Putinistët, stalinistët… dhe terma të tjerë fiksionalë !

sguraziu – ap, g 22 – pak humor

tërë jetën kam dëgjuar për “stalinistët”, për “enveristët”… dhe për terma të ngjashëm, por në Fjalorin e Shqipës nuk ekzistojnë )

Hasa në një term “putinistët shqiptarë” (duke lexuar një artikull ‘online’), hm sikur u habita pak. Habi sepse isha duke pandehur “e pamundur”, sipas meje vetëm rusët mund ta kenë këtë nder. Ç’ne ky ngatërrim tani me shqiptarët dhe me putinizmat, ç’lidhje paskan shqiptarët me Putinin! Apo mos vallë megjithatë e mundur të ketë “putinistë shqiptarë”, përndryshe s’do i përmendte as artikulli?! Nëse po, atëherë s’e kuptoj domethënien e këtij termi. Nëse në Shqipëri paska “putinistë”, në rregull që paska, por pra nga ana tjetër dëm, sepse mungojnë sqarimet e duhura për termin e ri.

E kuptoj që fjalë të reja formohen çdo ditë, madje s’kam turp ta pranoj se ka mjaft terma të shqipes që nuk i di saktë. Shumë prej këtyre termave janë të vjetër (sëpaku gjysmë shekulli, e ndoshta dhe 1 shekull), por as sot e kësaj dite s’jam i sigurt 100% për domethënien e tyre. Për cilat “fjalë” e kam fjalën, për cilët terma? Epo psh. tërë jetën kam dëgjuar për “stalinistët”, për “enveristët” (mbase mjaftojnë 2-3 shembuj me -istët). Saherë e kam kërkuar ndihmën e Fjalorit Shqip kurrë s’i kam gjetur këta terma, as sqarimet, as definicionet, as shembujt. Andaj gjithmonë për mua kanë qenë diç si terma “joekzistentë”, terma të fantazisë.

Rishtas e kuptoj që askush s’më ka faj për mangësinë time rreth kuptimit të saktë të termave të tillë. Mirëpo as vetë nuk e “fajësoj” veten. Them se me plot të drejtë justifikohem, më takon e drejta justifikuese. Sipas meje pasiguria dhe mosdija ime vjen për shkak të josqarimit të këtyre termave, nga askush. Ose më troç desha të them NUK ekzistojnë në Fjalorin e Shqipës. Pra sipas meje dhe sipas Fjalorit Shqip, njësoj si “putinistët” e së tashmes, gjoja modernë, edhe stalinistët dekadentë, edhe enveristët joekzistentë do na kenë qenë fiksion.

E kam me gjithë mend, sinqerisht, nuk ekzistojnë në Fjalor. S’është se e kam “studiuar” Fjalorin komplet fund e krye, por kam përshtypjen përveç termit “leninist”, Fjalori i Shqipës nuk i përmend. Pra jo vetëm mua por gjithë shqiptarët anembanë do i ketë lënë me “gishta n’gojë”. As “stalinizmi”, as “enverizmi” nuk sqarohen. Ja pse s’kam faj që nuk i kuptoj si duhet këta terma dekadentë, sikur dhe as “putinizmin” e së tashmes, gjoja modern.

[ ngjitur: Fjalori… instalacion në sheshin Skënderbej, 2019 ]