“Muranat” Kineze – Muri i Madh “klasik”, dhe ai Modern Kibernetik!

S. Guraziu – AP, T 2022

Po merresha pakëz me imagjinatën, çfarë nëse qeveria e Shqipërisë së “vogël… vetëm 3 milionëshe”, ta bllokonte dhe izolonte gjithë popullatën shqiptare ndaj gjithçkaje të internetikës perëndimore! Thjesht ashtu kot, imagjinoje pastaj numrin e madh 500 milionë, pastaj numrin marramendës 1 miliard, pastaj 2 miliardë! Demografikisht, si imagjinatë Shqipëria komplet i bie t’jetë një qytezë kineze. Në fund, ngjitu në majëkulmin e habisë për të vertetën e hidhur të shek. XXI se aparati qeveritar i Kinës gjigante… prej 1 miliard e gjysmë banorësh” e bllokon dhe e censuron Kinën komplet ndaj “internetit perëndimor”!

Booo… katastrofë, antinjerzillëk i madh, apo jo! Imagjino nëse shqiptarët t’mos kishin qasje në faqet e Reuters – BBC – Voice of America – The Guardian – Washington Post – The Economist – New York Times – ABC – Bloomberg – NBC News – TIME – Google – Vimeo – YouTube – Facebook – Reddit – Netflix – Blogspot – Instagram – WhatsApp – Spotify – Messenger – Twitter – LinkedIn – Tumblr – Pinterest… madje as në Wikipedia, madje as në SoundCloud, dmth. për muzikat e xingla-minglat e rinisë!

Kjo bllokadë dhe censurë e lidershipit kinez, ky Mur i Madh internetik nuk është se na qenka “fuqizuar” me vullnetin e popullit, me ndonjë referendum legjitim nga vetë ata, nga 1 miliard e gjysmë banorë. Censura dhe bllokada zbatohen me ndihmën e një ushtrie kibernetike 2-3 milionëshe, trajnuar, përgatitur dhe punësuar si dorë e hekurt, si “servilë të ideologjisë”. Investimet e lidershipit për fuqizimin dhe grushtin e fortë të kontrollit kibernetik janë marramendëse…

***
Brenda rrezes së modestisë, me aq sa kam mundur të kuptoj (kuptohet dhe kjo – pasi njeriu s’mund t’i kuptojë të gjitha), sikur m’është krijuar përshtypja se qasja e kinezëve ndaj njerëzimit në përgjithësi, dhe qasja e mbarë njerëzimit ndaj alienëve eventualë (kudoqofshin në gjithësi) janë 2 qasje totalisht identike. E them pa shaka, qasje ndoshta 100% identike.

Hipotezën që sapo e shpalosa, në “dukje” hipotezë shaka-logjike, do mundohem ta sqaroj mjaft seriozisht e pa shaka. Ja pse më nevojiten më shumë se 2 fjalë, uroj për mirëkuptimin e lexuesit. Ashtu-kështu çështjet komplekse e serioze zor se qartësohen me 2 fjalë, as me 2 rreshta.

U deshën gati 17 shekuj për t’u ndërtuar Muri i Madh kinez, u deshën sakrifica të jashtëzakonshme të aq shumë brezave. Askush s’e di, ndoshta as vetë kronikat kineze, sa lëndime, sa invalidë, sa viktima, sa jetë njerëzish do ketë “kushtuar” ai grandiozitet prej gurësh. Ndërsa dihet, dinasti dhe perandorë varg e varg, për shekuj e shekuj me radhë, sistematikisht pothuaj 2 mijëvjeçarë qenë marrë me ndërtimin. Dhe vetëm nga “përspektiva” monumentale, madhështia e Murit sikur është më tepër sesa vetëm Madhështi, mbarë njerëzimi mahnitet me atë megaprojekt madhështor.

Madje, ndoshta dhe vetë “alienët” mahniten. Dmth. nëse helbete ekzistojnë – pasi tashmë nuk i dihet, kurrë s’duhet thënë kurrë. Jo vetëm NASA a ESA, por dhe 1 milion teleskopat e kureshtisë insistojnë që s’duhet përjashtuar mundësia. Ka pothuaj një shekull jemi duke i “kërkuar”, me valë e me radio-antenash, me veglash e me lloj-lloj tekno-shkencash. Anise, kuptohet jo vetëm “civilizime alienike”, njeriu kërkon dhe eksploron gjithçka. Universi komplet, kozmologjia, astronomia… e madje dhe astrologjia janë aq interesante.

