Evropa e pafajshme që nuk “shihte” se shqiptarët ekzistojnë!

Senad Guraziu – AP, T 2022

Sipas albanologut të ndjerë Robert Elsie (të cilit, siç e dimë, shkollarizmi ia impononte të merrej sa me albanologji po aq dhe me histori, madje dhe me fotografi, audiografi, hartografi etj.), sipas tij “ndërmjet viteve 1750-1850 shqiptarët i përdornin të paktën 10 alfabete”.

Jo se i kishin shpikur të gjitha vetë, me pikësime e me germë, por dmth. Elsie e kishte fjalën nëpërmjet ndihmës së “huazimit”. Natyrisht që do huazonin – huazonin të gjithë. Njësoj siç, bie fjala dhe grekët e patën huazuar alfabetin e parë nga fenikasit, apo jo. Dhe njësoj si gjithë pjesa tjetër e botës që huazonte nga bota rretherrotull – sepse dikur ashtu shkonin gjërat.

Shqiptarët madje “i patën shpikur dhe vetë disa sisteme të shkrimit” – pati shkruar Elsie. E megjithatë (në një libër tjetër Elsie pati shkruar se) “në prag të shekullit XX s’kishte asnjë indikator të dukshëm se Shqipëria do t’bëhej një vend i pavarur dhe se do t’i bashkohej familjes së kombeve evropiane. Pas pesë shekujve si pjesë e Perandorisë Osmane, vendi mezi u binte në sy popujve të tjerë të Evropës”.

Imagjino, në prag të shek. XX, të ndritur tashmë për pothuaj 2 shekuj “me 10 alfabete”, sa shpikur vetë, sa huazuar nga të tjerë, dhe evropianët NUK e hetonin se shqiptarët ekzistojnë! Booo aq e padrejtë kjo – histori kaq të padrejtë zor t’ketë përjetuar kush. Nëse kështu na qenkan faktet, nëse në prag të shek. XX Evropës pothuaj s’i paska “rënë në sy” se shqiptarët ekzistojnë, atëherë e lehtë me interpretimin (tim) të historisë.

***
Nganjëherë më pëlqen ta interpretoj historinë siç ma ka ënda vetë. Jo shpesh, por ka raste që “ndodhë”. E di se historianët s’do pajtohen, ama nuk mëzitem. Mosmërzitja… jo se vetë s’na qenkam historian, por sepse nuk shtrembëroj fakte, as data, dhe as nuk shpikë gjëra të paqena. Thjesht më pëlqen nganjëherë të zbukurohen të vërtetat e zakonshme me fjalë dhe interpretime më të hijshme.

Pakashumë ngjashëm siç justifikohen dhe politikanët për “interpretimet” alternative të problemeve. Edhe ata thonë se në intepretimet e tyre “ndryshe” s’ka shtrembërime, se pollavrat nuk janë “pluhur për sytë” e popullit, se nuk janë përralla deklarative. Përkundrazi, sipas tyre alternativat interpretuese janë resurse “diplomatike” për të mirën e masave, për ta kursyer popullin nga të vërtetat e hidhura, nga konsekuencat e vërtetësisë.

Dhe kështu, e dimë se historia si “shkencë ekzakte” na e siguron një fleksibilitet marramendës, le t’ia fillojmë me një pohim të guximshëm. Bazuar në disa fakte specifike të historisë, Shqipëria sot është vendi më i zhvilluar i Evropës.

Në rregull, por prej nga, vetëm se ma ka ënda, apo ka sadopak dhe “bazë” ky pohim?! Natyrisht që ka bazë, asgjë pa bazë – është ai thelbi i pafajshëm i interpretimit alternativ. Për fat të mirë, për çdo gjë ka dhe shembuj “analogë”, si përforcime krahasimtare.

Psh. intrepretimet e ndryshme të hoxhallarëve (siç i shohim në TV-kanalet kosovare, i thërrasin aq shpesh). Thellësia dhe variacionet interpretuese të hoxhallarëve varen nga përgatituria e tele-spektatorëve, gjithçka e kutive magjike varet nga sa shikuesit andej prapa xhamit janë njohës të materies. Sikur që varet dhe nga ekspertiza e vetë hoxhallarëve, nga fluiditeti i tyre gjuhësor, nga imagjinata me lojfjalëshat etj. Dmth. ka panumër faktorë që ndërthuren, madje aftësia dhe elasticiteti interpretativ shpesh ndihmon që faktorët t’mos na bëhen “lëmsh”.

Le t’marrim ndonjë shembull konkret (pa shembuj, fjalët sikur na ngelin diku në ajri). Hoxhallarët kosovarë me lloj-lloj titujsh e gradash, herë Dr Mr e herë dhe ndryshe (sikur dhe fare pa tituj), i ftojnë në TV-të e Prishtinës aq shpesh, pothuaj natë për natë. Herë me shkas… për Bajram, herë fare kot për një “selam”. Herë sepse afër festa, e herë thjesht nga kureshtja. Herë për respekt, e herë për pak muhabet etj. etj., arsyet e mediatikëve mund t’jenë të panumërta.

