Mona Liza e vjedhur, hajni patriot, dhe treshi-përsheshi i artistikave!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2015

Piktura e famshme “Mona Liza”, e Leonardo Da Vinçit, qe vjedhur nga Louvre në Gusht të v. 1911. Si për ironi, njëri nga të dyshuarit kryesor për vjedhjen atëbote ishte askush tjetër por “babai” i Artit Modern, Pablo Picasso.

“Babai” i Artit Modern, Pablo Picasso

Në skenën artistike botërore, sot Picasso padyshim është diç si “pikëmaja” e famozitetit. Ndoshta, përveç artbërjes dhe thyerjes së “kanonit” artistik lidhur me klasicizmin, famës së tij i patën ndihmuar dhe disa faktorë të tjerë, si psh. aferat e tij të panumërta me “muzat”, mënyra e jetesës prej një bohemi dhe, sidomos “akuza” rreth vjedhjes së Mona Lizës.

Të ngratit Picasso i qe dashur të përballet në gjyq me akuzat e hajnisë, së bashku me poetin Guillaume Apollinaire (pseudnim i Wilhelm A. Apolinary)!
Pablo Picasso, G. Apollinaire dhe Max Jacobs e kishin “pushkë” mes vete, venin e vinin së bashku, vërdalleshin rrugëve të Parisit, si grup vetëquheshin “La Banda Picasso”.
Mirëpo s’ishin ndonjëfarë “bande kriminale” e as hajnash. Përveç se, duke qenë artistë e poetë bohemianë, i varnin “qepët mjaft lart”, pra ishin diç si njëfarëlloj treshi-përsheshi i artistikave 🙂

Para vjedhjes së Mona Lizës, Picasso vetëdijshëm kishte të bënte ma ca skulptura të vjedhura. Ato qenë vjedhur nga një mik i tij belg (edhe ky gravitonte rreth grupit “La Banda Picasso”). Për skulpturat Picasso e pati paguar nga 50 franga copën (i duheshin si “modele” dhe si frymëzim për pikturat e veta). Anise vjedhjen e skulpturave miku i tij e pati bërë enkas për të, hajni belg e dinte që Picasso s’ishte aq i zoti si hajn, dhe madje pati dashur t’ia falte si dhuratë.

Me bujën e skandalit “Mona…”, të hutuar e të turpëruar, Apollinaire dhe Picasso qenë sjellur para gjygjit. Thuhet se dy burrat patë qarë si kalamaj-burreca teksa merreshin me “mbrojtjen” e pafajësisë e me kërkimfaljen (për paturpësinë rreth skulpturave të së kaluarës). Për artistët e ndjeshëm e për poetët, “poshtërimi” i tillë para publikut si hajna, si manipulatorë, si bashkëpunëtorë me kriminelët, nuk ishte asfare i lehtë si përjetim. Për të ngratin Picasso pati qenë përvoja ose përjetimi më i turpshëm në jetën e tij.

Hajni i vërtetë i Mona Lizës më vonë doli të jetë një italian me emrin Vincenzo Perugia, i cili qe gjykuar dhe qe dënuar, merre me mend, me vetëm… 7-8 muaj burg 🙂
Vjedhja e pikturës qe kthyer në një lajm senzacional aneskaj botës, mirëpo në Itali ndoshta skandali shihej pakëz më “ndryshe”. Në fakt, për aktin e hajnisë italianët thjesht patën buzëqeshur, Perugia qe përshëndetur për patriotizmin e tij. Sipas italianëve, përveç si një hajn i zoti, ai më shumë ishte një patriot i madh, i cili besonte se Mona Liza (si një simbol i Italisë) dhe duhej t’i kthehej vendlindjes.