Eritrofobia + Melanofobia + Ornitofobia = Albanofobia

(Kujdes me Pseudo-Shkencat dhe me Grafikat Pseudo-Shkencore – S. Guraziu, 2020)

[ Albanofobia ]

(ndjenja antishqiptare – e kundërta Albanofilia) diskriminimi, paragjykimi ndaj shqiptarëve si grup etnik, i përshkruar si term i tillë në vendet me popullsi të madhe shqiptare (me emigrantë shqiptarë, psh. në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani). Një term i ngjashëm që përdoret pakashumë me t’njëjtin “kuptim” është anti-shqiptarizmi, ndonëse ngjashmëritë dhe/ose dallimet me “albanofobinë” nuk janë të përcaktuara.

– – – – – – – – –

[ Eritrofobia ]

(nga greq. erythros, “e kuqe” dhe phobos, “frikë”) (e njohur dhe si erytophobia ose ereuthophobia) frika nga ngjyra e kuqe. Kjo fobi ndaj të kuqes është e zakonshme pasi dhe është ngjyra simbolike e rrezikut, e së keqes, e turpërimit. Ata që vuajnë nga eritrofobia mund t’vuajnë dhe nga hemofobia, pasi e kuqja është ngjyra e gjakut. Eritrofobet mund t’u shmangen gjërave të kuqe, psh. s’do hanë mollë të kuqe, qershi, domate, ketchup, luleshtrydhe ose ndonjë gjë tjetër të kuqe.

[ Melanofobia ]

(nga greq. melano, “i zi, e zezë” dhe phobos, “frikë”) frika nga ngjyra e zezë. Kjo fobi mund të zhvillohet për faktin se e zeza simbolizon zinë, të keqen, të ligën, murtajën, vdekjen. Ata që kanë frikë nga papastërtia ose bëhen pis po ashtu mund t’vuajnë nga kjo fobi, qëkur ata e lidhin papastërtinë me të zezën. Personat që vuajnë nga melanofobia i shmangin gjërat e zeza. Meqenëse aq e përhapur (sidomos natën – në fakt, e zeza shtiret si ngjyra e gjithë kozmosit) padyshim melanofobët mund ta kenë më së vështiri.

[ Ornitofobia ]

(nga greq. ornitho, “zog” dhe phobos, “frikë”) frika nga zogjtë. Personat me këtë fobi do t’ndjehen në siklet duke i parë ose dëgjuar zogjtë, mund të shqetësohen e t’i kap paniku, varësisht nga ashpërsia e fobisë së dikujt. Disa ornitofobë mund t’kenë frikë vetëm nga zogj specifikë të mbretërisë qiellore, mund t’jenë shpenduria grabitqare si shqiponjat, bufat, skifterët etj. Të tjerë ornitofobë mund t’kenë frikë dhe nga ato shtëpiake, zakonisht të parrezikshme, si pulat, patat, harabelat e kopshtit, papagajtë, gjelat etj.