigmë e pazgjidhun
Intrigë e përjetshme
Imagjinatë pa koordinata

…Dhe sillet e sillet së bashku me ne,
me dy pole të shtypun, të bardhë mbi dhe,
me qetësi sublime,
drejtë “humneres së zezë”
për t’u shkatërrue e përsëri me le…

Se ku ishim dhe ku do të jemi
askush nuk mund ta dijë
Or mik i thellësisë së qenies time
më ngushëllo!
për pafundësinë e pafundësisë
dhe mos më qorto!
për paaftësinë e mendësisë.

Kjo jetë magjike plot surpriza,
sfidë e pa fund e egzistencës,
dëshmi misterioze e universit rrethues,
ku fallsiteti njërzor mbretnon,
na mëson:
Se kushdo prej nesh,
që kryet nalt e çon, aq sa nuk i takon,
nuk duhet të harrojë
se nga hiçi erdhi dhe pluhun do të jetë,
sikur nuk ka egzistue kurrë në kët jetë.

Jetojnë në histori vetëm ato skyfterë
që me fluturimin e tyre botës i japin vlerë.
Të tjerët, si zvarranikë ecin e parakalojnë
në parada të kota…
që boshët i projektojnë.

Filip Guraziu, Shkodër, 31.05.2013

Filip Guraziu

 

– – –

FJALËT POETIKE NUK JANË “ZHURMË” POR JANË QETËSI E ZHURMËSHME!
S. Guraziu – Ars Poetica, 6 Qershor 2013

Vjersha “Me vetveten” është vjersha e parë, ose është kjo hera e parë që z. Filip Guraziu shprehet “vjershërisht”, me gjuhën e poezisë! Në emailin e tij z. Filip kishte shkruar pakashumë kështu:
“…megjithëse nuk jam i fushës (dmth. i fushës së poetikave), po përzihem dhe unë në shoqërinë e miqve që frekuentojnë listën tuaj te web. Asht hera e parë që tentoj të rreshtoj diçka në gjuhën e vjershave, si poezi… respekt dhe të fala të përzemërta nga Shkodra…”

Unë si lexues, si një lexues i thjeshtë i kësaj vjershe, e di se ka patur shumë vuajtje dhe dhimbje në jetën e autorit! Por po ta lexonim vjershën fluturimthi, ashtu rrëshqitazi… ndoshta disa gjëra dhe do na “shmangeshin”!

/…or mik i thellësisë së qenies time / më ngushëllo! / për pafundësinë e pafundësisë /

Ma besoni, është ky varg tepër shumë i thellë (në vjershë figuron i thyer… si varg-trini). Nuk di si mund të shprehet më qetësisht dhe më denjësisht “në gjuhën poetike” dhimbja e njeriut…!!!
(Babai i z. Filip Guraziu qe pushkatuar… nga diktatura, nga sistemi i verbër i diktaturës komuniste.)

Duke e ndarë këtë vjershë me Ju, uroj të lidhet sadopak ajo reciprokja e ndjesisë sonë, për vuajtjet tona dhe padrejtësitë që rezultuan jo vetem nga “koha e pakohë” e asaj kohe, por dhe nga vetë njeriu i robëruar nga “liria”, nga verbëria ideologjike e tij…

***
“…hera e parë që tentoj të rreshtoj diçka në gjuhën e vjershave, si poezi…” – thotë z. Filip Guraziu.
Dhimbja e shpirtit tonë del në pah për botën rreth nesh në shumë forma e mënyra, madje dhe me vetë “gjuhën e heshtjes”. Në kuptimin poetik, sipas meje dhe vetë heshtja e ka njëfarë kuptimi gjuhësor. Heshtja kthehet dhe na flet me gjuhën e vet, na flet me një lloj gjuhe të qetësisë. Psh. secila pikturë e pazhurmë, ashtu si shurdh-memece na flet me gjuhën e vet, na flet me qetësinë pikturale (është vetë ajo qetësia poetike si gjuhë). Na flasin dhe peizazhet e natyrës (të cilat i shohim përditë… brenda një kornize mentale, akoma pa qenë nevoja të jenë “piktura artistike”). Na flet dhe qetësia e formës (me kuptimin e “formës” nënkuptoj secilën formë fizike të mundshme, pa përjashtuar këtu të gjitha skulpturat e kësaj bote, dmth. si objekte artistike). Madje na flet me gjuhën e vet dhe qetësia “blu” e qiellit të pastër, pa asnjë zog në fluturim, pa asnjë re, a gjurmë të bardhë…

Me gjuhën e qetësisë njeriu shkruan “poezi” dhe atëherë kur ai fare t’mos jetë vetëdijshëm për këtë. Dallimi është: ai vetëm nuk i stampon ato, nuk i bënë të dukshme, qoftë në letër si gjurmë, si shenja, qoftë duke u marrë në heshtje me një skulpturë / pikturë artistike. Le të përafrohemi dhe me fjalë të të tjerëve për të qenë më afër fjalëve tona;
“…piktura është poezi e qetësisë, dhe poezia është pikturë me virtytin e fjalëve” sipas Simonidit.