Përndryshe s’do na duheshin panumër kupolat observatorike aneskaj rruzullit. I kemi ujdisur gjithandej, si këpurdhash gjigante prej betoni, në secilën pikë të përshtatshme (në akord me yjet e me hemisferat). Ndoshta vetë kinezët, jo vetëm Murin më të Madh, por do e kenë dhe antenën më të madhe që ka parë bota. Shpenzohen miliarda e triliona, asgjë s’kursejmë kur është në pyetje qielli dhe astro-kureshtia. Apo se mos vetëm këtu poshtë (në Tokë), i kemi “montuar” madje dhe në hapësirë. I kemi bartur lart panumër plaçka, satelitë, aparate e veglurinash. I kemi “gozhduar” në eter gjithandej, lloj-lloj teleskopash super të shtrenjtë.

Lloj-lloj stacionesh hapësinore, sa sovjetike sa “internacionale”, sëfundi vetë kinezët duke e mahnitur njerëzimin me stacionet e me misionet lunatike. Ndoshta fat i madh që atje lart në hapësirë s’është nevoja për beton. Kupolat tokësore janë të kushtueshme sepse përveç tele-thjerrzave nevojiten dhe hekura e beton. Ishte dhe Muri Kinez i kushtueshëm, s’ka si llogaritet me “metelikë” por dhe vetëm me djersën e 17 shekujve ndoshta do mbushej akëcili det i shteruar i Eoneve, i Cenozoikut.

Dhe prapë, jo vetëm “Muret” na qenkan të kushtueshme – gjithçka është e kushtueshme. Bie fjala kushtonin dhe ato bunker-kupolat e ish-paranojes komuniste, apo jo. Tjetër që as bunkerët e paranojës diktatoriale, as Muri “klasik” i kinezëve s’kërkonin + plus shpenzime për teleskopat.

Sidoqoftë, kur është fjala për panumër kupolat observatorike, deshëm ta sjellim në pah se, ndoshta jo vetëm kureshtja jonë, por sikur është dhe njëfarëlloj “frike” se mos alienët vërtet ekzistojnë. Ose, sadopak më qartë – jo frikë se ekzistojnë, por në cilin stad të ekzistencës ekzistojnë. Nëse ekzistojnë, bukur, do i përshëndesim “mirësekzistoni”, do i kontaktojmë, do i qafojmë e do bëhemi miq. Le t’ekzistojnë, njerëzimi s’ka gjë kundër ekzistencës alienike, vetëm mos t’na sulmojnë…

Preokupimi më e madh, pothuaj “paranojak”, i njerëzimit s’është nëse alienët ekzistojnë – por (nëse eventualisht ekzistuakan, atëherë) sëpaku le t’kemi fat dhe të qëllojnë më të prapangelur se ne. Tekefundit teknologjikisht të qëllojnë “prapa” nesh. Duke qenë të prapangelur s’kanë si na zënë “lakuriq” në surprizë, s’kanë si na sulmojnë. Sa për sulmet tona, për stadin tonë shkenco-teknologjik ata s’kanë pse frikësohen, qëkur ne aq paqësorë, pacifistë të përbetuar.

Dhe fakt i palëkundshëm, s’ka si lëkundet e vërteta, deri sot s’e kemi pushtuar as dhe 1 guralec të “brezit të asteroidëve”, pa le ndonjë planet. Sepse jemi paqësor, njerëzimit i pëlqen kultivimi i paqes. Universi dhe yjet na mrekullojnë, e saktë kjo, ama i eksplorojmë thjesht nga kureshtja. Na interesojnë dijet, hartografia qiellore, prushësia yjore, galaktikat, supernovat.

Bie fjala, e kemi vizituar Hënën totalisht në paqe, as armë me vete as tankse, si turistë paqësorë. Edhe pse Hëna e shkretë, asnjë frymor e as banor, Hënë e “askujt” hesapi, por s’na ka vajtuar kurrë mendja për pushtime. As amerikanët, as sovjetikët, sëfundi as kinezët nuk thonë “Hëna e jonë”, “gjysma e Hënës”, “krateri ynë”, “Luna-lugina jonë”, “Hëna-mali ynë… Assesi, s’i shkon kujt mendja për të tilla pretendime, sepse jemi specie paqësore.

