Manuel Domínguez Sánchez – Vetëvrasja e Senekasë,1871

Manuel Domínguez Sánchez (1839-1906) – Vetëvrasja e Senekasë,1871

Seneka qe akuzuar për shumçka, për afera seksuale, për korrupsion e për komplote. E vërtetë që pati grumbulluar shumë pasuri, kishte prona e vila gjithandej, kishte dhe në Baia, në parajsën hedonistike për elitën e fuqishme të Romës. Ironia sikur merr “flatra” në rastin e filozofit Seneka – duke qenë tutori, mësuesi dhe këshilltari politik-mbretëror i Nerosë (paçka se ky vështirë t’i arrinte “idealet” stoike të mësuesit) Seneka ishte dhe njëri nga apologjetët më të mëdhenj të tij, i cili madje e “mbronte” perandorin mizor për vrasjen e nënës së tij, Agripina.

***
Seneka i Riu (4 p.e.s. – 65 e.s.) ishte një filozof dhe burrështetas, intelektuali më i madh i Romës gjatë messhekullit të parë të erës sonë, i lindur në Corduba (Hispania) dhe i rritur në Romë, ku mësoi retorikë dhe filozofi. Ishte tutor dhe më vonë këshilltar i perandorit Nero. Dy herë i qe kërkuar të kryente vetëvrasje, nga dy perandorë, nga Kaligula dhe nga Nero. Sëfundi qe detyruar të kryente vetëvrasje për pjesëmarrje të dyshuar në “komplotin e Pisosë” për të vrarë Neron, edhe pse kishte gjasa të ishte i pafajshëm.
Si shkrimtar Seneka është i njohur për veprat e tij filozofike, dhe për dramat (tragjeditë). Si senator Seneka qe vlerësuar për aftësitë oratorike, sipas kronistit Kasius, perandori Kaligula ishte aq i ofenduar nga suksesi oratorik i tij në Senat sa që e urdhëroi të bënte vetëvrasje. Seneka qe “falur” vetëm sepse ishte i sëmurë rëndë dhe perandorit i qe thënë se ai së shpejti do të vdiste ashtu-kështu. Në shkrimet e tij Seneka s’ka thënë asgjë të mirë për perandorin Kaligula, shpesh e përshkruan atë si një përbindësh.

Në v. 41 e.s. Klaudiusi u bë perandor dhe Seneka u akuzua nga perandoresha Mesalina për korrupsion dhe afera seksuale me Julia Livilla, mbesë e perandorit Klaudius, motër e ish-perandorit Kaligula dhe motër e Agripinasë (nënës së perandorit të ardhshëm, Nerosë). Edhe pse çështja në fjalë nga historianët dyshohet të jetë e vërtetë, Senati e pati shpallur dënimin “me vdekje” për të, të cilën Klaudiusi e ndryshoi me “mërgim” dhe Seneka i kaloi tetë vitet e ardhshme në ishullin e Korsikës. Në v. 49 e.s. Klaudiusi u martua me mbesën Agripina, dhe nëpërmjet ndikimit të saj Seneka qe kthyer në Romë, ajo e caktoi atë tutor për djalin e saj, Nero.
Nga v. 54 deri në v. 62 Seneka veproi si këshilltar i Nerosë, së bashku me Prefektin e Gardës Pretoriane, Burrusin. Seneka i shkruante fjalimet e Nerosë, po ashtu dhe eulogjinë mortore për perandorin Klaudius e pati shkruar ai (të helmuar “ndoshta” nga Agripina – eulogji që tani perandorit Nero i duhej në funeralin e tij).

Pas vdekjes së Burrusit (helmuar “ndoshta” nga perandori Nero) në v. 62, autoriteti i Senekasë qe zbehur dukshëm. Tacitusi shkruante se ai u përpoq të jepte dorëheqje dy herë, por Nero e refuzoi kërkesën e tij në të dyja rastet. Anise, Seneka gjithnjë e më shumë do ishte “larg” oborrit perandorak.
Në v. 65, Seneka u akuzua si komplotist rreth “aferës Piso”, komplot për të vrarë Neron. Komploti ishte një pikë-kthesë e madhe në sundimin e perandorit Nero. Komploti i Pisosë pasqyronte pakënaqësinë në rritje midis klasës sunduese te Romës, dhe udhëheqjes gjithnjë e më despotike të Nero. Edhe pse ka gjasa që Seneka nuk ishte pjesë e komplotit, Nero e urdhëroi atë që ta vriste veten. Seneka e ndoqi traditën e “vetëvrasjeve romake” duke i prerë venat, të njëjtën do tentonte ta bënte dhe gruaja e tij, Pompeia Paulina.
(sguraziu – ars poetica, qershor 2018)