Zgjero Horizontet Virtuale – Ideja e Kolonizimit të Marsit me Idetë!

S. Guraziu – Ars Poetica, Q 2018 (pak humor “serioz” rreth seriozitetit 🙂

Si mund ta dimë që njerëzimi e ka fort seriozisht kur është fjala rreth kolonizimit të Marsit?
Epo, fillimisht njeru do ta shpik ndonjë motiv të madh për “nxitjen e ideve” (si dhe një emër të përgjithshëm, psh. “Liga e Edukimit”), njeriu do t’i motivojë njerëzit që ta kolonizojnë planetin me “ide”. Psh. njerëzit do t’motivohen që të “imagjinojnë” se si do të dukej jeta në Mars. Thjesht organizohen disa gara në fushat e Artit e Dizajnit, caktohen sfidat aristike, të cilat mund të kenë dhe emra, psh. “Sfidat e Urbanizimit – Qytetet e Mençura për një Botë të Re”, e të ngjashme.

Por si të motivohen mençurakët, dizajnuesit dhe artistët nga e gjithë bota që të “imagjinojnë” (apo dhe vetëm të mendojnë për Marsin)?
Epo, mbase duhet paracaktuar ca “kategori të ideve”, disa projekte, disa udhëzime, duhet vënë në dispozicion disa demo-software dhe materiale… si dhe më e rëndësishmja, duhet rezervuar fonde për shpërblime të mëdha. Shpërblimet mund të quhen dhe “Çmime”, bie fjala Çmimi i Inxhinierisë Civile të Marsit, Çmimi për Arkitekturen Distopike, Çmimi i Dizajnit Automotiv etj : )

Natyrisht veç dihen projektet dhe sfidat “gjenerale” që lidhen me nevojat e ardhmërisë së njeriut në Mars, disa nga to janë: Terraformimi, Habitati, Bujqësia, Stili i Jetës, Robotët, Transporti, Çështjet Ushtarake, Armët, VR-Përvoja, Lojrat etj. Dizajnerët pastaj mund të marrin pjesë në projektimin e ndërtesave, të fabrikave-burimeve ushqimore, mund ta imagjinojnë stilin e jetesës, veshmbathjen dhe mund të ofrojnë ide të reja që do ta ndihmonin realizimin e përvojës virtuale në Mars. Kuptohet, për ta sjell në jetë Realitetin Virtual të Marsit nevojitet “fuqi e madhe kompjuterike”, njësoj sikur dhe NASA që ka nevojë për kompjutera të fuqishëm.

Shembull Motivimi:
NASA i ka zgjedhur kompjuterat e Hewlett Packards për sigurimin e komandës së misionit, kontrollit dhe të përkrahjes së jetës në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).
Kjo është arsyeja pse HP si kompani tani është aq krenare për ta udhëhequr sfiden rreth zgjerimit të kufijve të ardhshëm, duke ofruar gjithë fuqinë e nevojshme kompjuterike për të dizajnuar, modeluar dhe vizualizuar (të gjitha çështjet rreth Realitetit Virtual të Marsit)… Por jo vetëm kaq, ka dhe më shumë prapa, HP madje mund të shesë dhe më shumë kompjutera, kështu që ideja e madhe dhe e thjeshtë për “nxitjen e ideve” është një aso ideje e llojit “win=win” : )