Dhe kështu, nëse obsesion teleskopat, nëse ne i kemi dhe kënaqemi duke i fotografuar yjet, atëherë do duhej të tingëllonte e logjikshme që dhe alienët mund t’i kenë. Pra dhe ata, duke e parë nga larg (me “marifetet” e tyre teleskopike), padyshim habiten me madhështinë e Murit Kinez, mrekullohen me atë “guranë” të gjatë e madhështore. Mrekullohen me faktin e ndërmarrjes marramendëse 17-shekullore të njerëzimit.

Varet nga stadi i zhvillimit (urojmë t’jenë më të prapangelur), ndoshta ata vetë zor se do ia dilnin ta “ruanin” koherencën organizative, kontributin, saktrificat dhe vazhdimësinë për 17 shekuj. Ja pse ndoshta prore i kthehen Murit me teleskopat dhe e studiojnë, me admirim e respekt. Imagjino nëse alienët (ashtu-kështu të magjepsur me Murin “klasik”) të dëgjonin se Kina e ka ndërtuar një Mur tjetër modern, akoma më grandioz, Mur Kibernetik!

E cekëm atje lart se mbarë njerëzimi mahnitet me megaprojektin e historisë kineze, me Murin Grandioz. E megjithatë, nëse ta përmendnim “Khanin e Madh” (perandorin Xhingis Khan) dhe ushtritë e tij të pandalshme, pothuaj sikur Muri dhe s’pati “ndihmuar” ashtu siç duhej (dmth. në përputhje me “madhështinë” e vet). Deri në fund të jetës së Khanit, Perandoria Mongole do ta pushtonte pothuaj gjithë Azinë Qendrore dhe Kinën. Thuase s’kishte “Mur” fare, thuase s’pati qenë ndonjë pengesë serioze.

***
Një titull, ose më mirë, një artikull i autores Elizabeth Economy (publikuar në “The Guardian”, v. 2018 me titullin “The great firewall of China“) sikur më shtyri të ironizoj rreth metaforës simpatike “The Great Firewall” (përdorur nga autorja). Muri i Madh Kibernetik i Kinës sikur më shtyri të shkruaj për “Murin e Madh” të historisë, për frikërat politike-ideologjike dhe për dylbitë e alienëve. Një lloj liste të bllokadës “perëndimore” nga Kina po e ngjes këtu. Vërtet fjala është për një “Mur të Madh” internetik.

Me fjalë të miat, si rrumbullakësim (pakashumë i gjithë artikullit), autorja Economy shkruante:
“…sot Kina investon në operacionin më të madh dhe më të sofistikuar të censurës internetike në botë. Loja e “maces me miun” vazhdon, natyrisht se ka më shumë minj se mace. Sfida për lidershipin e Kinës është që t’i ruajë përfitimet internetike (ato gjëra që nga lidershipi perceptohen si përfitime) – psh. avancimi i tregtisë internetike (e-komercializmi) dhe inovacioni – mirëpo njëkohësisht duke mos lejuar që teknologjia t’i përshpejtojë ndryshimet politike. Fuqia e kontrollit të lidershipit mbi Internetin qëndron në angazhimin masiv për parandalim të përhapjes së informacionit (që nga ta konsiderohet i rrezikshëm). Kina ka adoptuar teknologji të sofistikuara, si “Great Firewall” dhe “Golden Shield”. Mirëpo ndoshta burimi më i fuqishëm i kontrollit është ushtria kibernetike për t’i zbatuar politikat e veta. Numri i të punësuarve për ta monitoruar opinionin dhe për censurimin e përmbajtjes internetike në v. 2013 qe vlerësuar të jetë 2 milionë. Kjo armatë disamilionëshe prej monitoruesish janë të punësuar nëpër departamentet e propagandës, ndër korporatat private dhe në mediat. Një sasi e konsiderueshme e censurimit kryhet përmes fshirjes manuale të postimeve (të qytetarëve). Qeveria kineze duket e gatshme t’i përballojë kostot ekonomike dhe shkencore, si dhe dëmtimin e mundshëm të besueshmërisë së saj, nëse kjo nënkupton më shumë kontroll mbi Internetin.
Ndërsa për ndërkombëtarët, politika kibernetike e Pekinit është një shenjë e sfidës kineze, që gjoja një Kinë e fuqishme i paraqitet rendit botëror liberal (rend i cili u jep përparësi vlerave të tilla si liria e fjalës). Pasqyrohet paradoksi i natyrshëm në përpjekjet e Kinës për ta promovuar veten si kampione të globalizimit, njëkohësisht duke e mbrojtur një model të “sovranitetit internetik”, por dhe duke e mbyllur botën kibernetike kineze ndaj informacionit dhe investimeve nga jashtë.”