Urime Pavarësia e Kosovës (dhe ngjitur pak info-histori)

(sguraziu – ap, 17 shkurt 22)

Personalisht, mbase do më dukej sadopak më “ngushëlluese” sikur sëpaku Bashkësia Evropiane ta kishte njohur deri tani “komplet”. Pothuaj më tepër më duket “pikëlluese” kjo stërzgjatje e EU-mosnjohjes, sesa hezitimi i shteteve të botës. Për fat të keq s’merrem me politikat dhe s’kam asnjë lloj autoriteti, dihet kjo (s’më pyet mirefilli madje as im bir, për “politikat” e shtëpisë, madje as për ekonomikat – siduket dhe ai është duke pretenduar njohjen e “pavarësisë” : )

Ama sikur t’i kisha “kompetencat e kredencialet” për t’marrë pjesë në Bruksel (dmth. e kam fjalën në ato mbledhjet e tyre “eu-parlamentare”) do u thosha, ore ju evropianë, do mblidhni mendjen apo si… u bënë 14 vjet, deri tani o do e kesh “peshuar” mirëfilli gjykimin, o t’na qenka prishur peshorja totalisht. Meqë as shtetet e BE s’e kanë njohur të gjitha, 22 nga 27 shtete anëtare të BE e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës.

Me sa shihet nga statistikat në Wikipedia (qoftë dhe nëse t’mos jenë info aq të freskëta, të përditësuara) numri i njohjeve të Pavarësisë së Kosovës, globalisht s’ka patur ndonjë ndryshim a rritje për një kohë të gjatë. Deri më 4 Shtator 2020, 97 nga 193 shtete anëtare të KB, e paskan njohur Kosovën. Pra e qartë, për 1 vit të tërë, për v. 2021 sa i përket “njohjes” teksti i tyre s’paska aktualizime…

[ më poshtë: fragment nga “Kronologjia…” përgatitur nga Agron Shala, 2019 – për Telegrafi, Prishtinë ]

Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. Në mbledhje morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë. Deklarata i ka 12 pika. Paragrafi i parë i pikës së parë thoshte: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”. Ndërsa, paragrafi i fundit i pikës së fundit thoshte: “Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre”!

Shtetet e para që do ta pranonin pavarësinë e Kosovës ishin Kostarika dhe Afganistani, të përcjella nga Shqipëria, ShBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca. 53 shtete e njohën Kosovën më 2008. Për 10 vjet Kosova nuk ia doli të dyfishojë këtë numër të njohjeve. Fatkeqësisht, më 2018 shumë shtete deklarojnë se kanë tërhequr njohjen.
Kushtetuta e Republikës u miratua më 9 prill 2008, ndërsa hyri në fuqi më 15 qershor 2008, kur dhe u bë “transferimi i plotë” i kompetencave prej UNMIK-ut në institucionet vendore. Më 11 qershor 2008 miratohet edhe Himni i Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi. Ky himn, tok me atë të Spanjës, Bosnje dhe Hercegovinës dhe San Marinos, nuk ka tekst.

Pas shpalljes së Pavarësisë, 27 shtete anëtare të BE-së miratuan vendosjen e një misioni jo-ushtarak për sundimin e ligjit, të quajtur EULEX (që vepronte sipas Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara), që për detyrë kishte të zhvillojë sektorin e policisë dhe të drejtësisë në Kosovë. Meqë pavarësia ishte e mbikëqyrur, funksiononte edhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO). Mandati i ICO-s përfundoi në shtator 2012, e ai i EULEX-it vazhdon ende.

Misioni i EULEX-it ishte shumë i mirëpritur nga banorët e Kosovës. Sipas tyre, Kosova do të ndihmohej nga BE-ja përparimtare. Duket e çuditshme, por me këtë mision paramendohej integrimi i shpejtë në BE dhe zhvillimi i vendit. Fatkeqësisht, zhgënjimi shpejt do ishte i madh, sepse pas shpalljes së Pavarësisë zhvillimi më i madh kishte të bënte me korrupsionin (madje, që nga dita e parë e Pavarësisë, me rastin e tenderëve për manifestime e për blerje të flamujve). Kjo ka bërë që të shuhen shpresat e kosovarëve për jetë të dinjitetshme.

Pas 17 shkurtit 2008, Kosova për tre vjet rresht do të mbajë një epitet të mirë: shteti më i ri në botë… derisa më 2011 kur shpallet pavarësia e Sudanit Jugor, vit ky kur nisin edhe negociatat e Brukselit, lindin “fusnotat” e “flluskat”, kur rrena në politikën e Kosovës bëhet trend e politikanët shqiptarë “amputohen” nga marrja.
[ përgatitur nga Agron Shala, 2019 – për Telegrafi, Prishtinë ]