Kutia e Pandorasë – Zjarri, Prometeu, Ndëshkimi, Pandora e bukur, Ligësitë!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2014

(…miti i Pandorasë është një lloj “shfajësimi” lidhur me çështjen se përse ekzistojnë ligësitë e kësaj bote, “shfajësim” mitologjik i vullnetit hyjnor (providencës) për pikëpamjen e ekzistencës së ligësive, ose dhe të këqijave…)

Në kohët moderne “Kutia e Pandorasë” është një lloj metafore për pasojat e paparashikuara (negative) të zhvillimit teknologjik e shkencor. Psh. me zhvillimin dhe avancimet e fizikës bërthamore si “pasojë” pati ardhur dhe “bomba atomike”… Ndërsa në mitologjinë greke Pandora ishte gruaja e parë, e krijuar nga Zeusi si pjesë e dënimit të njerëzimit, për shkak të vjedhjes së zjarrit nga Prometeu. Sipas mitit, Pandora e hapi një kuti (dhënë si dhuratë nga Zeusi) duke i liruar të gjitha ligësitë për njerëzimin – lakminë, shpifjen, smirën, zilinë etj. – me vullnetin e Zeusit pati ngelur vetëm shpresa brenda (mirepo më vonë, me hapjen rishtas të kutisë qe liruar dhe shpresa, për fat të mirë dmth… pasi sot njerëzimi sëpaku e ka shpresën : )

Prometeu e vodhi sekretin e zjarrit nga Zeusi dhe ia fali njeriut, sepse donte ta shihte njeriun më të avancuar sesa krijesat e tjera. Sipas Prometeut, i vëllai Epimeteu nuk i “pati ndarë” si duhet privilegjet për krijesat. Me vjedhjen e zjarrit Zeusi u tërbua dhe vendosi ta ndëshkonte Prometeun, e po ashtu dhe njerëzimin.

Për ta dënuar Prometeun, Zeusi e lidhi atë me zinxhirë a pranga (nëpërmjet Hefestit, farkëtarit hyjnor – Vullkani, ekuivalenti romak) në një shkëmb dhe e caktoi një shqiponjë që të ushqehej çdo ditë me mëlçinë e tij (shqiponja ishte shpend i shenjtë i Zeusit). Prometeun s’e gjente gjë, ishte një Titan-perëndi, i pavdekshëm, mëlçia i rritej rishtas, por ai i vuante çdo ditë dhimbjet (derisa qe çliruar nga Heraklesi (Herkulesi), gjatë Dymbëdhjetë Detyrave… të mitologjikes herkulesiane).

Për shkak të vjedhjes së zjarrit nga Prometeu, si pjesë e dënimit të njerëzimit, Zeusi e pati krijuar bukuroshen Pandora, gruan e parë. Sipas Hesiodit, për ta ndëshkuar njerëzimin Zeusi kërkoi që perënditë ta bënin Pandoranë si një “dhuratë” helmuese për njeriun. Vetë Afërdita e bukur (Perëndesha e Dashurisë, më e bukura nga gjithë perëndeshat) ia fali bukurinë, çdo perëndi i dhuroi nga diçka, Pandora qe berë si vetë shkëlqimi.
Ndërsa dhurata nga Zeusi ishte kutia me të ligat brenda. Pandora pati qenë e paralajmëruar nga Epimeteu (vëllai i Prometeut) që t’mos e hapte kurrë kutinë. Por ajo s’mundi t’i rezistonte tundimit, duke qenë kureshtare e hapi atë. Deri atëherë njerëzimi jetonte në një parajsë pa shqetësime, pa brenga, pastaj u helmua nga ligësitë.

Pra miti i Pandorasë është një lloj “shfajësimi” lidhur me çështjen se përse ekzistojnë ligësitë e kësaj bote, “shfajësim” dmth. mitologjik i vullnetit hyjnor (providencës) për pikëpamjen e ekzistencës së ligësive, ose dhe të këqijave.

***
Ndonëse ka mjaft piktura lidhur me Pandoranë, është paksa e “çuditshme” që për këtë pikturë (Pandora duke shikuar anash), nuk ka të dhëna, as për artistin as për datën!
Ndërsa piktura tjetër, ku shihet Pandora gjysmë-nudo mbi kutinë, është punim nga Walter Crane (1845-1915) – Pandora, 1885

Një artikull “interesant” lidhur me një lloj “Kutie të Pandorasë” (në Telegraph – UK) flet se si një dikush vdesë pasi kishte hapur një kuti ku shkruante me germa të kuqe “Pandora’s Box”…
http://www.telegraph.co.uk/news/uknews/10444589/Man-dies-after-opening-Pandoras-Box.html