Hans Makart – Charlotte Wolter, (gjoja) si perandoresha Mesalina, 1875

Hans Makart (1840-1884) – Charlotte Wolter, (gjoja) si perandoresha Mesalina, 1875

Valeria Mesalina (17-48 es.) – (gruaja e tretë e perandorit Klaudius) në v. 48 es. Mesalina u ekzekutua nën akuzën për komplot vrasjeje ndaj Klaudiusit, i cili 1 vit më pas, në v. 49 u martua me mbesën e vet, Agripina. Të njëjtin vit Agripina ishte nën “dyshimet” se e kishte helmuar burrin e saj të dytë, për t’u martuar me të tretin, pra me perandorin Klaudius.

***
Për pjesëmarrje në një konspiracion kundër të vëllait (perandorit Kaligula), Agripina qe përzënë (ekzilosur) në v. 39, mirëpo dy vite më vonë, në v. 41 iu lejua të kthehej në Romë. Po atë vit (41) perandori Kaligula qe vrarë, si rezultat i një komploti të përbashkët nga oficerët e Gardës Pretoriane, i senatorëve dhe oborrtarëve. Që ditën e vrasjes të perandorit Kaligula, gardistët pretorianë e deklaruan Klaudiusin si perandorin romak të radhës.

Në v. 49 Agripina ishte rishtas nën dyshimin për helmimin e burrit të saj të dytë, Krispusit. Burri i saj vdiq, rrethanat dhe pse-ja e vdekjes të paqarta, mirëpo që atë vit ajo rishtas u martua, tashmë me perandorin Klaudius (paçka se ishte mbesë e tij, paçka se ky, ne mënyrë indirekte, mund t’ishte madje vrasësi i të vëllait, Kaligula – ashtu-kështu një dekadë më herët, ajo vetë si motër pati qenë e dyshuar nga i vëllai Kaligula, andaj dhe qe përzënë nga Roma).

Agripina e bindi Klaudiusin ta caktonte Neron (djalin e saj) si trashëgimtar të fronit (në vend të djalit që Klaudiusi veç e kishte me gruan e mëparshme, Mesalina, i cili quhej Britanikus).
Vetëm pak vite më vonë, në v. 54 perandori Klaudius vdiq. Rishtas e “dyshuar”, Agripina. Askush s’e di “saktë” si dhe përse pati vdekur perandori Klaudius (ashtu papritmas, njësoj si dhe djali i tij, Britanikusi, më vonë).

Gjithsesi dyshimet i qenë veshur ambiciozes Agripina. Cenimi i vetëm potencial për fronin perandorak të Neros (djalit të saj) mund t’ishte dmth. djali i Klaudiusit, Britanikusi, i cili ishte vetëm 13 vjeç, kur Nero do bëhej perandor pas Klaudiusit të vdekur, mirëpo dhe Britanikusi duhej të vdiste pa kaluar as 1 vit i Nerosë në fron.

Në fillim të v. 55, edhe Britanikusi vdiq papritmas, i helmuar “ndoshta” me urdhrat e Neros. Meqë i ngrati “përfaqësonte” tutje ndonjë rrezik eventual për fronin (ashtu-kështu të fituar me aferat tinëzare “diplomatike” dhe me manipulimet e nënës së tij, Agripinasë). Kur e mori fronin pas Klaudiusit, Nero ishte vetëm 16 vjeç, nëna Agripina fillimisht e luajti rolin e regjentit për perandorin e ri. Gjithsesi, ndikimi i saj në aferat qeverisëse të të birit gradualisht qe dobësuar, pasi Nero qe bërë “burrë” për ta marrë përgjegjësinë rreth çështjeve të perandorisë.

Filozofi dhe zyrtari i lartë Seneka qe akuzuar nga Mesalina për korrupsion dhe afera seksuale me Julia Livilla (mbesë e perandorit Klaudius, motër e ish-perandorit Kaligula dhe motër e Agripinasë, pra nënës së perandorit të ardhshëm, Nero). Edhe pse çështja në fjalë nga historianët dyshohet t’ketë qenë e vërtetë, Senati e pati shpallur dënimin “me vdekje” për Senekanë, të cilin dënim Klaudiusi e ndryshoi me “mërgim”. Gjithsesi, në v. 65 ashtu-kështu Seneka do detyrohej të “vetëvritej” nga perandori Nero.
(sguraziu – ars poetica, qershor 2018)

Referencat:
– Secrets of the Dead: Nero’s Sunken City, 2017 – PBS /
– Suetonius, The Twelve Caesars – Claudius and Nero /
– Tacitus, The Annals of Imperial Rome /
– Encyclopaedia Britannica /
– Bunson, Matthew (1991) – A Dictionary of the Roman Empire. Oxford University Press /
– Fitch, John (2008) – Seneca. City: Oxford University Press, USA /
– Barrett, Anthony A., Agrippina: Sex, Power and Politics in the Early Roman Empire. Yale University Press, New Haven, 1996