Arthur Sze – Dhjetëmijë për Një

DHJETËMIJË PËR NJË
Arthur Sze [ 1950, ShBA ]

Fenikasit e ruajten sekretin e një recete
që kërkonte dhjetëmijë guaska mureks*
për një onsë* të vetme të purpurit të Tyres*.

Skano sipërfaqen e yllit Aldebaran*
me radio-valë; bluaje lapis lazuli-n*
në blu.

Kërko qiellit veror një yllësi gjeldetash Anasazi;
shih algat nën mikroskopin elektronik
shëmbëllejnë Renë Magelanike.

Një kimist u përpoq ta kthente benzenin
në kininë, por u lajthit në nuancën
vjollcë të anilinës.

Ke parë ndonjëherë larvat të ushqehen
me miun e ngordhur? Dëgjo gjeraqinën bishtkuqe
tek shket mbi bredhat e qetë dhe

pishat në kanion. Ndieje rrokullisjen e një pike
tatpjetës së “gjilpërës” së një pishe,
dhe shkëlqimin, lëvarur, në majë.

– – –

* Ounce – njësi e peshës (rreth 28 gramë), një e gjashtëmbëdhjeta e një Paund
* Murex – emër i përdorur fillimisht nga Aristoteli për disa lloje guaskash; kërmill deti (grabitqarë), “kërmill guri”
* Tyra – qytet në Jug të Libanit; purpuri i Tyres, purpuri mbretëror
* Aldebaran – ylli më i ndritshëm në yllësinë Taurus, Aldebaran është sistem yjor i dyfishtë, ylli kryesor i të cilit është një gjigant i kuq.
* Lapis Lazuli – gur i çmuar ngjyrë blu, emri i të cilit është përzierje e termit latin “lapis=gur” dhe termit arab “azul=blu”, varianti i pastër i këtij guri është shumë i rrallë dhe i shtrenjtë
* Anasazi – populli pueblo, qytetërim parahistorik, paraindigjenë që jetonin në disa zona-shtete të ShBA-ve të sotme, thuhet se Anasazitë e zbutën gjeldetin rreth viteve 800 p.e.s.
(përgatiti sguraziu)

– – –
© 1998 Arthur Sze – Burimi: The Redshifting Web: Poems 1970-1998 (Copper Canyon Press, 1998) – via Poetry Foundation, USA
© Për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2015