Vallet e njerëzimit, “similariteti ballkanik” dhe gadishulli më i bukur i Evropës

S. Guraziu – Ars Poetica, K 2022 (Koment)

Dy-tri javët e fundit, herë pas here (por “besnikisht” : ) e kam vizituar video-kanalin e artistit grek, të koreografit Vasilis Petropoulos (në Youtube – s’kam ditur më parë, tek sivjet e “zbulova”).
Thjesht sikur s’kapërthehet me fjalë puna e mrekullueshme e tij, prej vitesh tashmë. Del si abstraksion por s’është e tepruar nëse të thosha sikur jam mahnitur me vetë “mrekullinë”, ose sadopak me konkretisht, me punën e palodhshme, me volumin, me përkushtimin e tij, me talentin artistik e me gjenialitetin koreografik.

Ta hedhësh në “kartë” diversitetin e valleve të mbarë botës, ta prezantosh sa më thjeshtë e plotësisht në disa video 10-minutëshe… afërmendsh, s’është fare e lehtë. Individualisht është punë e stërmadhe, kërkon studime, strukturalitet dhe sistematikë të angazhimit marramendës. Pothuaj sikur diç më shumë s’ka bërë as vetë UNESCO, dmth. e kam fjalën për “karto-grafinë internetike të trashëgimisë kulturore të njerëzimit”…

Ose, më e lehtë të thuhet se puna e tyre në thelb është e ngjashme. Edhe UNESCO-n edhe djaloshin Vasilis i frymëzon humanizmi, punës i qasen me dashuri… ndaj kulturës dhe ndaj gjithçkaje. Përkushtimin e tij thuase e “justifikon” me moton “vallëzimi është gjuha e fshehur e shpirtit”. Duke qenë anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Vallëzimit të UNESCO, buzëqeshja e tij (ndër qindra vallëzime improvizuese, ekzekutuar nga ai vetë për videot) patjetër se i ngjallë buzëqeshjet e miliona vizitorëve aneskaj rruzullit.

Personalisht i jam mirënjohës me gjithë zemrën e me ngrohtësinë e saj. Parë nga aspekti kulturologjik-informativ, sa i përket bukurisë dhe laryshisë së vallëzimit, më shumë kam mësuar dy javët e fundit nga puna e tij, sesa për dekada të jetës ngjeshur së bashku.

Ashtu-kështu video-faqja e tij do i ketë grumbulluar me miliona vizita – Vasilis jo vetëm e ka imresionuar auditoriumin e mbarë botës, por dhe sikur ia ka dalë të “dëshmojë” se kompleksiteti kulturor i ecejakeve të njeriut në thelb është një mozaik i vetëm; na duket i koklavitur, me pjesëzat e “shkapërderdhura” mozomokeq… por në fakt është kompakt. Pjesëzat e mozaikut vetëm janë duke “vallëzuar”, s’është se ka diç kaotike, përkundrazi.

Sikur s’mund ta pikasim as kompletësinë dhe as kompleksitetin e mozaikut nëse t’mos i lartësonim sadopak dhe përspektivat. Njeriu dikur pandehte se toka është një pllakë e rrafshët, shtriqur diku në “lëndinën yjore” të pafundësisë universale. Me punën e tij Vasilis sikur “insiston” se i gjithë zhvillimi dhe avancimi kulturologjik i popujve në fakt është e “njëjta kornizë”, sikur gjithçka është një “dans”, vallëzim ekuilibrues i vetë “mozaikut” kulturor.

Bie fjala, Ballkanin e quan “gadishulli më i bukur i Evropës por njëkohësisht më i ndërlikuari dhe më i trazuari“. Për popujt e Ballkanit shprehet:

“…mesazhi (i video-grafisë sime) është skajshmërisht i thjeshtë; paqja! Ballkani konsiderohet si fuçi baroti e Evropës, fuçi e gatshme të shpërthejë në çdo kohë. Duhet ta “fshijmë”, ta hedhim tutje këtë titull famëkeq dhe të punojmë drejt ardhmërisë më të mirë. Punoni drejt PAQES. Nëpërmjet kësaj videoje shpresoj ta shihni se gjithë popujt e Ballkanit janë aq të ngjashëm me njëri-tjetrin. Lufta (verbalisht, ose dhe më keq, realisht) nuk sjell gjë në fund. Ne hamë të njëjtat gjëra, kemi të njëjtin mentalitet, të njëjtat instrumente, kemi vallëzime dhe ritme të ngjashme, lista e “similaritetit ballkanik” vazhdon. Jemi të fuqishëm nëse të gjithë të bashkuar, jo të ndarë“.

Veç e thashë më lart se për ta kapërthyer mirëfilli punën e tij na duhen ndoshta 2-3 javë. Mirëpo them se nxënia (e cila na kthehet si shpagesë) ia vlen. Ndoshta as leximin e një libri prej 400-500 faqesh s’e mbarojmë brenda 1 dite. Sepse ngarendja pas punës, obligimet, dhe buja e jetës në përgjithësi, kohëve të fundit na i shteron mjaft resurset kohore.
Gjithçka e qartë, mospasjen e kohës përherë e kemi të justifikuar. Tekefundit, si një vijë e “thjeshtësuar”, dhe vetë jeta jonë s’është ndryshe por një vazhdimësi, një linearitet kohor prej sekondash, minutash, ditësh, muajsh : )

***
Video-kanali i V. Petropoulos në Youtube:
[ https://www.youtube.com/c/VasilisPetropouloschannel/videos ]