Por si do ta gjenim virtytin e fjalëve sikur fjalët t’mos ishin të lidhura me intelektin dhe ndjesinë?! Poezia është një zig-zage fluturash krahëshkruar para syve tanë; është qetësia e fjalëve gërshetuar me zgjimin ndjesor dhe ndjenjat. Poezia, qoftë dhe e pa artikuluar (si “krijese”, përjashta) është e “vetëdijshme” për bagazhin ndjesor dhe për kuptimësinë! Për poezinë fjalët nuk janë “zhurmë” por janë qetësi e zhurmëshme, janë zhurmë e qetësisë për të heshtur zhurma, për poezinë fjalët janë “fjalë” akoma pa u bërë fjalë…!

Faza e fundit, akti final teknik rreth një poezie është shkrimi i saj, stampimi, bërja e saj “e dukshme, e prekshme, e kapshme” si qëllim komunikimi me shpirtrat, me qeniet tjera rreth nesh. Me shkrimin e poezisë nënkuptojmë ose do t’thotë që të sinkronizohemi me ndjesinë dhe kuptimësinë – me shkrimin ne i formulojmë vargjet, strofat… e definojmë formën “poetike”.

Gjuha poetike vërtet ndoshta është forma më delikate e “ekspresionit” shpirtëror, është aq e brishtë, e ndieshme… por si gjuhë është e aftë ta përcjellë “përjashta” inteligjencën ndjesore në mënyrën më të rafinuar.
Lasgush Poradeci dikur qe shprehur për poetët se ata janë si “shpirtra më të lartë” – sëkëndejmi do na dilte që dhe poezia të jetë “gjuhë e shpirtrave më të lartë”!…
Vetë, personalisht, lidhur me këtë nuk mendoj ashtu, disi sikur s’do kishte “kuptim të pajtohem” me Poradecin ; ) Mendoj se të thuhet diç e tillë – apo të formulohet si “lartësi shpirtërore” – vetvetiu… se ç’ka kjo thënie diç të tepëruar në vetvete, sikur padashtas e “frynë” tejmase vetë logjikën e vet, si shprehje!

Poezia vërtet s’mund të “kapet” nga të gjithë shpirtrat njësoj, por kjo nuk i bën disa shpirtra të jenë më “të lartë” e disa të tjerë më “të ulët”! Disa shpirtra thjesht nuk ndodhen në “të njëjtat valë”, shpirtrat thjesht nuk janë as të “akorduar” njësoj!
S’ka asgjë të jashtëzakonshme për t’i “veshur” gjuhës poetike atribute më të larta, pothuaj ndoshta hyjnore… (siç na del thënia e pafajshme e Poradecit)! Më së miri e pati thjeshtësuar Adrian Mitchell, në thënien e tij më duket se ka më së shumti neutralitet dhe vërtetësi: “shumë nga njerëzit i injorojnë shumicën e poezive, sepse shumica e poezive injoron shumicën e njerëzve”.
Kështu, siç është shprehur Mitchell, kam përshtypjen që është definuar diç saktësisht (madje saktësi dhe e ngopur me humor), si dhe në anën tjetër si thënie nuk “cenon” gjë sa i përket “hierarkisë shpirtërore” : )

***
Në një shkrim për media, publikuar disa muaj më herët, z. Filip pati reaguar në formën e një reflektimi ndaj diskutimeve të z. Fatos Klosi dhe z. Idajet Beqiri në emisionin “Opinion” të TV Klan. Aty diku brenda shkrimit z. Filip shkruan:
“…thirrni pra mendjes Profesor! Si është e mundur që ju një intelektual nuk e paskeni kuptuar se pikërisht ty dhe bashkatdhetarëve të tu ju ka munguar gjëja më e shenjtë dhe më e shtrenjtë: “liria”…! Zoti Profesor!, Shqipëria nuk fillonte dhe as nuk mbaronte aty në katedrën tuaj…”

Për mua z. Filip ka shkruar poezi edhe atëherë kur ai as mendjen nuk e kishte tek poezia. Vërtetësia, qetësia intelektuale dhe gjykimi i tij në shkrimin e dikurshëm ngërthen për mua poezinë më të bukur që kam lexuar nga ai (mos u çuditni, sipas tij ai ka shkruar “vetëm 1 vjershë, kjo që sapo e lexuam më lart).
Jeta e tij për mua është heshtje që flet aq shumë, është heshtje si monument poetik i krenarisë dhe i dinjitetit intelektual e njerëzor. Sipas tij, ai ma ka nisur në email “vjershën e parë të jetës së tij”, por ja dua ta vërtetoj nëse ia dal se dhe poezia pa “formë” (citimin më lart e përdora si shembull) e bartë mesazhin e njëjtë, po aq të fuqishëm… që mund të bartet “poetikisht” – sipas meje ja poezia e padukshme, e paforme, titullin po ia vë “njeriu i robëruar nga “liria”:

Njeriu i robëruar nga “liria”
Filip Guraziu

…nuk e paskeni kuptuar, ju ka munguar
gjëja më e shenjtë dhe më e shtrenjtë: “liria”…!
Zoti Profesor!, Shqipëria nuk fillonte
dhe as nuk mbaronte aty në katedrën tuaj…