Dhe meqë aq shpesh i frekuentojnë televizionet, të dëgjosh nga hoxhallarët ndonjë interpretim të padëgjuar (bie fjala, për historinë e Turqisë, për historinë e otomanizmit, për historinë e kalifateve, të emirateve etj.), s’do të thotë se patjetër interpretimi i tyre na qenka i pa “bazë”. Askush nuk dramatizon se interpretimi i tyre “ndryshe” na qenka ndonjë shtrembërim historik.

Me dërdëllitjet televizive… ndoshta audiencat ashtu dhe i zë gjumi – ose e kundërta, sytë kokërr e gojëhapur, mahniten me fleksibilitetin, me llastik-izmin e interpretimeve. Duke qenë se gjuha e “tultë”, mahniten sidomos me fleksibilitetin e tyre dygjyhësor, me bilingualizmat, me arabizmat, me orientalizmat, me fluiditetin e sure-vargjeve etj. etj.

Pra edhe në rastin tim, natyrisht që interpretimi “ndryshe” i historisë ka bazë. Sipas historisë (dmth. siç mua më pëlqen ta interpretoj) pra i bie se Shqipëria na qenka vendi më i zhvilluar i Evropës. Shqipëria qenka më i miri vend nga më të mirët e Evropës, më i përparuari, më i zhvilluari. Krahasuar me “ku” na ishte dikur (me zhvillimin), dhe ku është tani, i bie t’na jetë një parajsë ëndrrash. Jo si ëndërr a iluzion por realisht. Interpretimi im “ndryshe” i historisë pikërisht këtë detaj mëton ta dëshmojë.

Gjithsesi, faktin më interesant, faktin kyç të origjinalitetit tonë interpretues, do e lëmë për në fund. Më parë le t’i justifikojmë sadopak evropianët e “verbër” që s’i piketonin dot shqiptarët, që nuk u binte në sy ekzistenca e tyre.

Nëse të ktheheshim 70, 90, 110, 150, 200, 300 vite mbrapa në kohëlinjën historike, “zhvillimi” i Shipërisë zor se do na binte në sy. As me syrin cullak as me dylbi. Sepse ndoshta zhvillimi s’ishte as ekzistent. Në natën e zezë otomane s’pati ndryshuar gjë për 400-500 vjet.

Zhvillimi i Shqipërisë atëbotë s’ishte as në plan, s’ishte as vramendje e hiçaskujt. S’kishte si bëhej realitet. Kurrë, as para 2-3 shekujve, as 4-5 shekuj më parë. Zezona otomane i pati ndaluar dhe shkollat madje, për 4-5 shekuj të gjatë nëpërkëmbje kulturore dhe në secilin aspekt të mundshëm e pati ngulfatur qenien, mirëqenien, shpirtin e kombit. Vallë si ta pikasnin evropianët Shqipërinë? Pa le që, për kohën kur e kishte fjalën Dr. Elsie, Shqipëria ende s’e kishte shpallur as pavarësinë.

Kështu që pena e albanologut Elsie ekzagjerimin e vockël për dhjetra “alfabetet e huazuara” e pati përdorur si figuracion, si shprehje figurative për keqardhjen. E po ashtu as evropianët s’kishin faj se na paskeshin qenë të “verbër”. Çfarë nëse s’ishte në pyetje verbëria… por ndoshta thjesht nuk ekzistonte Shqipëria. Sepse ende një “baklla-llokume” e mjerë, nën thundërzezën otomane për 500 vjet.

Hoxhallarëve u pëlqen ta interpretojnë ndryshe faktin e “pse-së”. S’e mohoj, edhe mua ndonjëherë më pëlqen interpretimi “ndryshe” i historisë. Sidoqoftë, historianët do më falin sepse e dinë fort mirë. Sot shqiptarët me aq krenari e shpalosin krenarinë. Sot shqiptarët s’e mohojnë faktin e madh se për 20-30 vitet e fundit Shqipëria është zhvilluar më shumë se për 200-300-400 vitet pararendëse. Madje dhe vetë Kryeministri Rama e pati përdorur këtë “fakt” (gjatë fjalimit të vet, diku në një takim rreth punërave të OKB-së në Nju Jork).

Dmth. interpretuar “ndryshe”, duke i ndarë parametrat, faktorët dhe segmentet veç e veç, i bie se Shqipëria për 30 vjet është zhvilluar më shumë se për 300 vjet (të zezonës otomane). Dhe atë në secilin aspekt të mundshëm të zhvillimit. Tekefundit logjika krahasimtare kështu na pëlqen, konkluzion mjaft i saktë.